Gjykata themelore e Kërçovës, Sheqerim Ahmeti, i njohur si El Çeka, i shqiptoi dënim me kusht prej një viti, nëse gjatë dy viteve të ardhshme nuk kryen vepër të re penale. Lajmin për Alsat M e konfirmoi avokati i tij Besnik Asani, i cili thotë se në këtë procedurë është shkelur Kodi penal.
“Mendojmë se janë bërë shkelje të shumta thelbësore të procedurës, sipas Kodit penal. Një prej tyre është se në këtë vepër nuk ekziston palë e dëmtuar, që është elementi i rëndësishëm dhe kryesor në procedurën penale. Këtë e din edhe një student i vitit të parë në Fakultetin juridik, se nëse nuk ekziston palë e dëmtuar, nuk mund të ekzistojë as vepër penale”, thotë Asani.
Në aktgjykimin, siç informojnë nga Alsat M, thuhet se El Çeka nga data 29 deri më 31 maj të vitit 2019 në Fejsbuk ka publikuar më shumë audio materiale të telefonatave të përgjuara, me çka u ka mundësuar përdoruesve të rrjetit social të njihen me përmbajtjet e bisedave të përgjuara.
Avokati Asani thotë se nuk është i kënaqur as nga vendimi, e as nga rrjedha e procesit gjyqësor dhe se do ta ankimojë aktgjykimin para Gjykatës së Apelit në Gostivar.
Në fjalët përmbyllëse prokurorja Manka Janevska kërkoi që El Çeka të shpallet fajtor, por gjatë shqiptimit të dënimit gjykata ta ketë parasysh faktin se i akuzuari është i ri dhe deri tani pa dosje gjyqësore.
El Çeka, i cili jeton në SHBA dhe i cili në periudhën e kaluar publikoi dhjetëra “bomba” për funksionarët e BDI-së, u gjykua në mungesë. Ndryshe, El Çeka pohonte se materialet i ka marrë nga tre të dënuar në rastin e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë (Shefqet Hallaçi, Valdet Zekaj dhe Sami Ukshini). .