BLENDI PETROL
Aktuale

Ilindita me luanë të zgjebosur

Nga Dr.Bekim TATESHI

Maqedonia, kjo gocë 27-vjeçare pa emër dhe mbiemër, hyn në një fazë vendimtare për definimin e rrugëtimit të saj në procesin e rregullimit të rendit të ri botëror.  I ndjeri Arben Xhaferi duke shkruar se “Maqedonia më shumë ka problem me mbiemrin sesa me emrin” me një fjali na qet në sipërfaqe një të vërtetë e mbështjellur me shumë politikë pise alla-ballkançe. Ndarja e vështirë me gjysëm zemër nga ish-Jugosllavia dhe për shkak të situates të rikrijuar, paraqitja e dëshirës për formim të një shteti të ri duke u bazuar në eliminimin dhe mosrespektimin e vullnetit të popullit autokton në Gadishullin Ilirik, rezultoi me krijim të një problemi të ri në këto hapësira me shumë turbullira gjatë shekujve të kaluar. Ndoshta kjo periudhë kohore edhe nuk është shumë e gjatë, por për gjeneratën time edhe ka vlerë se gjith jetën e kemi kaluar në reforma afatshkurte dhe të papalnifikuara mirë apo të planifikuara me qëllime të caktuara nga armiq dhe bashkëpunëtorë të tyre shqipfolës, ndikimi i të cilëve vazhdon edhe në ditët e sotme.

Problemi disadekadësh i emrit ngërthen ne vete kryqëzime të interesave të ndryshme lokale por edhe  më gjerë. Personalisht mendoj se më shumë bëhet fjalë për problem artificial me të cilin rryma të errëta me sukses shtyn integrimin e këtyre hapësirave në proceset euroatlantike si dëshirë e shumë popujve të Gadishullit Ilirik. Tani më erdhi koha t’i jepet fund këtij cirku me palaço të maskuar dhe demaskimi i tyre do të ishte më se i nevojshëm për të mirën e të gjithëve që jetojmë këtu. Se çdo vonesë mund të trazojë edhe një here regjionin që do na çonte në edhe një katastrofë ekonomike me pasojat e saj në çdo sferë të jetës. Mos harrojmë se përveç shumë arsyeve tjera socioekonomike, mosintegrimi po ashtu është një faktor shumë i rëndësishëm në emigrimin shqetësues të rinisë drejt perëndimit për jetë më të mire dhe më e rëndësishme, për jetë më të sigurt për më të dashurit e tyre.

Jemi dëshmitar për propozim-emrin e ri nga qeveritarët momental, i rrezikshëm dhe qesharak. Më të mjerë dhe bizar na dolën përfaqësuesit e integristëve që na befasuan si rrufeja në qiell të pastër, Republika Ilinditase e Maqedonisë. E paparë, e pamundur, e pabesueshme pa marrë parasysh kush e ka propozuar dhe me çfarë prapavije. Emri i gjojapropozuar ndoshta do të zgjidhte kontestin me Greqinë dhe do të ndihmonte në integrimin euroatlantik, por në planin e brendshëm do të ishte një mollë sherri që do të shkaktonte trazira të reja dhe mosmarrëveshje interetnike dhe intraetnike në gjeneratat e ardhshme, në të dyja taborët. Ky cirk ma kujton edhe idenë poashtu bizare dhe të rrezikshme për propozim-stemën e re me luan me arsyetime amatoreske nga po të njëjtit aktorë. Në të dyja rastet ofendohet rëndë inteligjenca shqiptare e çdo qytetari dhe pa fije turpi mundohen të imponojnë diçka në të cilën edhe vet ata nuk besojnë. Injoranca shkon deri në pakufi duke harruar se shqiptarët në Maqedoni kanë edhe opozitë me votues më shumë se pozita dhe moskyqja e opozitës në këto bisedime është jodemokratike dhe joparimore, por një gjë është e sigurt se në referendumin eventual ky propozim nuk do të kalonte nga shumica e shqiptarëve në Maqedoni. Si nxënës më kujtohet që nëpër librat e historisë maksimalisht është minimizuar roli dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në kryengritjen e Ilindenit, për të cilën duhet të na ligjërojnë historianët dhe ta zbardhin këtë ngjarje që të kemi pasqyrë më reale çfar ka ndodhur dhe ku jemi ne në këtë ngjarje historike.

Për fat të mire, shumë shpejtë ky propozim u anulua dhe tani shkohet me një emër tjetër që ndoshta do të kalojë barrierat dhe do të jetë i pranueshëm për të gjitha palët e kyçura dhe të të interesuara dhe kështu do të hapen dyert e integrimeve të shumëpritura që përveç gjeografikisht, në Europë të jemi të integruar edhe gjeopolitikisht që do na mundësohet një bashkim shpirtëror me shqiptarët e shumë shteteve përreth dhe një bashkëpunim me popujt tjerë në këtë gadishull jo të qetë për shekuj me radhë. Pra, sipas të gjitha gjasave më duket se Ilindita do të mbarojë në Drislla së bashku me luanët e zgjebosur të stemës dhe ideve të shumta anormale, me shpresë që autorët të dënohen me votë në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që do të mbahen. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button