Ushtria Shqiptare, tregon “forcën” (FOTO)

Ky 29 Nëntor ku festohet “Dita e Çlirimit” është konceptuar ndryshe në raportin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë me qytetarët, pasi “artileria” e rëndë e ushtrisë është ekspozuar në Pedonalen e Tiranës.

Kjo pjesë e kryeqytetit u kthye për disa orë në arenën ku efektivët e FA shpalosën forcën dhe u takuan me qytetarët, të cilët populluan të gjitha stendat, ku ishin vendosur pajime nga të gjitha strukturat e ushtrisë.

Në “Ditën e hapur me FA” performoi edhe Orkestra Frymore, e cila është pajisur me uniforma të reja dhe krijoi një atmosferë festive për fëmijët dhe të rriturit. Uniformat e reja të OFFA me elementë tradicional shqiptar, me ngjyrat kuqezi, u prezantuan për herë të parë gjatë ditës së sotme dhe pjesëtarët e bandës u përshëndetën në veçanti nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.

Xhaçka tha se, “Shqipëria e ka historinë e saj të mbushur me luftëra dhe sakrifica, por 74 vite pas çlirimit, po përjetohet një situatë krejtësisht e ndryshme sa për i përket FA-ve”.

“Ky moment na gjen të rreshtuar krah forcave aleate të NATO-s për të mbrojtur vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe shtetit ligjor, jo vetëm brenda vendit tonë por dhe hapësirës së NATO-s. Sot në këtë aktivitet kemi ekspozuar një pjesë shumë të vogël nga jeta dhe veprimtaria e këtyre djemve dhe vajzave. Por ajo që ata bëjnë në realitet, ajo çfarë ata i ofrojnë vendit tonë, është e pamundur të përcillet në kaq pak hapësirë.”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi se këta të rinj me uniformë janë përherë midis njerëzve, pranë komunitetit, atje ku jeta e njerëzve është në rrezik dhe ka nevojë për ndërhyrjen e tyre.StrugaLajm

“Të jesh pjesëtar i këtyre Forcave, do të thotë të jesh në frontin kryesor dhe më të vështirë në rastin e Emergjencave Civile, të rrezikosh jetën për të shpëtuar familje dhe fëmijë të rrezikuar nga katastrofat natyrore, të ndihmosh familje të shpërngulura nga këto katastrofa. Do të thotë të vesh jetën në rrezik për të pastruar hot-spotet nga eksplozivat e rrezikshëm, të shkatërrosh masive shkëmbore, të ndërtojnë rrugë dhe ura në kushte të vështira, për ta bërë vendin tonë një vend më të sigurt dhe më të mirë për të jetuar dhe punuar me një cilësi jete të përmirësuar”, theksoi ministrja.

Aktiviteti u ndoq edhe nga ambasadorët dhe atashetë ushtarakë të akredituar në Shqipëri, por një interes të lartë shfaqën edhe të huajt që ndodheshin si vizitorë në Shqipëri.

29 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...