Carovska demanton Grubin e BDI-së: Ministrat shqiptarë e përkrahën “heqjen” e shtesës për fëmijën e tretë
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska sonte në emisionin “Rruga drejt” në televizionin Alsat ka mohuar mos marrëveshjet brenda koalicionit BDI-LSDM në lidhje me shfuqizimin gjegjësisht “transformimin” e shtesës për fëmijën e tretë. “Ende jemi në proces të dialogut sa i përket kësaj çështje. Por asnjëherë partneri jonë në Qeveri nuk ka thënë në mënyrë eksplicite se nuk do ta mbështesë këtë”- deklaroi Milla Carovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale. Ajo shpjegoi se gjatë diskutimeve për këtë çështje në Qeveri deri më tani ka marrë mbështetje dhe se nuk ka pasur kundërshtime nga kabineti qeveritar.
“Edhe në Qeveri kur ulem me ministrat dhe kur e panë pakon të pa spinuar, kur i panë tabelat se çfarë është bërë dhe si ajo do të ketë efekt në zvogëlimin e varfërisë sepse ne si koalicion jemi natyrshëm bashkë sepse edhe ne edhe ata jemi socialdemokrat. Se duhet t’i destinojmë paratë drejt të varfërve, ndërsa të pasurit duhet të kontribuojnë. Prandaj ata thanë se po kjo është e drejtë, thash po është e drejtë dhe pikërisht për këtë e bëjmë dhe askujt asgjë nuk i heqim si të drejtë të realizuar”- u shpreh Milla Carovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale. Propozimi i ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska për shfuqizimin e ndihmës për fëmijën e tretë u prezantua në fillim të këtij muaji. Deputeti i BDI-së, Artan Grubi pati deklaruar se grupi parlamentar i BDI-së nuk e mbështet heqjen e kësaj mase . Ndërsa partitë opozitare shqiptare këtë propozim e vlerësuan si mekanizëm të koalicionit Qeveritar për ta penguar rritjen e natalitetit tek shqiptarët. Për momentin propozim-ligjet ende nuk kanë kaluar në procedurë qeveritare, kurse të njëjtat janë të vendosura për debat publik në ENER (regjistri i vetëm kombëtarë elektronik i rregullave të RM-së)./Alsat-M