Garancia e Ziadin Selës dhe e Krenar Llogas nuk mjafton për shpëtimin e Abdylfeta Alimin
Këshilli Penal e ka refuzuar garancinë e liderit të ASH-së Ziadin Sela për Abdylfeta Alimin i cili shpëtoi Selën më 27 prill të vitit kaluar. Bashkë më garancinë e Selës është hedh poshtë edhe garancia e zyrtarit të ASH-së, Krenar Lloga. Këshilli pranë Gjykatës Penale ka vlerësuar se garancia nuk mjafton për të liruar Alimin nga paraburgimi si i dyshuar për mos veprim në akuzën për cenim terrorist të rendit Kushtetues, transmeton Alsat M.
Alimi si garanci për të qenë afër familjes së tij ofroi shtëpinë ku jeton. Shtëpitë e tyre i ofruan edhe Sela dhe Lloga, ndërsa garanci për Alimin kanë ofruar edhe të afërmit e tij. Pas refuzimit, Alimi ka të drejtën e ankesës. Duke garantuar pasurinë, disa nga të akuzuarit për terrorizëm më 27 prill u liruan nga paraburgimi duke iu caktuar kështu masa kujdesi. Në mesin e të liruarve është edhe ish-drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Mitko Çavkov, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe organizatorët e protestave.