DRITË DHE SHPRESË NË NËNQIELLIN E TURBULLT TË OHRIT

Aziz Pollozhani

Pjesa III -Nga Libri,, RREZE DRITE-në qiellin e Ohrit,, – (në shtyp)

DRITË DHE SHPRESË NË NËNQIELLIN E TURBULLT TË OHRIT

Në nëntorin e vitit 1944, përderisa një pjesë e popullatës kishte dalë në rrugë që të brohoriste për “çlirimtarët” e rinj në Ohër, qielli ishte ende i zymtë dhe i vranët. Retë e zeza sikur shprehnin edhe ndjenjën e brendshme të shumë qytetarëve të cilët në kujtesën e tyre kishin përjetuar edhe “çlirime të tjera”. Ata ishin mësuar të dëgjonin që çdokush që vinte t’i thonte vetes “çlirimtar”. Por nën vetullat e mrrolisura të shqiptarëve, turqve dhe jomaqedonasve të tjerë mund të vërehej shqetësimi dhe pyetja: “Vallë çfarë do të na sjellin këta “çlirimtarët” e rinj?” Ata ishin mësuar me premtime që pas “çlirimit” harroheshin dhe jeta nuk bëhej më e mirë.StrugaLajm

Një fllad shqiptarie rrëzë kalasë

Gjenerata që e përjetoi këtë “çlirim” i kishte të freskëta premtimet e turqve të rinj (xhonturqve) që për të përfituar mbështetjen e shqiptarëve, por edhe të popujve të tjerë nën Perandorinë Osmane, u premtuan atyre realizimin e disa të drejtave bazike në kuadër të perandorisë që duhej reformuar. Këta qytetarë e panë po këtë qiell me re të zymta pas fitores së xhonturqve, ndërkohë që kontribut shumë të rëndësishëm dhanë disa krerë të parisë së kësaj ane. Ky qiell u turbullua edhe më keq pas Luftës së Parë Botërore kur, përkundër angazhimit dhe sakrificës së shumë patriotëve të kësaj ane që vunë gurthemelin e shtetit të pavarur shqiptar në Vlorë, kjo anë mbeti jashtë kufijve politikë të shtetit të ri shqiptar.
Në Luftën e Dytë Botërore, të deklaruar si “çlirimtare” dhe “antifashiste”, një pjesë e popullit shqiptar shpresonte se po vinte radha për zgjidhje të drejtë mbi parimet e një ideologjie të re, kurse një pjesë tjetër e ndjente se ishte vetëm para një mashtrimi të ri. Kjo përshtypje dhe këto ndjenja të përziera dominonin në “agimet” e një kohe të re.
Konsolidimi i pushtetit të ri kishte elemente entuziaste, por me kohë njerëzit filluan të ndjenin se ajo që ishte premtuar nuk po realizohej. Për më tepër, zgjidhjet e padrejta i “shiteshin” popullatës si parime ideologjike dhe sakrificë e nevojshme për të ruajtur më mirë “vëllazërim-bashkimin” e deklaruar si parullë kryesore e jetës së re. Klimën e re, që ishte në kundërshtim me premtimet e autoriteteve të kohës, filluan ta ndjenin intelektualët e rinj dhe të paktë shqiptarë të cilëve u ngushtohej çdo ditë hapësira e veprimit dhe e ushtrimit dinjitoz të profesionit të tyre që kulmoi me nënshkrimin e marrëveshjes për shpërngulje me Turqinë në vitin 1953 e që në fakt ishte një orientim i qartë se ku duhej parë zgjidhjen kjo pjesë e popullatës së pakënaqur.
Por, fatmirësisht, nuk e morën të gjithë këtë rrugë. Së paku jo të gjithë dhe jo menjëherë. Në qiellin e zymtë të Ohrit, sikurse edhe në vende të tjera, u shfaqën disa rreze dielli që sadopak davaritën retë e zeza dhe ndriçuan rrugën që dukej se ka humbur. Ata ishin një plejadë intelektualësh patriotë që vunë në shërbim njohuritë e tyre dhe organizuan hapjen e shollës shqipe, të parën pas asaj që para pesëdhjetë vjetësh e kishin hapur për një kohë të shkurtër Hamdi bej Ohri me Hajdar Blloshmin.
Naimi i madh pati shkruar dikur se për shqiptarët dielli lind andej nga perëndon. Këtë efekt filloi ta ndjejë edhe Ohri duke qenë se në perëndim e ka Strugën, e cila si për nga përbërja demografike ashtu edhe nga tradita arsimore dhe kulturore që krijoi me hapjen e shkollave shqipe pas viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, më shpejt e ndjeu dhe e përqafoi frymën e re. Struga shfrytëzoi hapjen e shtigjeve për avancimin e të drejtave të shqiptarëve pas përmbysjeve klanore në Partinë Komuniste Jugosllave që ndodhën në Plenumin e Brioneve (pranë Pulës, Kroaci). Kjo frymë rezultoi me zgjerimin e institucioneve të arsimit të mesëm dhe të lartë në gjuhën shqipe dhe sidomos me hapjen e Universitetit të Prishtinës dhe reformat kushtetuese të vitit 1974 që çuan deri tek avancimi i autonomisë së Kosovës.
Struga, duke e pasur atë potencial të fjetur ishte ndër të parat që u aktivizua duke u organizuar dhe duke hapur paralelet e para të gjimnazit në gjuhën shqipe dhe duke organizuar jetën kulturore. Qytetarët e Ohrit, duke qenë pranë Strugës dhe duke komunikuar natyrshëm me banorët e saj, filluan ta ndjejnë këtë valë të ngrohtë dhe t’u gëzohen këtyre zhvillimeve. Kur unë isha në klasën e tretë të fillores (viti 1968) u kumtua se me rastin e manifestimeve kushtuar 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë legjendar, Gjergj Kastriotit– Skënderbeut, Shoqëria Kulturore Artistike “Migjeni” nga Struga do të jipte një program artistik në shkollën tonë në Ohër.
Të gëzuar, por edhe të ndrojtur për diçka që nuk kishte ndodhur më parë, unë bashkë me babain e xhaxhain tim Muratin, atë ditë përjetuam diçka të paparë deri më atëherë. Një program artistik me orkestër kryesisht të përbërë ng mandolinat me një interpretim koral që çdo pesë minuta na rrënqethte trupin si nga entuziazmi ashtu edhe nga diçka e brendshme që na vinte vetvetiu dhe që shoqërohej me lot.
Aty e pashë për herë të parë zotin Skënder Ahmeti që më vonë në gjimnaz e pata pedagog muzike, Hadi Imamin, Myzafer Zibën dhe Fatbardha Agon si solistë, dhe shumë të tjerë. Programi mbaroi me brohoritje entuziaste nga pjesëmarrësit e shumtë në sallën e sportit të shkollës sonë. Në sytë e tyre shihej gëzimi, por te shumë prej pjesëmarrësve ishin të pranishme dhe shenja të ndjenjës së frikës. U ndjeva krenar poashtu kur një njeri që unë nuk e njihja iu afrua tim eti dhe ia vuri në jakën e palltos figurën e gravuar të Skënderbeut që dikush e kishte bërë me rastin e asaj dite. Kështu, Ohri atë natë e ndjeu një dritë, një fllad shqiptarie që edhe në këtë rast erdhi që andej nga perëndon dielli, pra nga Struga.
Meqenëse këto ngjarje nuk ishin të rastësishme dhe shfaqnin segmente të një procesi më të gjerë të liberalizimit të disa të drejtave, kuptohet që shqiptarët, të etur për dije, të vetëdijshëm për potencialin dhe të drejtat e tyre të natyrshme, shpërthyen kudo që ishin. Pikërisht në këtë kohë filloi edhe periudha e emancipimit më qenjësor dhe arsimimit të tyre si parakusht për një zhvillim të gjithëmbarshëm. Edhe qytetarët e Ohrit vazhduan ta ndjejnë këtë frymë kryesisht nëpërmjet programeve dhe aktiviteteve kulturore që po shpeshtoheshin.
Këtu dua të përmend programin artistik të Shoqërisë Kulturore Artistike “Liman Kaba” nga Dibra e cila me këngët e saj tradicionale ngriti peshë ndjenjat dhe zemrat e publikut. Profesionalizmi dhe mjeshtëria artistike e instrumentistëve dhe korit të kësaj shoqërie të udhëhequr nga profesori i muzikës Nazim Kaba la gojëhapur shumë dashamirë të muzikës. Mua më duket se këngën e dasmës “Pjergullo mori pjergullo”, që grupi në fjalë e interpretoi në fund të programit, akoma nuk e kam dëgjuar të interpretohet më mirë se sa ajo që e dëgjova në sallën e sporteve në shkollën tonë.
Ngjarje e veçantë dhe risi për ne ishte edhe vënia në skenë nga Teatri Shqiptar i Shkupit e dramës “Jeta” të dramaturgut nga Struga Nexhat Mustafa që u realizua në kuadër të programit të festivalit “Vera e Ohrit” në ambientet e kishës së Shën Sofisë e që u ndoq nga shumë dashamirë të dramës jo vetëm nga Ohri, por edhe nga Struga, Dibra, Shkupi dhe vende të tjera. Interpretimet e Zija Berishës, Qemal Ajdinit, Sulejman Lokajt dhe i tërë trupës teatrore, si dhe tema të cilën drama trajtonte të gjithë pjesëmarrësit i bëri “sy e veshë”, kurse në fund nuk pushonin duartrokitjet e publikut. Diçka e paparë më parë kjo në Ohër.
Megjithatë, ngjarja që mbeti tek unë e vulosur për një kohë të gjatë si diçka e jashtëzakonshme dhe madhështore lidhet me Festivalin Ballkanik të Këngëve dhe Valleve Popullore që tradicionalisht mbahet në qytetin e Ohrit. Fjala është për vitin 1971 kur në kuadër të këtij festivali mori pjesë edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve i Shqipërisë. Kjo ishte dalja e parë e këtij ansambli në këto troje, prandaj jo vetëm atë ditë që performoi, por edhe disa ditë të tjera me radhë ne pamë të mbushur Ohrin plot me mysafirë shqiptarë që kishin ardhur nga të gjitha anët ku jetonin në Jugosllavinë e atëhershme. Gjatë kalimit nëpër shëtitoren e qytetit (korzon) na dukej që çdokush fliste vetëm shqip.
Qytetarë nga Kosova, Presheva, Mali i Zi dhe nga të gjitha anët e Maqedonisë kishin ardhur për t’i parë artistët më të mirë shqiptarë. Në mbrëmjen e prezentimit të Ansamblit shikuam pamjen më të ndritshme të Fitnete Rexhës, Naile Hoxhës, Ibrahim Tukiçit dhe Luçie Milotit. Pamë lëvizjet mjeshtërore të Besim Zekthit me shokë gjatë ekzekutimit të valleve dhe shumë të tjerë që deri atëherë i kishim ndjekur vetëm në radio dhe rrallë herë në Televizionin Shqiptar që atëbotë i dëgjonim dhe i shikonim fshehurazi. Mbresat nga performimi dhe nga ambienti i krijuar gjatë atyre ditëve në Ohër ishin temë bisede dhe anekdotash të ndryshme që do të mbanin gjallë kujtimet e bukura. Ajo atmosferë entuziaste u shndërrua në burim frymëzimi për shqiptarët e Ohrit dhe ringjalli shpresën se ata, ndonëse ishin pakicë, patjetër që një ditë do të dilnin në dritë sepse kuptuan se nuk ishin vetëm. Ky fllad shqiptarie shërbeu si frymëzim edhe për brezat e rinj për t’u shkolluar dhe për të marrë iniciativa afirmative për vete dhe për kulturën tonë.
Vlen të përmenden gjithashtu edhe aktivitetet që organizoheshin në shkollën tonë të cilat filluan ta gjallërojnë jetën kulturore shqiptare në Ohër. Një moment i rëndësishëm ishte ai kur paralelet me mësim në gjuhën shqipe nga objekti i vjetër u transferuan në godinën e re pranë lagjes “Koshishtë” (rrëzë pjesës veriore të Kalasë). Me kalimin në godinën e re u shtuan edhe aktivitetet e ndryshme kulturore. Domosdo që duhet përmendur organizimin e grupit muzikor të shkollës të udhëhequr nga mësuesja e palodhshme Shazije Hyseini.
Tepër domethënëse është edhe ngjarja që ndodhi në vjeshtën e vitit 1968 kur në oborrin e shkollës së re u organizua një takim me shkrimtarët. Për ne ai takim ishte me të vërtetë një befasi e veçantë. Atë ditë me diell të vjeshtës së parë në shkollën tonë erdhi ekipi i Redaksisë për Fëmijë të revistës “Flaka e Vëllazërimit” nga Shkupi. Kjo ishte gazeta e vetme në gjuhën shqipe e cila në kuadrin e saj kishte Redaksinë e Botimeve ku vend të rëndësishëm zinte edhe Redaksia për Fëmijë që në atë kohë botonte dy revista; revistën “Fatosi”, dedikuar për fëmijët e klasëve të ciklit të ulët, dhe revistën “Gëzimi” për nxënësit e klasëve të larta të tetëvjeçares. Përgjegjësi i shkollës, z. Eshref Doko, na i prezentoi mysafirët e nderuar: përgjegjësin e botimeve, studiues e kritik letrar, z. Ali Aliu (tanimë akademik i njohur mbarëkombëtar) dhe z. Fejzi Bojku e z. Ali Huruglica, që të dy poetë e shkrimtarë shumë të dashur për fëmijët që ne deri më atë ditë i njihnim vetëm nëpërmjet vjershave të tyre të botuara te revistat e lartpërmendura dhe nëpër tekstet shkollore në gjuhën shqipe.
Zoti Ali Aliu foli për përkushtimin e redaksisë së “Flakës” në planifikimin e hapësirës për krijimtari të fëmijëve dhe për rëndësinë e kultivimit të gjuhës shqipe përmes leximit. Ai na ftoi njëkohësisht që edhe ne të bëheshim pjesë e rubrikave të dedikuara për botim me vjersha e shkrime të shkurtra në prozë. Ndërkaq, dy poetët na lexuan vjersha nga krijimtaria e tyre e pasur për fëmijë.
Aktivitetet e këtilla flisnin për një entuziazëm dhe përkushtim të gjeneratave të reja të intelektualëve në çdo nivel dhe nga çdo pozitë për të emancipuar, motivuar e orientuar brezat e rinj drejt shkollimit dhe për t’u siguruar atyre në këtë mënyrë një të ardhme të ndritur kudo që të jetonin e të vepronin.

In : Aktuale

Loading...
loading...