Filozofia dhe praktika e unitetit të Arbën Xhaferit

NGA: Alpin Ollogu

Filozofia dhe praktika e unitetit të Arbën Xhaferit

Para disa ditëve, një gazetar, analist i nderuar i medias shqiptare, publikoi shkrimin me titull ”20 vjeçari i Ali Ahmetit dhe fronti i fundit kundër BDI-së”. Shkrimi në thelb i drejtohej dobësisë së mosbashkimit të opozitës shqiptare, e cila sipas tij, pak paska trashëguar nga shembulli i filozofisë së unitetit politik të Arbën Xhaferit. “Arbën Xhaferi kurrë nuk lejoi përçarjen e votës shqiptare, dhe atë në momente vendimtare, madje shquhej për shtrirje të dorës së bashkëpunimit ndërshqiptar dhe ai e bëri këtë në zgjedhjet e 1998 kur i duhej fuqizimi i faktorit shqiptar para luftës në Kosovë, por edhe në zgjedhjet lokale” – thotë analisti. Sipas tij, “Xhaferi në vulgun e konfliktit të 2001, ishte po ai që luftoi drejt Prizrenit për të bashkërenduar veprimet me shefin politik të UÇK-së, Ali Ahmeti dhe Imer Imerin.”

Eshtë e drejta e gjithësecilit të besojë, thotë, shkruajë dhe bëjë çfarë i do zemra, përveç atyre që janë kundër lirisë së tjetrit – thoshte Faik Konica. Në këtë logjikë, analistët, opinionistët apo hartuesit e mendimit publik, kritikojnë e debatojnë veprimet dhe deklaratat e politikanëve, kur ata mendojnë se shkelet liria e tjetrit – interesi publik, atë që ata e mendojnë si të drejtë. Përgjegjësi publike për ato që shkruajnë the thonë, sigurisht kanë edhe analistët, gazetarët e mediave te ndryshme. Si e tillë, lind e drejta që mund të atakohen për analizat, konkluzat e paraqitura opinionit të gjërë, atakim – mënyrë dialektikë zhvilluese në rrugën e së vërtetës. Pavarësisht se dialektika të tilla janë të mangëta në kulturën mediatike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

 Në rastin konkret, shkrimi i gazetarit për një tematikë tepër të rëndësishme për natyrën politike – të drejtat nacionale shqiptare në Maqedoninë e Veriut, tematika e praktikës së unitetit dhe e përçarjes së faktorit shqiptar, duhet kundërshtuar për rëndësinë që ajo ka, sepse kundërargumentet janë të qëndrueshme dhe të zëshme. Nisur nga ky këndvështrim, të thënat apo mendimi jo vetëm i gazetarit në fjalë, por edhe një pjese të intelektualëve shqiptar, veçanërisht attyre jashta kufirit të vendit tonë, se Arbën Xhaferi ka meritën e unitetit politik shqiptar, është një pohim krejtësisht i pavend, i kundërt me realitetin e veprimtarisë politike të  Xhaferit.StrugaLajm

Në teoritë e tij, uniteti politik i faktorit shqiptar ndoshta ka qenë i theksuar, por praktika politike tregon diçka krejt tjetër, Xhaferi përçau dhe armiqësoi skajshmërisht faktorin politik shqiptar, si në luftën politike kundër Partisë për Prosperitet Demokratik, ashtu edhe me Bashkimin Demokratik për Integrim. Ishte ai, i ndikuar nga persona tjere të  partisë apo faktori tjetër, pak rëndësi ka, e rëndësishme është praktika politike, aktet e partisë që ai drejtonte. Veprimtaria politike ishte kryesisht përçarëse dhe sabotuese për faktorin politik shqiptar, rrjedhimisht interesave shqiptare. 

E padrejtë ta analizosh opozitën aktuale shqiptare, se ka marrë shumë pak nga trashëgimia e unitetit politik të Xhaferit. Përkundrazi, opozita shqiptare udhëhequr kryesisht me protagonistin Ziadin Sela, duhet të shmanget nga ajo lloj praktikë politike e Xhaferit. Teorinë le t’ja mësojë përmendësh, por praktikës politike ti mbyllë hermetikisht dyert. E vërteta e dukshme është se sot, opozita shqiptare, pavarësisht kusureve të vogla, ështe shumë më e shëndoshë në aspektin e unitetit me faktorin shqiptar dhe interesat e saj. Eshtë shumë më pak përçarëse, destruktive dhe armiqësore se opozita e djeshme e Xhaferit, qoftë karshi partive politike shqiptare në koalicionin qeverisës, ashtu edhe atyre opozitare. Nuk e ka sabotuar padrejtësisht punën e partisë më të madhe shqiptare në qeverisje, si bënte opozita e vjetër e Xhaferit. Opozita aktuale ka disa vite në koalicion opozitar me parti tjetër shqiptare, që deri tani i kanë qëndruar korrekt njëri tjetrit dhe kauzës së tyre. Ndërsa tek opozita e Xhaferit nuk mund të ndodhte një bashkëpunim i këtillë.  

Me krijimin opozitës se re, gjërat filluan të levizin më shpejt në drejtimin e duhur, sepse edhe vetë partitë në qeverisje, shqiptare dhe maqedonase, e marrin më seriozisht oponentin politik shqiptar në opozitë dhe si rrjedhojë mundohen ti shtyjnë proceset më shpejt dhe më mirë, duke mos pasur mundësi të kalkulojnë me parti shqiptare sabotuese.StrugaLajm

Arbën Xhaferi shquhej për shtrirjen e dorës së bashkëveprimit ndërshqiptar dhe ai këtë e bëri në zgjedhjet parlamentare të 1998, kur i duhej fuqizimi i faktorit shqiptar para luftës së Kosovës, por edhe në zgjedhjet lokale” – shkruan analisti. Por, e kundërta është e vërtetë. Në zgjedhjet parlamentare të viti 1998, partia e Xhaferit e cila ishte më e dobët për nga mbështetja elektorale, bëri më shumë koalicion parazgjedhor me Partinë për Prosperitet Demokratik për interesa të veta elektorale – të fitojë ndonjë mandat më shumë në sajë të votës së PPD-së. “Bashkëveprimi ndërshqiptar” i Xhaferit, “fuqizimi i faktorit shqiptar para luftës së Kosovës” u pa fill mbas mbarimit të zgjedhjeve parlamentare, kur prishi koalicionin dhe u shkëput nga PPD-ja, e me numër shumë më të vogël deputetësh (që i kishte marrë në koalicion parazgjedhor), u fut në qeverisje me VMRO-në. Në të njejtën mënyrë partia e Xhaferit përfitoi edhe kryetar komunash në  zgjedhjet lokale. 

Arbën Xhaferi në kohën kritike të 2001-shit, kur Ushtria Çlirimtare Kombëtare me mbështjen e shumicës dërrmuese popullore, luftonte për dinjitetin shqiptar në këto hapësira, ai shijonte privilegjet e qeverisjes, e asaj qeverisjeje që blente armatim nga Sërbia dhe Bullgaria, e dërgonte forca të armatosura të shkatërrojnë vendbanimet shqiptare në luftën kundër ushtrisë së lavdishme. Ai nuk u shkëput nga qeverisja, ta delegjitimojë dhe rrezojë atë, për të ‘bashkëvepruar me faktorin shqiptar’. Andaj dhe udhëtimi i mepasëm i tij drejt Prizrenit dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ishte si përfaqësues shqiptar në qeveri, dhe në një formë nuk kishte nga t’ja mbajë as prej presionit ndërkombëtar. Se sa bashkëveprues ndër shqiptarë, unifikuese ishte praktika e unitetit të tij politik, u pa menjëherë mbas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, kur u largua nga Këshilli kordinues shqiptar, u largua me egoizmin politik karakterizues dhe arsyetimet banale. Ky largim e prishi unitetin, vështirësoi rrugën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, e si rrjedhojë lindi nevoja e transformimit të krahut politik të luftës në parti politike, që do ta siguronte zbatimin e marrëveshjes. 

Xhaferi vetëm politikë uniteti nuk kishte, kjo u ndoq më vonë nga partia e tij në zgjedhjet e vitit 2008, pjesëmarrje në qeverisje, pa forcën e “badenterit” dhe me pakicë deputetësh. Skena politike me opozitën e vjetër ishte tejet acaruese dhe vende vende vëlla-vrasëse. Kjo praktikë jouniteti, e faktuar me gjithë këto ngjarje, e solli partinë e tij në këtë gjendje, në pragun e inegzistencës, duke mos pranuar forca të reja reformatore shqiptare brenda partisë. 

Opozita e sotshme është krejt ndryshe dhe shumë mirë që është kështu. Ajo dita ditës përforcohet në një opozitarizëm produktiv. Kjo i duhet edhe partive shqiptare në qeverisje, sepse jep motivim dhe nxitje për të punuar më shumë dhe më seriozisht në implementimin e programit politik, por normale dhe të garës për pushtet. Arbën Xhaferi ishte dhe mbetet një nga teoriticientet më të mirë të hapësirave tona, ndoshta edhe në filozofinë e unitetit ndërshqiptar, por praktika e tij politike ishte krejt e kundërt me unitetin. Partitë politike shqiptare mund të mundohen të përvetësojnë teoritë e Xhaferit, por asesi të përpiqen për një trashëgimi praktike të politikës përçarëse dhe të dëmshme të tij, nëse duan të ngjiten në pushtet me shumicë parlamentare shqiptare dhe dinjitetshëm të përfaqësojnë shqiptarët. 

Faktet historiko-politike nuk bën të shtrembërohen, transformohen apo analizohen me emocione tifozërie politike, sepse ato janë udhërrëfyes për politikën shqiptare të së nesërmes.


Loading...
loading...