“EDEPSËZ DOVLET!”

Kur nuk do t’ia gjesh dermanin këtij “dovleti dhe kryegjyshit” të tij, do të duhet të ia mbathësh “nga sytë këmbët”. Ndryshe nuk bën. Po qe se do të ndash mendjen të ikësh, parashtrohet pyetja, ku do të degdisesh! Të shkosh në shtetin amë, “beter e më beter”, edhe atje si te ne, thjesht njësoj. Të marrësh udhë Evrope…, nuk është zgjidhje. Mbase të mbetet vetëm ai shtegu i qëmoçëm – bëj kujdes me kalamajtë e tu!

Nga Fadil LUSHI

Të nderuar lexues dhe ju miq të mi pa tarafe! Besoj se edhe kësaj radhe do më ndjeni për trazimin tim karshi “mosrespektimit të standardit të gjuhës së sotme shqipe”. E di fare mirë se ju, në parim, keni të drejtë kur më “bëni me faj”, sidomos kur unë, ashtu “me a pa hir” e “çekuilibroj” sintaksën e gjuhës shqipe. Unë e di se ju gjithmonë keni të drejtë ndaj “inatit tim homerik”, ju keni të drejtë të më qortoni, kur unë e teproj me të folmet krahinore e të tjera fjalë të huazuara që hetohen në opinionet e mia për gazetë. Që të bësh sot një opinion të shëndetshëm, human dhe po aq emancipues për “gjendjen mentale a për gjendjen fiziologjike” të këtij shteti, është paksa e sikletshme. Të shkruash për njerëzit në hall të këtij “dovleti”, po nëse do edhe për “kryegjyshin” e tij, duhet të jesh si Millosh Gjergj Nikolla, si Faik Konica dhe si Ismail Kadare.StrugaLajm

Meqë unë nuk mund të jem as si i pari, as si i dyti, po as edhe si i treti, atëherë më mbetet të ndërtoj një “shkarravinë ku do të gënjej vetveten”, po edhe lexuesit e mi të paanshëm. “Do të qendis” një “shkarravinë” për ca njerëz të cilët kanë shtrirë shalët në kolltukun e rehatshëm të këtij “dovleti”, i cili dikur moti, falë një traktati famëkeq, kishte zaptuar me dredhi një copë vend të “qymezit” të vockël të Gadishullit Ilirik…, një vendi që sot e gjithë ditën e Perëndisë, i mungon tapia, një vend ku ardhacakët mëtojnë t’i dëbojnë banorët autoktonë të këtij oborri, që padrejtësisht mbi vete ka një nëmë shekullore! Dhe, ky “krijim imi pa vlerë” meriton një kësisoj drejtshqiptimi të denigruar dhe kurrgjë tjetër. Ç’është e vërteta, në këtë “dovlet” jetojnë a mbijetojnë kumarxhinj politikë, po edhe daullexhinj ramazani, frymojnë njerëz të cilët detyrohen të qajnë dhe ca të tjerë që zgërdhihen, jetojnë edhe njerëz “shpirtkatranë a shpirtkëllirë”…, njerëz që masturbojnë politikisht, njerëz të cilët “sabah e aksham” bëjnë duan dhe llogaritë e shtetit të sëmurë nga “veremi”, është një “dovlet”, ku jetojnë më shumë bukëshkelës e më pak bukëgatues dhe ca të tjerë toptan hazërxhinj dhe dembelë Anadolli…, është një “dovlet”, ku fukarai detyrohet të punojë argat te “zengjini edepsëz” për një pagë qesharake!StrugaLajm

Është një “dovlet” që më shumë parapëlqen të merret me “anatominë e bythës së pleshtit”, sesa me varfërinë e skajshme të miletit që rrezikon “të ngelë pa brekë”…, një milet që ende e ëndërron vendin ku ka “bythë viçi”, që fatkeqësisht nuk e gjen dot…, një milet që ka rënë në hall e që detyrohet derrit t’i thotë dajë!?…, një “dovlet” me “kryegjysh”, i cili më shumë parapëlqen të hajë “qofte të përgatitura nga koqet e morrit të kuq”, sesa të kujdeset për rininë që i është prishur mendja a është hutuar fare nga mungesa e shpresës për një të ardhme të lumtur e të sigurt. Është një “dovlet” që udhëhiqet nga njerëz të cilët ditën kur u sistemuan në kryeqendër, lëre që me vete sollën opingat e stërgjyshërve të tyre, por edhe ca zakone të këqija. Fillimisht ngatërruan muhabetin politik, ngatërruan diplomacinë e shtetit, harruan miqtë, shokët, farefisin dhe, më e keqja, harruan prejardhjen e tyre provinciale, harruan dhe prindërit e sëmurë dhe të moshuar që i kishin lënë në mëshirën e njerëzve me nijet të mirë…, kishin harruar se në këtë “dovlet të tyre” jetojnë edhe njerëz të cilët kanë histori tjetërfare – ilire. Është një “dovlet” që për “kryegjysh” ka njeriun që mohon dialektikën politike, një “kryegjysh” që nuk nënshkruan asnjë dokument ku zënë vend kërkesat e shqiptarëve, është “kryegjysh” i një “dovleti” i cili në vijimësi errëson a ul me qëllim vlerat e shqiptarëve. Dhe ky “kryegjysh”, që hiqet si alamet profesor universitar, në vend që të bëjë punën e presidentit të shtetit, bën punën e zëdhënësit të një partie politike joshqiptare. Dhe kur do hetosh axhamillëkun e “kryegjyshit”, atëherë do të detyrohesh ta braktisësh dhe ta sikterisësh këtë “dovlet” toptan, me emër, me identitet të paqenë, me kishë e gjuhë të papranuar, me histori të sajuar, me shtrirje gjeografike të dyshimtë…, një “dovlet biblik” që të bën me faj, që të akuzon se kinse gjithmonë e ke “marrë në qafë”, që kinse gjithmonë ia ke futur a ia ke ngulur…, një “dovlet” ku politikanë të papërgjegjshëm dhe të rrjedhur nga fiqiri që, kur urinojnë gjithandej, nuk bëjnë kujdes se mos stërpikin majtas e djathtas, para e mbas. Çuditërisht, këta njerëz asnjëherë nuk mësuan të pshurren si qenushët e pasanikëve, të cilët ambientalistët e ndërgjegjshëm të kryeqytetit i kanë marrë nën përkujdesjen e tyre!

Miku im i nderuar! Kur nuk do t’ia gjesh dermanin këtij “dovleti dhe kryegjyshit” të tij, do të duhet të ia mbathësh “nga sytë këmbët”. Ndryshe nuk bën. Po qe se do të ndash mendjen të ikësh, parashtrohet pyetja, ku do të degdisesh! Të shkosh në shtetin amë, “beter e më beter”, edhe atje si te ne, thjesht njësoj. Të marrësh udhë Evrope…, nuk është zgjidhje. Mbase të mbetet vetëm ai shtegu i qëmoçëm – bëj kujdes me kalamajtë e tu! (koha.mk)


Loading...
loading...