Edhe perimet nuk janë si dikur

Në tregjet e sotshme gati është e pamundur të blini domate me shijen dhe aromën e dikurshme, shkruan gazeta KOHA. Agronomët shpjegojnë se kultivimi i domates është fokusuar që frytet të jenë sa më forta, më rezistente ndaj transportit, ndaj sëmundjeve të ndryshme, si dhe të kenë afat sa më të gjatë të ruajtjes, ndërsa shija ka shkuar në plan të dytë. Sipas profesorit universitar, Boris Anakiev, prodhuesit, por edhe tregtarët kanë imponuar shijen e re të domates, edhe pse konsumatorët nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë në shtetet e rajonit, gjegjësisht kapitalizmi dhe rendja pas fitimi diktojnë edhe trendet e reja në kultivimin e perimeve të ndryshme.

“Kryesorja për prodhuesit në botë është kultivimi sa më ekonomik, me sa më shumë rendimente i domateve, që gjithashtu i bëjnë ballë edhe transportit, andaj edhe llojet e reja diktohen nga trende të tilla në treg. Të mos harrojmë se Evropa edhe më parë ka konsumuar domate të tilla, andaj tek ta nuk ka dallime në shije, ndërsa tani ka ardhur koha që lloje të tilla të plasohen edhe në tregjet tona”, thekson për KOHA Anakiev.

Sipas tij, vështirë është të kultivohen masovikisht llojet tona vendore më të shijshme për shkak të përfitimeve më vogla në raport me llojet e reja. Në ndërkohë, rritja e domates për qëllime komerciale në dekadat e fundit ka ndikuar që të humb shija e saj, ndërsa shkencëtarët e kanë konfirmuar se kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë, kanë studiuar afërsisht 400 lloje të domateve, nga ato modernet deri tek ato të vjetrat, për të përcaktuar se çfarë i ka ndodhur perimeve më të popullarizuara në botë. Ata gjetën se dekadat e rritjes së domates kanë çuar në humbjen e 13 kemikaleve që ndikojnë në shijen e saj të veçantë. Një studim i ri i publikuar në gazetën “Science”, tregon se varietetet e domateve “moderne”, janë shumë më pak të shijshme se ato të viteve të shkuara. Në krahasimin e bërë midis dy llojeve, u pa se te domatet “e vjetra” ekzistonin disa mikro-elementë që ndikonin në shije. Madje, u gjetën edhe gjenet përgjegjëse të tyre. Ekspertët e tjerë të bujqësisë thonë se ndër shkaqet kryesore të humbjes së shijes janë edhe ndryshimi i mënyrës së kultivimit të saj.

“Domatet dikur kishin një shije shumë më të mirë, dhe ishin pak të tharta. Megjithatë, mënyra moderne e jetesës ka sjellë deri ajo që të blejmë domate që janë ruajtur ne frigorifer , që do të thotë se nga momenti kur është grumbulluar dhe derisa sa vijnë në tryezën tonë, dinë të kalojnë 10 deri 15 ditë. Andaj, nuk janë ruajtur aromat e tij të theksuara. Domatet që sot i konsumojmë deri diku kanë shije të bukur, por jo si më parë. Përmes teknologjisë moderne me qëllim që frutat të jenë sa më rezistente janë bllokuar enzimet që ndihmojnë në pjekjen e domates, andaj është bllokuar edhe aroma, shija pak e tharët si dhe ëmbëlsia e saj”, thotë ekspertja e teknologjisë ushqimore, Jasna Mastiloviq.StrugaLajm

Sipas saj, para 15-20 vitesh kur për herë të parë janë bllokuar enzimet, domatet nuk kanë pasur shije, ndërsa më vonë edhe kjo ka ndryshuar për shkak se ka lloje që janë relativisht të mira. Me intervenimet gjenetike është dëmtuar edhe shija. Dikur hanim domatet e para në fund të qershorit deri në fillimit të shtatorit, ndërsa tani ato prodhohen nën serra të qelqit që edhe ngrohen. Për të pasur shije më të mirë duhet të ketë edhe kushte më të mira që nënkupton më shumë dritë. Duke marrë parasysh se domateve ju mungon drita e diellit, kjo sjell edhe tek mungesa e shijes së vërtetë, thonë teknologët e ushqimit.

In : Aktuale

Loading...
loading...