Deri në fund të qershorit pritet që komunat t’i mbarojnë bisedat me kreditorët, ndërsa deri në fund të vitit t’i kthejnë borxhet. Komunat kanë për obligim të shpallin edhe raport të hollësishëm për renditjen e pagesës së borxheve. Ministri i Vetëqeverisjes lokale Suhejl Fazliu sot përsëri kërkoi nga kryetarët të jenë përgjegjës dhe transparentë në harxhimin e parave publike.
“Kur dikush do t’ua shtrijë dorën për t’ju ndihmuar në situata të rënda, duhet që mjetet të shfrytëzohen me përgjegjësi për të mos lënë përshtypje te qytetarët se bëni ndonjë keqpërdorim për shkak se ajo do t’u dëmtojë juve si kryetar, por e dëmton edhe Qeverinë edhe shoqërinë” theksoi Fazliu, duke iu përgjigjur pyetjes pas pres konferencës në Qeveri. Në lidhje me furnizimin e automobilave luksoze në komunën e Strugës, ministri paralajmëroi vizitë në këtë komunë dhe takim me kryetarin Ramiz Merko me qëllim që personalisht të informohet për të gjithë situatën. “Nëse ekziston ndonjë përgjegjësi për Strugën, atëherë qytetarët duhet ta kërkojnë nga përfaqësuesit e Këshillit të komunës për shkak se për aq sa jam i informuar unë furnizimi ka kaluar edhe në Këshillin ku është votuar nga shumica. Ata kanë mundur të vërejnë se nëse punohet për luks, në atë moment ta ndalojnë atë procedurë”, tha Fazliu. Qeveria u ndau mjete komunave me qëllim që t’u ndihmojë të paguajnë 51 për qind prej borxheve që i kanë.