Borxhlinjtë nuk do të paguajnë shpenzimet e përmbaruesve

Propozim-ligji për shlyerjen kamatave të qytetarëve për borxhet e mbetura ndaj kreditorëve privat apo institucione publike u miratua nga anëtarët e Komisioni parlamentar për Financim dhe Buxhet, shkruan gazeta KOHA. Pasi propozim-ligji e kaloi filtrin e deputetëve në leximin e parë një muaj më parë, në leximin e dytë anëtarët e Komisionit për financim dhe buxhet pranuan amendamentet plus të dorëzuara nga partia shqiptare në pushtet – BDI.

Amendamentet e propozuara nga deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, njëherësh dhe anëtar i këtij Komisionit, saktë përcaktojnë se cilët kreditorë privat dhe institucionet publike me miratimin e ligjit, detyrohen të shlyejnë kamatat për çka borxhliu do të duhet të paguajë vetëm borxhin bazë.

“Kërkoj që përveç kompanive private siç është EVN, operatorët e telefonisë celulare dhe fikse, operatorët kabllovik dhe institucionet publike për shërbime komunale, me këtë ligj të përfshihet edhe Radio Televizioni i Maqedonisë, gjegjësisht qytetarët të paguajnë vetëm borxhin bazë të taksës radiodifuzive. Kërkojmë gjithashtu që qartë të precizohet që qytetarët lirohen nga pagesa e kamatave për borxhet e mbetura nga viti 2006 e deri në fund të vitit 2011. Gjithashtu, kërkojmë plotësimin e nenit 4 të propozim-ligjit, pasi i njëjti duhet të hyjë në fuqi 8 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare dhe jo 3 muaj siç parashihet në propozim-ligjin e miratuar në leximin e parë. Po ashtu, obligohen që kreditorët në periudhë prej 12 muajve të sjellin vendim për informimin e të gjithë borxhlinjve se fillojnë me procesin për shlyerjen e kamatave të borxheve të mbetura dhe për këtë detyrohen të informojnë në kohë përmbaruesin që të ndërpret procesin e përmbarimit nëse është në fillim apo të ndërpres edhe procesin, i cili tanimë është i përmbaruar borxhliu”, tha Ismaili gjatë sqarimit se pse ishte më se i nevojshëm pranimi i këtyre amendamenteve të propozuar nga partia e tij.

Më pas, sipas deputetit Ismaili, Ligji obligon borxhlinjtë që në afat prej 12 muajve të paguajnë borxhin e mbetur ndërkohë do të zvogëlohen harxhimet e avokatëve, noterëve dhe përmbaruesve, të cilat nuk mund të jenë më të larta se 20  për qind nga borxhi bazë, si dhe pas kësaj, përmbaruesit detyrohen të debllokojnë xhirollogarinë e borxhliut.

Se me ligjin e ri parashihen dhe zvogëlimet e harxhimeve të qytetarëve ndaj përmbaruesve, këtë e vërtetoi dhe iniciatori dhe propozuesi i ligjit të ri për shlyerjen e kamatave të borxheve të mbetura, deputeti Pançe Minov.StrugaLajm

“Bëhet fjalë për një problem që qytetarët po ballafaqohen me vite dhe si pasojë e harxhimeve të lartë pas përmbarimit të lëndës që shkojnë deri më 10 herë më larta se borxhi bazë, qytetarët nuk kanë mundur në kohët të paguajnë borxhet e mbetura. Në këtë proces, më të shkelur kanë qenë qytetarët. Me miratimit e këtij ligji, tanimë qytetarët nuk u detyrohen përmbaruesve të paguajnë harxhimet e tyre, por për këtë, kreditori do të njofton përmbarues se lënda ndërpritet dhe se harxhimet e përmbaruesve i mbulon kreditori”, tha Minov. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...