Fakultetet pa leje pune regjistrojnë studentë!

Nga Inspektorati i Arsimit në Maqedoni (IAM) për Gazetën KOHA deklaruan se janë dërguar inspektorë në terren për të hulumtuar rastin në fjalë dhe brenda tetë ditëve presin që ky inspektim të kryhet

Shkup, 13 shtator – Në Universitetin e Teknologjisë dhe Informatikës “Shën Apostulli Pavle” në Ohër, në dy fakultete të paakredituar janë regjistruar studentë. Nga burimet jozyrtare Gazeta KOHA merr vesh se universiteti ka pranuar 47 studentë, njëzet ditë para fillimit të vitit të studimeve. Studentët e regjistruar u njoftuan se praktikisht u regjistruan në fakultete jo-ekzistuese, për të cilat Universiteti nuk ka ende akreditim. Prindërit ndjehen të revoltuar, ndërkohë që akuzojnë se dikush po luan me të ardhmen e fëmijëve të tyre. Studentët e regjistruar me kuotë shtetërore në Fakultetin e Rrjeteve dhe Sigurisë së Komunikimit, si dhe në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë tani nuk mund të vazhdojnë të studiojnë. Para fillimit të vitit akademik, pasi u regjistruan dhe u pranuan në fakultetet e zgjedhura, në momentin e fundit, nga Universitetit i lajmëruan se nuk kishte akreditim për fakultetet e lartpërmendura. Studentët tani nuk kanë zgjedhje tjetër, ata duhet të regjistrohen në një nga drejtimet të cilat janë në listën e këtij universiteti – në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit, Vizualizimit, Multimedisë digjitale dhe Teknikës së animimit. Nga Inspektorati i Arsimit në Maqedoni (IAM) për Gazetën KOHA deklaruan se janë dërguar inspektorë në terren për të hulumtuar rastin në fjalë dhe brenda tetë ditëve presin që ky inspektim të kryhet. “Kemi dhënë urdhëresë që inspektorë të caktuar të merren me këtë çështje për të vërtetuar thelbin e këtij lajmi se sa është i vërtetë. Tek ne nuk është dërguar ndonjë ankesë lidhur me këtë, ndoshta prindërit dhe studentët e regjistruar nuk kanë mjaftueshëm siguri tek institucionet dhe janë drejtuar tek mediat. Gjithsesi ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe do të bëjmë të pamundur të zgjidhim çdo rast i cili është në dëm të tyre”, deklaroi drejtori i IAM, Tome Spirovski. Nga IAM theksuan se pasi të kenë siguruar faktet, do të dalim me deklaratë konkrete dhe normalisht që do të merren masa konkrete rreth kësaj çështje. Gazeta KOHA vazhdimisht kontaktoi në numrat të cilat ishin në faqen e internetit të universitetit për të marrë qëndrimin e tyre, dhe ndërkohë një përfaqësuese e këtij universitet na u përgjigj se gjatë ditëve në vijim do të pasojë edhe përgjigja lidhur me këtë skandal. Tentuam të kontaktojmë në telefon edhe me rektorin e këtij universiteti mirëpo as ai nuk u përgjigj. Në ditët në vijim, do të provojmë të zbulojmë detaje të tjera rreth funksionimit të këtij universiteti “fantom”.StrugaLajmStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...