Fushata në Maqedoni, “jeshillëku” dhe “pordhët” patriotike

Muhamer Pajaziti

Ndonëse në korrik fillojnë pushimet verore, partitë politike në Maqedoni kanë filluar para fushatën për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen në vjeshtë.
Me heqjen e roamingut, edhe ata politikanë që s’rrinë dot pa shijuar rrezet e diellit do të jenë të informuar për gjithçka nga aktivistët partiak.

Krejt beteja tani zhvillohet se si të mbështillen “gënjeshtrat” dhe premtimet e mëdha si është më mirë.

Edhe kësaj rradhë do të dëgjojmë për shumë projekte megalomane, infrastrukturë moderne, investime kapitale, e fund edhe për trendin e ri, agjendën e gjelbër- “jeshillëkun”.

Normale do të ishte që zgjedhjet për pushtetin lokal të fokusoheshin në tema që i prekin çdo ditë qytetarët e vendit, si uji i pijshëm, kanalizimet, rrugët me gropa, ndërtimi i çerdheve, shkollave, sallave sportive, parkingjeve, tregjeve lokale, por politikanët ballkanas nuk e lënë pa e ngjyer bukën pak edhe me tema të nxehta.

Do kenë tendenca për të shitur edhe ‘pordhë’ për patriotizëm e retorikë nacionaliste, për ta nxehur gjakun në damarët e militantëve.

Në kampin shqiptarë do të flitet për federalizim, kantonizim, vendimmarrje me konsensus, ndryshimin e simboleve shtetërore, bashkësi të komunave shqiptare, decentralizim fiskal e shumë tema tjera.StrugaLajm

Ndërsa në kampin maqedonas do të bëhet garë mes patriotëve dhe tradhtarëve, do të nxehen militantët duke ju dëshmuar se sa janë në gjendje ta mbrojnë identitetin, gjuhën e kulturën maqedonase. Kuptohet, të gjithë këto për ti manipuluar mendjet e nxehta të disa votuesve.

Por, e vërteta është se të gjitha këto premtime do të bien poshtë si gjethet e pemëve në vjeshtë dhe qytetarët sërish do të përballen me realitetin e hidhur në terren.

Në të vërtetë qytetarët do të duhej të interesoheshin për kandidatët e jo për partinë, sepse njëherë e përgjithmon duhet të vijnë në shprehje vlerat dhe meritokracia.

Duhet të jetë me rëndësi kandidati, gjegjësishtë njeriu me vlera profesionale, morale e kombëtare.

In : Aktuale

Loading...
loading...