Fatos Lubonja: Pse Rama është një i sëmurë psikik?!

Fatos Lubonja ka kërkuar sot largimin e Edi Ramës nga politika, jo vetëm për gabimet që ai ka bërë, jo vetëm për vendimet që ka marrë, jo për dëmet që mund t’i sjellë vendit, por edhe për një arsye tjetër.
FATOS LUBONJA

Duke u nisur nga përshk rimet që i janë bërë miqë- sisë sime me Edi Ramën në vitet ’90 (ku ka shumë manipulim dhe pak thellim për të vërtetën e kësaj miqësie dhe të shkaqeve e dinamikës së prishjes, ndonëse kjo ka qenë goxha publike), një numër jo i vogël të njohurish, në një mënyrë apo në një tjetër, më kanë rekomanduar të rivendos lidhjet me të, tani që është edhe Kryeministër. Më të respektueshmit për mua kanë qenë ata që kanë shprehur mendimin se mund të ndikoj për mirë me kritikat e mia. U kam kthyer përgjigje jo vetëm duke u thënë se kritikat më mirë se kudo i kam shprehur në shtyp, duke u përmendur parimin e Montanelit “larg atyre gazetarëve që hanë e pinë me politikanë”, por edhe duke u thënë se miqësia e vërtetë, prandaj dhe komunikimi i vërtetë, me këtë njeri, ku hyn edhe dëgjimi i kritikave, më ka rezultuar se nuk është i mundur. Madje, për hir të së vërtetës, një tentativë ndërhyrjeje e kam bërë, nën ndikimin e një të njohuri të përbashkët, kur mësova se ky kishte vendosur të prishte Stadiumin “Qemal Stafa”, por duke vënë bast se nuk do të funksiononte. Edhe mënyra se si u soll me Stadiumin ishte provë e asaj që i kisha thënë këtij miku se, që të mund të dëgjojë e pranojë kritika ky njeri, duhet më së pari të kurohet, kurse në kushtet e tij psikike, kjo vetëm mund të prishë punë. Prandaj, kur kam shkruar një shkrim asokohe mbi prishjen e Stadiumit, kam thënë se, që të kryesh një masakër të atillë, përvese “injorant”, “i korruptuar”, “mashtrues i paturp” (dhe “kryeministër”, sigurisht) duhet të jesh edhe i sëmurë psikik. Siç do ta shtjelloj në këtë shkrim, këto karakteristika nuk duhen parë të ndara tek Edi Rama, pasi janë të lidhura ngushtë me sëmundjen e tij psikike.

***

Nuk më shqitet nga mendja një thënie që i atribuohet Paul Miliesi-t, doktorit të Enver Hoxhës, sipas së cilës, kur e kanë pyetur nëse ka konstatuar ndonjë sëmundje psikike te diktatori, ky është përgjigjur se “ka një sëmundje që në krye të familjes ta kesh të bën gjëmën, jo më në krye të shtetit”. “Se non e vero e ben trovato” – thonë italianët. Kush ka lexuar për historinë e shumë njerëzve që kanë bërë keq, në krye të të cilëve shumica do të vendosnin Hitlerin, e di se sa analiza janë bërë duke kërkuar të gjejnë shpjegimin e së keqes te problemet e tyre psikike. Pyetja që kam ngritur shpesh me vete, duke parë manifestimin gjithnjë e më dramatik të simptomave të Ramës, është: në një kohë kur jemi në demokraci, pse duhet të presim të ndodhë e keqja deri në fund, për të folur për sëmundjet psikike të njerëzve që kanë në dorë fatet tona? Më ngacmoi për këtë edhe një letër që një duzinë psikologësh i kanë dërguar “New York Times”-it mbi shëndetin mendor të Trump-it – duke thyer madje një rregull të heshtur midis specialistëve të fushës – në të cilën shkruajnë se “instabiliteti i tij i rëndë emocional” e bën të papërshtatshëm për rolin e Presidentit. Më ngacmoi edhe një shkrim i “Hufington Post” ku, mes tjerash, autori shkruante se Trumpi vuan nga një sëmundje e rrezikshme, “narcizizëm malinj”, që është bash patologjia e Ramës që kam njohur dhe që po e njohim përditë.

Në shkrime apo prononcime të miat i kam përmendur herë pas here disa karakteristika të sëmundjes së Ramës, duke ruajtur njëlloj etike megjithatë, por edhe duke i shoqëruar me arsyetimin se problemi është se kjo kategori njerëzish, shoqërisht të rrezikshëm, që normalisht duhet t’i çojmë të kurohen, ne i ngremë në struktura pushteti. Vazhdoj të mendoj se problemi mbetet i shoqërisë, por, kur flasim për shoqërinë, duhet të kemi parasysh edhe kulturën tonë të heshtjes ndaj problemeve që krijojnë, që nga familja e deri në jetën politike, të sëmurët psikikë që na rrethojnë.

Prandaj vendosa ta shkruaj këtë shkrim mbi psikikën e Edi Ramës dhe rrezikshmërinë që paraqet, me shpresën se do të ndërgjegjësojë shumë vetë që ushqejnë patologjinë e tij, pa menduar për pasojat që ajo po i sjell një shoqërie të tërë. Shtoj, nga ana tjetër, se nuk do ta merrja këtë mundim sikur të mos mendoja se nuk kemi të bëjmë me një rast të veçantë, por me një sëmundje shumë të përhapur në shoqërinë shqiptare, pa të cilën fenomene si ai i Ramës nuk do të mund të ndodhnin.

NARCIZISTI SI BORDERLINE

Teodor Keko dhe Andi Bejtja, të cilët në vitet ’90 drejtonin të përjavshmen kulturore “Aks”, tregonin asokohe se, një fundjavë që u kishte dalë një punë, ia lanë mbylljen e gazetës Ramës, që ishte bashkëpunëtor i faqes së pikturës. I kishin përcaktuar kryetitujt e faqes së parë dhe thuajse gjithç- ka, por, kur u kthyen, panë se në variantin e dalë nga shtypi Rama kishte ndryshuar gjithçka. Në faqe të parë, ky kishte vënë një foto të madhe të vetvetes dhe në faqen e pikturës, kishte promovuar një ekspozitë të vetën. Mesa më kujtohet, këtë histori e tregonim duke qeshur, madje duke e quajtur të ekzagjeruar vendimin e Kekos që ky të pushohej nga puna që kryente. Por, asokohe askush nuk e mendonte se ky njeri, me çrregullime të dukshme narciziste të personalitetit, mund të dilte në krye të shtetit dhe do të bënte me Shqipërinë atë që bëri me gazetën “Aks” një fundjavë të vetme që iu la në dorë. Ka pasur megjithatë nga ata që e kanë parandier.

Sipas psikologëve, të gjithë njerëzit duhet të kenë një dozë narcizizmi, që do të thotë një investim të libidos (energjisë së dashurisë) te vetvetja. Kjo lloj dashurie e shëndoshë për veten na bën të jemi më kërkues në jetë – thuaj po deshe më ambiciozë, – por dhe të sillemi në harmoni me principet tona morale. Ndërkaq, kuptohet se te historia e Kekos dhe Bejtes nuk kemi të bëjmë me këtë lloj narcizizmi. Ajo flet për një njeri të cilin dashuria për vetveten e çon në shkapërcimin e normave elementare të sjelljes, ku hyn edhe ndjenja e turpit për t’ua kaluar e hedhur të tjerëve, duke shkelur çdo rregull. Te ky shkapërcim bien në sy qartazi “çrregullime narciziste të personalitetit” që, sipas psikologëve, shfaqen kur dashuria për vetveten përmbyt gjithçka ose, thënë me gjuhë psikologësh, kur te pacienti kemi një hiperinvestim të libidos te vetvetja. Më kujtohet se kur Rama hyri në politikë, një njeri që e kishte njohur shumë mirë thoshte: sikur 0,0001 % të asaj dashurisë së madhe, të stërmadhe, që ka ky për veten ta shpenzonte për t’u dhënë pak dashuri edhe shqiptarëve, do të bënte mrekullira, por ai nuk e ka as atë 0,0001 %.

PO CILI ËSHTË SHKAKU I KËTIJ ÇRREGULLIMI?

Pa u zgjatur në teori, aq më tepër duke mos qenë specialist i fushës, do të kufizohem në një skicim të bazuar në leximet e mia, si dhe në vëzhgime të sjelljeve të Ramës.

Çrregullimet narcizistike të personalitetit bëjnë pjesë në kategoritë që cilësohen me termin “borderline organisation personallity” (organizim borderline i personalitetit). Quhen borderline sepse janë në kufijtë që ndajnë organizimet neurotike të personalitetit (neurotikët kanë një dallim të qartë midis vetes dhe realitetit) me ato psikotike (që i konfondojnë këto). Si të tillë, aftësinë e arsyetimit dhe njëlloj sensi realiteti këta e kanë të paprekur, çka e bën më të vështirë për t’i dalluar si të sëmurë. Është një gjë që vihet re edhe te Rama. Argumentimet e tij janë të kthjellëta, nuk u mungon logjika dhe as mbështetja në fakte. Problemi i borderlineve është se ata kanë vështirësi për të realizuar atë që quhet integrimi i Vetes (identitetit). Integrimi i Vete-s është aftësia për t’i njohur aspektet kontradiktore të vetes sonë (të mirat dhe të këqijat, aftësitë dhe paaftësitë, talentet dhe jo talentet), si dhe për t’i mbajtur ato në unitet. Për shkak, kryesisht traumash që kanë kaluar në fëmijëri, si p.sh. kur kanë pasur prindër joafektivë apo me qëndrime tejet kritike apo deri zhvleftësuese ndaj tyre, këta kanë pësuar një frenim në ndërtimin e identitetit (Vetes) në kuptimin, pra, të integrimit të aspekteve kontradiktore të vetes. Ata ose e idealizojnë veten, ose e zhvleftësojnë, shpesh duke u luhatur nga idealizimi te zhvleftësimi, çka i bën të përjetojnë emocione ekstreme pozitive, ose negative. Kush e ka njohur Ramën nga afër, por edhe kush i ka ndjekur sjelljet e tij publike me këtë këndvështrim, i njeh mirë lëkundjet “e pashpjegueshme” të humorit të tij, nga ekzaltimet që kulmojnë edhe me batare sharjesh, në depresionet deri në marrje fryme dhe vice-versa. Të njëjtën gjë, idealizimin ose zhvleftësimin, borderline-t bëjnë edhe me të tjerët. Ata nuk arrijnë t’i shohin të tjerët në kompleksitetin e tyre, në dritëhijet e tyre, veset dhe virtytet, por ose i idealizojnë, ose i zhvleftësojnë. Këtë Rama e ka edhe më të dukshme, sepse raporti me të tjerët është edhe më i ekspozuar e sa ai me vetveten. Ai është i mirënjohur për faktin se të tjerëve u drejtohet ose me superlativa: “sa i madh je ti” ose me epitete talljeje dhe përqeshjeje. Në fakt, kjo ndarje e anëve negative të vetvetes dhe të tjerëve nga ato pozitive bën pjesë në mekanizmat mbrojtës që përdorin borderline-t ndaj emocioneve negative që provojnë. Kur akuzohen për ndonjë të keqe, këta nxitojnë ta ndajnë atë nga vetja dhe t’ia veshin akuzuesit. Ky aspekt vetëmbrojtës i Ramës duket qartë te reagimet e tij me gazetarët që e intervistojnë. Edhe përballë të vërtetave më evidente, ai reagon duke i akuzuar se janë injorantë, se gënjejnë, apo se punojnë për kundërshtarin.

NARCIZISTI PATOLOGJIK

Në rastet ekstreme borderline-t ku dominon vetëzhvleftësimi arrijnë të kryejnë akte autolezionizmi deri edhe vetëvrasjeje, kurse ata ku dominon narcizizmi zhvillojnë forma të rënda dhe të rrezikshme të patologjive narcizistike.

Rama, ashtu siç e kam njohur dhe ashtu siç e manifeston përditë, hyn në atë nënkategori boderline-sh, të cilët, për t’u mbrojtur nga pasiguritë dhe kaosi i brendshëm, që u buron nga mungesa e integrimit të Vetes, i ikin me sa munden vetëzhvleftësimit duke u kapur fort tek idealizimi i vetvetes. Këta individë zhvillojnë një Vete grandioze patologjike, të cilën e ushqejnë me fantazi grandioze mbi veten dhe të tjerët, kurse çdo shfaqje negative të vetes e projektojnë jashtë saj. Kjo rëndom u zhvillon mitomaninë, që i shtyn të falsifikojnë realitetin duke treguar historira fantastike, me të cilat kërkojnë të tërheqin vëmendjen e të tjerëve për të ushqyer vanitetin dhe nevojën e ekzagjeruar për t’u admiruar. Besoj se gjithkush që e ka njohur, do të konstatojë se po i afrohem edhe më karakterit të njeriut për të cilin po shkruaj, sepse historirat me tregimet e barcaletat e tij të zbukuruara dhe ndryshuara darkë pas darke, sipas mikut që ka në tryezë, janë bërë tashmë proverbiale. Por edhe pa e njohur personalisht, mjafton të lexosh librin “Kurbani” për t’i gjetur këto simptoma. I gjithë libri është ndërtuar në funksion të ndërtimit të Vetes së tij grandioze dhe nevojës për t’u admiruar. Nëpërmjet përshkrimit të situatave apo bisedave të transformuara me fantazitë e tij apo edhe krejt imagjinare, aty sheh se si oligarkët shqiptarë, si Koço Kokëdhima apo Fidel Ylli, të mahnitur nga projektet e tij për Tiranën, filluan të bëjnë punë gratis për pastrimin e Lanës, me paratë që do të kishin dhënë nga ryshfetet që do të kishin paguar, sikur të mos ishte Rama në Bashki. Aty lexon se si e magjepsi drejtorin e Bankës Botërore që vendosi të financojë shtesën e Bashkisë, edhe pse kjo s’përputhej me projektet e Bankës, pasi e bindi se në katin e parë të asaj shtese do të luftohej korrupsioni që gëlonte deri më atëherë në zyrat e Bashkisë.

Por prapa këtyre historirave fantastike që, jo pa sukses, arrijnë të ngjallin edhe admirim për rrëfimtarin, veçanërisht në njohjet e para, ka edhe një faqe tjetër të errët. Ky lloj i sëmuri lëviz në një realitet të rrezikshëm, sepse ka frikë se në çdo moment ideja e madhështisë që ka për veten mund të zhvleftësohet. Prandaj, nevoja për t’u siguruar, për të mbajtur të paprekur imazhin grandioz që ka për vetveten, më një anë e shtyn të ndiejë nevojën ekstreme për admirim, por, më anë tjetër, për t’u mbrojtur nga “rreziku” i mosadmirimit, e shtyn t’i mbajë larg ata të tjerë që, sipas tij, nuk e vlerësojnë siç meriton. Jo vetëm, por shpesh edhe kjo distancë nuk i mjafton. Për t’u mbrojtur nga emocionet negative dhe ndjenjat e inferioritetit dhe pasiguritë e ngulitura thellë, ai zhvillon një ndjenjë zilie të thellë ndaj këtyre të tjerëve, duke i bërë automatikisht objekte inati dhe zhvleftësimi. Në këtë mënyrë, të tjerët humbasin në vetëdijen e tij çdo ekzistencë jashtë të qenët ose “shpëtimtarë” që ata i shfrytëzojnë për të ushqyer vlerësimin e vetes, ose rivalë të urryer. Kjo ua bën narcizistëve patologjikë të pamundur një ndërtim marrëdhëniesh normale me të tjerët.

Nga përvoja personale mund të kujtoj se si nga intelektuali “i madh” me të cilin ndante vizione të përbashkëta, ndër të cilat edhe ato për një kthim të Tiranës në identitet, kundër ndërtimeve të larta, u ktheva në “shpifësin profesionist’, “urbanistin popullor” dhe “moralistin” që duhej përqeshur e që, veç tjerash, shkruan edhe aq keq. Në këtë kontekst, po ta shohësh, libri i tij “Kurbani”, si anë tjetër të ngritjes së Vetes së tij grandioze nëpërmjet historirash të sajuara apo zbukuruara, ka edhe zhvleftësimin me lloj-lloj historirash dhe epitetesh denigruese të kritikëve të tij.

Megjithatë, pa analizuar etjen për pushtet dhe sjelljen në pushtet të Ramës, nuk mund të cekim aspektin më të rëndë të patologjisë së tij. Një narcizist patologjik mund të jetë edhe ai që izolohet nga të tjerët dhe zhytet në një vetmi të thellë madhështie, duke e konsideruar veten si gjeni të moskuptuar; mund të jetë edhe ai që punon për veten në mënyrë tepër egoiste; ai që mburret me prestacionet e tij të jashtëzakonshme seksuale; apo ai që vë në dukje pasurinë e madhe që ka. Mund të ishte edhe thjesht një megaloman mitoman qesharak me historitë e të cilin tallen të gjithë. Do të kishim qenë fatlumë sikur patologjia e Ramës të ndalej deri në këtë nivel mbarëshqiptar të narcizizmit. Por, fatkeqësisht, “aftë- sia” e tij për të manipuluar, gënjyer, mashtruar, intriguar në funksion të kapjes së pushtetit dhe pastaj për të mos mbajtur asnjë fjalë të dhënë, madje për të bërë krejt të kundërtën, pa njohur as ndjenjën e turpit dhe as ndjenja të tilla njerë- zore, si empatia apo ndjenja e fajit, janë simptoma të një patologjie më të rëndë.

***

Por, përpara se të hyj te patologjia e tij, po hap këtu një parantezë që lidhet dhe me synimin e këtij shkrimi. Ky shkrim nuk mund të mos ngrejë një pikëpyetje të rëndësishme. A duhet ta fusim Edi Ramën në atë kategori që në terma juridikë formulohen si “të aftë për të kuptuar rëndësinë e veprimeve të tyre dhe të pasojave që vijnë prej tyre”, apo jo? A duhet ta konsiderojmë atë si “të aftë për t’i kontrolluar veprimet e tij”, apo jo? Në italisht, formula është “capacita di intendere e volere” dhe në thelb do të thotë: a duhet ta konsiderojmë përgjegjës për ato që ka bërë e po bën, apo jo? Sepse një përshkrim i çrregullimeve të personalitetit të Ramës mund të lexohet edhe si një justifikim, apo si një zhveshje nga përgjegjësia, pasi aktet e tij janë kryer nën efektin e patologjisë. “Të kuptosh gjithçka, do të thotë të justifikosh gjithçka” – thotë një fjalë e urtë. Lidhur me këtë aspekt, pa qenë specialist i kësaj fushe ku takohen juristi me psikologun, mendimi im është se kemi të bëjmë me një rast borderline ku përgjegjësia dhe papërgjegjësia takohen. Prandaj mendimi im, i shprehur edhe publikisht më shumë se një herë, ka qenë se ky njeri duhet larguar nga politika. Këtë mendim ia kam shprehur edhe atij veçmas dhe publikisht disa herë. Së fundmi, edhe në komunikimin që përmenda në hyrje të këtij shkrimi, duke i thënë: “uroj të dalësh nga politika për të mirën tënde dhe të të gjithëve se me këtë që po bën me Stadiumin tregon se ke prekur fundin.”

Duke mos hequr dorë nga ideja se përgjegjësia morale dhe ligjore për heqjen e pushtetit nga duart e këtij të sëmuri nuk është vetëm e personit në fjalë, por edhe e shumëve që e kanë mbështetur apo përdorur, duke u bërë bashkautorë në dëme të pallogaritshme në jetën ekonomike, politike, shoqërore, e kulturore të vendit, po kaloj në përshkrimin e mëtejshëm të patologjisë së tij si narcizizëm pervers ose malinj, dhe rreziqet që ajo mbart.

NARCIZIZMI PERVERS OSE MALINJ

Sikur çrregullimi i Ramës të ishte ndalur te patologjia e individit, i cili strehohet në idenë e madhështisë e mitomanisë duke u vetizoluar, me shumë gjasa do ta kishim parë të tërhequr në studion e tij të piktorit, duke pritur aty vetëm adhuruesit e veprave të tij dhe duke treguar historira fantastike për suksesin e tyre. Nuk di të them për vlerat artistike që mund të kishin këto. Ndoshta edhe mund të kishin, por kam dyshime, pasi mendoj se artisti i vërtetë ka nevojë edhe për aftësinë për të dëgjuar kritika, edhe për një humanizëm që e tejkalon shumë herë dashurinë vetëm për vetveten. Por, sidoqoftë, nuk do të kishte qenë kurrsesi kaq i dëmshëm për krejt shoqërinë, ku përfshihen edhe kolegët e tij artistë. Problemi është se ai bën pjesë në kategorinë e atyre narcizistëve ku kapja fort tek ideja e madhështisë dhe mitomania kombinohen me agresivitetin. Është ky kombinim që zhvillon “narcizizmin malinj”, siç e ka quajtur Otto Kernberg, studiuesi i sëmundjes dhe krijuesi i termit. Është ky që e ka çuar edhe tek etja për pushtet.

Në këtë rast ekstrem, idesë së madhështisë i shtohen edhe aspekte të omnipotencës dhe shfaqje paranojake, që e shtyjnë narcizistin malinj të mendojë se është qenie speciale, superiore, se atij duhet t’i kënaqet çdo tekë e dëshirë, se mund të bëjë ç’të dojë, sepse për të rregullat nuk vlejnë. Por ka edhe më: omnipotencën ai e përforcon fort edhe me ndjenjën e triumfit ndaj të tjerëve, që e çon deri në shijimin e situatave kur arrin t’u shkaktojë dhimbje atyre. Nuk mund të shpjegohen shumë sjellje të Ramës, si lehtësia me të cilën shpërfill normat shoqërore më elementare, shkel ligjet e shtetit, bashkëpunon me kriminelë për të arritur synimet e tij, pa delirin e omnipotencës. Nuk mund të kuptohen talljet, përqeshjet dhe poshtërimet që u bën kundërshtarëve pa ndjenjën e triumfit deri në shkaktim dhimbjeje – kujtoni cilësimin “dele” dhe “budallenj” për votuesit e opozitës, apo heqjen e fotos së Presidentit dhe lëshimin e lukunisë së tij kundër tij, duke i përmendur deri edhe defektet fizike. Nuk po hyj këtu të përmend historitë e poshtërimeve që u bën njerëzve që ka pranë e i servilosen të cilat tregohen, në ambiente gazetareske veçanërisht, si barcaleta për të qeshur dhe për të qarë.

***

Por ka akoma edhe më: psikologët e kanë quajtur narcizizmin malinj edhe “narcizizmi pervers” dhe të sëmurin shpesh e quajnë edhe “manipulatori pervers.” Me pervers duhet të kemi parasysh atë që thotë Deleuze: njeriun për të cilin nuk ka të tjerë në botë. Jo se të tjerët nuk ekzistojnë fizikisht, por sepse, siç e thashë më lart, të tjerët nuk ekzistojnë ngase e vetmja qasje që ka ky ndaj të tjerëve, i vetmi motiv për të hyrë në marrëdhënie me ta, është seduktimi dhe manipulimi i tyre në funksion të idesë së tij të madhështisë. Dhe duhet pranuar se këtu Rama shkëlqen. Nga njohja personale mund të them se ai shkëlqen te simulimi i dashurisë së kombinuar me miklimin e vanitetit të tjetrit, që i vijnë edhe nga ndarja që i bën borderline-i të tjerëve, në njerëz që i do dhe njerëz që i urren. Kjo i funksionon thuajse gjithmonë, duke pasur parasysh se sa pak sens vetëkritik kemi ne, bij të një shoqërie ku dominon kultura narcizistike. Një armë tjetër e suksesshme e tij në fushën e manipulimit është sensi i humorit, më saktë seduktimi nëpërmjet humorit. Po ta vësh re me kujdes, është një humor që mban brenda simptomat për të cilat po flas. Ai konsiston në gjetje batutash që vënë në lojë, tallin apo përqeshin një situatë, një person apo grup personash, që u përgjigjen ndjenjave që ka edhe grupi që qesh së bashku me të për këtë situatë, person apo grup personash. Jemi përsëri në ndarjen e bordeline-it në të mirët që përqeshin të këqijtë, pa ndonjë sens kritik apo nuancë grije në mes.

Problemi është se duke qenë se më së shumti ky humor i buron nga nevoja për të denigruar personin apo personat që ka kundërshtarë dhe jo idetë apo principet që ata përfaqë- sojnë, nesër mund të mbetesh i befasuar sepse mund ta gjesh së bashku me ata duke të përqeshur ty. Duket sikur ke të bësh me dy njerëz, por në fakt ke të bësh me një borderline narcizist, që tjetrin e sheh vetëm në funksion të krijimit të ndjenjave pozitive për vetveten. Kush është çuditur me Ramën teksa e ka parë të bëjë miq ata për të cilët nuk ka lënë gjë pa thënë deri dje, duhet të kuptojë se narcizisti patologjik miqësinë e kupton vetëm si mundësi manipulimi. Kush është çuditur se një ditë ka hyrë në kafene e ka përqafuar duke i treguar admirim e dashuri e një ditë tjetër as nuk e ka vënë re se ekziston, duhet të kuptojë se në të dy ditët ka takuar të njëjtin njeri: por në të parën, për një arsye apo një tjetër, përqafimi i është dashur, kurse në të dytën jo. Në thelb kemi të bëjmë me një parvertim të komunikimit njerëzor, me humbjen e dimensionit të njeriut si qenie sociale, me njeriun i cili – siç thotë Deleuze – jeton në një botë ku nuk ka të tjerë.

Edhe në raportet afektive duke qenë, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, thjesht e vetëm manipulatorë ndjenjash, narcizistët perversë janë në thelb të vetmuar. Bëjnë sikur dashurojnë, por nuk kanë asnjë lloj ndjenje. E manipulojnë viktimën me përkëdhelje e dashuri të shtirur dhe, pasi e fusin në rrjetë, fillojnë e keqtrajtojnë duke e goditur në pikat e dobëta, që vetë viktima ua ka rrëfyer, e mbajnë vazhdimisht nën kritika, insinuata, tallje, denigrime që kanë si qëllim final t’i shkatërrojnë stimën për vetveten deri në atë pikë sa viktima të besojë edhe vetë se është i/e tillë dhe se nuk i mbetet rrugë tjetër, veçse të adhurojë denigruesin e vet. Ndjenja të tilla si empatia nuk ekzistojnë për këta lloj të sëmurësh, sepse ata nuk vihen dot në lëkurën e tjetrit, pasi mendojnë se janë superiorë ndaj tyre, se u lejohet gjithçka, se të tjerët ekzistojnë vetëm për të dashuruar dhe admiruar ata. Po për të njëjtat arsye, kur raportet e tyre afektive përfundojnë në mënyrë dramatike për partnerin, atyre u mungon edhe ndjenja e fajit.

Nuk kam ndërmend të hyj këtu në manifestimet e sindromës së manipulatorit pervers në jetën personale të Edi Ramës. Problemi është se narcizistët patologjikë si ai jetojnë dhe veprojnë në shoqëri, madje janë shumë aktivë edhe në politikë, dhe se manifestojnë të njëjtën mënyrë sjelljeje me të gjithë ata që kanë përreth, qofshin miq, kolegë vartës apo superiorë. Problemi është se sipas psikologëve, te kjo “mënyrë sjelljeje”, mashtrimi, gënjeshtra, intriga janë stil jetese, buka e tyre e përditshme; se vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, këta sillen si Doktor Jackly dhe Mister Hyde njëherësh – shfaqen të dashur dhe të respektueshëm ditën, kur i ke përballë, por natën, prapa shpine, të thurin intriga dhe hakmarrje gjithfarëshe. Problemi është se ideja e madhështisë e kombinuar me agresivitetin, omnipotencën dhe nevojën e sëmurë për të triumfuar mbi të tjerët i shtyn të ngrenë rrjete të rrezikshme manipulimi, duke bërë që ta kthejnë manipulimin në një art. Dhe problemi i problemeve është se këtë “artist të manipulimit ne e kemi jo në një vend ku këto raporte perverse i ka vetëm me familjen, as vetëm me një grup të ngushtë miqsh e të afërmish, por me të gjithë shoqërinë. Kjo bën që viktima e dëmtuar dhe e rrezikuar prej tij të mos jetë më një person i vetëm, me të cilin ndan shtratin, as ndonjë grup miqsh e shokësh, me të cilët ndan tavolinën, por një shoqëri e tërë.

In : Aktuale

Loading...
loading...