Bujar Osmani: Agjenda reformuese mbetet prioritet i Qeverisë
Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, së bashku me ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në suaza të vizitës së punës në Bruksel realizuan takim me Kristian Danielson, drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Politikës Fqinjësore Evropiane dhe Negociatave për Zgjerim në të cilën e prezantoi përmbajtjen e Planit të ri reformues 18-të.
Osmani, siç kumtoi shërbimi për media i SÇE, në takim ka shprehur kënaqësinë nga implementimi i Planit 3-6-9 posaçërisht valorizimin e tij në njërin ndër raportet më pozitive për Republikën e Maqedonisë, e cila u shoqërua me rekomandim të pastër dhe pa kusht për negociata nga ana e Komisionit Evropian.
“Qeveria ka përcaktim të fuqishëm ta mbajë agjendën reformuese në majën e listës së prioriteteve dhe pas përfundimit të implementimit të Planit 3-6-9, për të cilën Sekretariati i Çështjeve Evropian mori për obligim të përpilojë plan të ri reformues për vitin 2018, realizimi i të cilit duhet të përfundojë me daljen e raportit të ri të Komisionit Evropian në fillimin e vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka potencuar se Plani 3-6-9 krijoi bazë solide dhe përgatitje për implementim të reformave esenciale dhe afatgjate në drejtim të afrimit të shoqërisë tonë me atë evropiane, me ç’rast, Plani 18 paraqet vazhdim logjik të agjendës reformuese të Qeverisë për koordinim sistematik dhe ndjekje të implementimit të këtyre reformave.
Në këtë kontekst Osmani ka shtuar se në planin e ri reformues hyjnë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e vlerësuara në Raportin e Komisionit Evropian, ndërsa i njëjti i merr parasysh edhe drejtimet të cilat përmbahen në gjashtë iniciativat udhëheqëse të Strategjisë së KE-së.
Osmani ka kërkuar nga Daniellson dhe nga përfaqësuesit e Drejtorisë që edhe ata të kontribuojnë me vërejtjet, sugjerimet dhe komentet e tyre gjatë finalizimit të përmbajtjes së Planit, i cili javën e ardhshme pritet të miratohet nga ana e Qeverisë.