Dielli Alushi, djaloshi nga Struga që synon majat e boksit

KUR E HUMBIM GJUHEN E HUMBIM EDHE BOTËN

Urim SALIHU-Faktiditor.ch

Dielli Alushi është 19 vjeçar. Pasioni i tij është boksi, por edhe historia. Ai është me origjinë nga Kalishti, një fshat i bukur buzë liqenit të Strugës transmeton Faktiditor.ch. Është rritur në Zvicër, por e ka të theksuar identitetin shqiptar, të trashëguar nga familja. Ai ndjehet i plotësuar me këtë identitet. E flet bukur gjuhën shqipe, është i lidhur me vendlindjen, por e ka të theksuar disiplinën, vetëmohimin dhe sinqeritetin nga kultura zvicerane.
Gjuhën shqipe e ka mësuar nga familja, por edhe nga interesimi i tij. “I adhuroj dialektet e gjuhës shqipe dhe dua t’i mësoj. Nëse e humbim gjuhën, atëherë e humbim edhe botën”, thotë Dielli Alushi.
Për të boksi është lojë joshëse falë dëshirës për fitore dhe për sukses, por assesi si hakmarrje dhe dhunë.
Filloi të merrej me boks si fëmijë, kurse talenti i tij qe vërejtur nga trajneri, që kishte besuar në aftësinë e djaloshit të qetë në jetë, por luan në ring.

Dielli beson se do ta prek ëndrrën: do të ngjitet në majat e boksit. Karriera e tij ka nisur mbarë. Në duelin kundër një boksieri serb i mjaftuan disa sekonda për të fituar me nokaut. Ky duel për Diellin i përket të kaluarës. Vështrimi i tij shtrihet drejt të ardhmes. Ai e pranon se në duelin e parë kishte emocione të papërshkrueshme. Besonte se fitorja kundër një kundërshtari me përvojë do t’i jepte guxim, siguri dhe vullnet për betejat e ardhshme. Dhe ai nuk deshti ta huqte këtë rast.
Dielli Alushi udhëhiqet nga trajneri i kampionëve të boksit, Tino Groth. Raportet me të janë shumë profesionale. “Trajneri nuk na jep lëvdata. Nuk pret ta falënderojmë. I intereson vetëm dora jonë e ngritur lart në fund të çdo dueli”.
Dielli Alushi tani ndjehet i plotësuar dhe beson se shpejt do ta bëj hapin vendimtar në boksin profesionist. Motoja jetësore e tij është: “Sa herë do të rrëzohem sërish do të vazhdoj. Jo vetëm në boks, por edhe në jetë”. Kjo, sipas tij, arrihet me disiplinë e sakrificë. “Duhet të kesh vetëbesim. Të japësh maksimumin nga vetvetja”, thotë ai.
Përgatitja për një përballje kërkon mund pa fund. I duhen tre muaj përgatitje fizike dhe psikologjike, duke ushtruar edhe me kampionë peshash të rënda në boks. “Nuk bëhesh boksier vetëm duke goditur, por edhe duke u goditur, madje shumë herë”, thotë Dielli.
Në jetën private ai është i qetë. “Boksieri ushtron për në ring dhe jo për në rrugë. Çdo garues sportesh luftarake është i qetë, i disiplinuar, sportist dhe me ndjenjë vetkontrolli. Ai duhet të jetë shembull se si sporti të bën njeri me vetëkontroll dhe jo të papërmbajtur”.StrugaLajm

Dielli Alushi ka lidhje emocionale me vendlindjen. “E ndjej atë fuqimisht dhe vazhdimisht. Çdo ditë mendoj për të, sepse ma jep identitetin dhe më bën të krenohem me historinë”.
Për Diellin mbështetja më e madhe është familja. Ai thotë se për të arritur deri te suksesi i duhet edhe bindja: kur munden të tjerët, përse mos mundem unë. “Dua të shkoj përtej asaj që kanë shkuar të tjerët. Ky është motivi që e shtyn përpara një sportist”, thotë ai.
Kur nuk bokson kohën e kalon me shokët ose rri i vetëm. “Kur jam vetëm atëherë lexoj libra historie, qoftë nga ajo kombëtare ose histori popujsh të tjerë”.StrugaLajm

Ai flet edhe për dallimin “këtu” dhe “atje”. “Në Zvicër ke më shumë mundësi dhe kushte. Këtu shpesh njerëzit e humbin vullnetin dhe lirinë e tyre. Besoj se duhet më shumë iniciativë personale, më shumë qëllime në jetë”.
Në vendlindje, në Kalisht, atij i pëlqen shumëçka: qetësia, njerëzit, natyra, ushqimi. “Këtu ka diçka që nuk e gjen në Zvicër. Ajo është liria. Atje ka një sistem dhe të gjithë veprojnë sipas atij sistemi. Këtu sistemi është më i hapur. Ka laramani kulturore dhe kjo më pëlqen shumë”.
Përveç ëndrrës për arritjet personale beson se një ditë do të kthehet në vendlindje. “Dua të kthehem, herët ose vonë, me një plan, me shumë ide, për të kontribuuar edhe për të tjerët”.
Për një emigrant thuhet se kthimi është i pamundur, se ndjehet i huaj “atje” dhe “këtu”, por Dielli ka tjetër mendim. “Në Zvicër ndjehem i huaj. Vazhdoj ta kem identitetin tim dhe nuk turpërohem. Në vendlindje ndjehem i plotë dhe vendas. Nuk më intereson se si më shohin të tjerët. Unë jam i këtushëm”.
Në shoqërinë zvicerane komunikimi me të tjerët është normal, sepse sistemi është i njëjtë për të gjithë. “Kur e ndjek atë sistem je i njëjti, kombi nuk shihet, prandaj kalojmë mirë me të tjerët. Mendoj se shqiptarëve, pas disa brezash, do t’u ndodh asimilimi modern. Këtu flitet vetëm për imigrim dhe integrim”, thotë Dielli, që beson se shqiptarët në Zvicër mund të japin më shumë për kombin e tyre.
“Në Shqipëri, Kosovë dhe këtu duhet të ketë një plan për t’i shfrytëzuar potencialet e shqiptarëve në Zvicër e kudo”, thotë i riu nga Struga, që është i bindur se do ta përmbush vizionin e tij./Faktiditor.ch/.

In : Aktuale

Loading...
loading...