Geni Qyra kryetari Alternativa Strugë :Koalicioni ynë shpresë për shqiptarët

MT: Bisedë me kryetarin e degës së Alternativës në Strugë, Geni Qyra

T: Për mua politika është vetëm detyrë

NT: Në procesin e reformave që janë zhvilluar brenda Alternativës, është përfshirë edhe dega e Strugës, ku për kryetar është zgjedhur Geni Qyra. Kjo ishte arsyeja që me të të zhvillojmë një bisedë të shkurtër për ta njohur më për së afërmi degën e Alternativës në Strugë dhe për të kuptuar më shumë për pritjet e planet që i kanë struganët.

1. Në thoni fillimisht se hush është Geni Qyra, por edhe çfarë do të thotë për ju politika dhe pse zgjodhët të jeni pjesë e partisë politike “Alternativa”?

Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë, që me këtë rast mund të themi dy-tri fjalë mbi biografinë time dhe inkuadrimin tim në politikë. Jam Geni Qyra, i lindur më 18.07.1971 në Strugë. Shkollën fillore e kam mbaruar në vendlindjen time, ndërsa 2 vitet e fundit të shkollës së mesme (vitin e 3-t dhe të 4-t) i kam përfunduar në Ohër, ku pastaj vazhdova me studime në Shkollën e Lartë në Manastir, ku diplomova si inxhinier i elektronikës. Që nga viti 1999, si arkëtar, jam i punësuar në Postën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjatë viteve 1994-1999 kam qenë kryetar i Komisionit për Patentë Shoferi në Strugë. Po ashtu kam një biografi modeste sportive, si ish futbollist i klubeve KF “Vllaznimi” – Strugë, KF “Dinamo” f. Livadhi dhe KF “Flamurtari” f. Ladorishtë. Aktualisht jam pronar i Auto Shkollës “Zebra” në Strugë. 

Javë më parë, nga kuvendarët e Degës, u zgjodha kryetar i degës së Alternativës në Strugë, për çfarë u jam mirënjohës miqve dhe dashamirëve të mi, për besimin e dhënë në këtë detyrë, që për mua më tepër është sfidë dhe përkushtim sesa privilegj e post. StrugaLajm

Në jetë ka disa momente kur njeriu dëshiron të sfidohet dhe të ballafaqohet me realitetin pak më ndryshe. Ky realitet, që në vete bart diçka nga ajo që dëgjojmë dhe e shohim nga jashtë, për mua quhet politikë. Edhe pse interpretimi i politikës është “art i së mundshmes”, mendoj se sfida e qenies njeri të shekullit XXI është politika dhe politikanët, e aq më shumë për trojet shqiptare. Çuditërisht, shoqëria jonë dhe gjeografia shqiptare çdo lëvizje shoqërore ose perspektivë shoqërore e lidh me nocionin e politikës dhe mbase kjo gjendje ka bërë që çdo gjë të perceptohet përmes politikës. 

Përkundër gjithë kësaj që thash, për mua politika është vetëm detyrë, obligim dhe përkushtim për të qenë sfidues ndaj kërkesave të qytetarëve në çdo sferë, pra që të jesh një alternativë reale ndaj kërkesave të qytetarëve, një alternativë që do të ofrojë shpresë për një të ardhme më të mirë. Duke u bazuar mbi këto premisa dhe duke e kuptuar barrën e rëndë për të qenë shërbyes të qytetarëve, e veçanërisht shqiptarëve të këtij vendi, zgjodha të jem pjesë e partisë politike “AlternAtivA”, e cila mbetet të jetë shpresa e së ardhmes shqiptare, ku, mbi të gjitha, primare për ne janë qytetarët dhe jo postet qeveritare. Për këtë arsye, pa modesti dhe hamendje, dëshiroj që publikisht t’u falënderohem dy miqve të mi struganë, dr. Arben Labënishtit dhe Hysein Dikës, të cilëve u detyrohem që më bënë pjesë të ekipit të Afrim Gashit dhe Alternativës. 

2. Zotëri Qyra, si i komentoni ngjarjet e fundit politike në vend?  A kemi qeveri të suksesshme apo të brishtë? Çfarë roli po luan opozita shqiptare, konkretisht koalicioni Alternativa & Aleanca për Shqiptarët?StrugaLajm

Maqedonia e Veriut është para një ngërçi dhe defetizmi politik. Fatkeqësisht, punët dhe rrjedhoja e sendeve nuk po shkon në anën e mbarë. Nuk do koment se ngjarjet e fundit në vend, duke filluar me keqmenaxhimin e pandemisë Covid 19, ekonominë e shkatërruar – humbjen e mijëra vendeve të punës së qytetarëve, degradimin e sistemit arsimor e fiaskon me  mësimin online, rangimin e Maqedonisë së Veriut ndër vendet më të korruptuara në botë, sistemin selektiv gjyqësor, kapjen e fuqishme të shtetit etj., të gjitha këto janë një vargmal i listës së dështimeve të kësaj qeverie të brishtë dhe me këmbë të qelqta. Qeveria Zaev 2 është buzë gremisë së dështimeve më të mëdha historike të vendit tonë. Në asnjë sferë të shoqërisë nuk mund të shohësh as perspektivë, as progres dhe as sukses. Këtu gati çdo gjë ka dështuar dhe vetëm presim dita-ditës fundosjen e saj. Një qeveri e cila erdhi në pushtet me pretekst se do të jetë e barabartë me të gjithë dhe me konceptin “shtet për të gjithë”, tash po fundoset në korrupsion, mariuhanë, biznese familjare, bllokime në euro-integrime, në anën tjetër është kontesti me Bullgarinë, gjyqësia vazhdon të jetë monoetnike dhe selektive, duke i burgosur çdo ditë shqiptarët. Fatkeqësisht, pas ikjes së Gruevskit, në skenë kemi një regjim tjetër të ngjashëm si të Gruevskit, por me emër tjetër – “familja Zaev”. Mendoj se ashtu siç vite më parë e përcollëm Gruevskin në azil, ka ardhur koha që ta përcjellim edhe Zaevin, para se ky i fundit të ikë në Budapest ose diku tjetër.  

Sa i përket pyetjes suaj mbi rolin e opozitës shqiptare Alternativa & Aleanca për Shqiptarët, ajo është evidente dhe qytetarët e shohin qartazi betejën politike të këtij koalicioni. Koalicioni AAA-ASH, përkundër të gjitha trysnive dhe padrejtësive që po u bëhen qytetarëve, e veçanërisht shqiptarëve, është në ballë të betejës politike, ku çdo ditë po ngre zërin mbi padrejtësitë dhe qeverinë e brishtë. Përpos reagimeve, press-konferencave të përditshme, debateve dhe fjalimeve të ashpra në Kuvend dhe në media, koalicioni Alternativa-ASH, në asnjë rast nuk po rri duarkryq: në çdo protestë popullore është me qytetarët dhe pranë tyre – thjesht, në vijën e parë të frontit. Nëse keni përkushtim, besim dhe strategji, suksesi pa mëdyshje do të jetë në anën tuaj dhe besoni se ky ,koalicion i bazuar mbi këto tri premisa: përkushtim, besim dhe strategji, shumë shpejt do të ngadhënjej e do t’i japë fund këtij regjimi famëkeq e misterioz. 

3. Së fundmi, javë më parë, jeni zgjedhur kryetar i degës Strugë të Alternativës. Çfarë do të presim nga Alternativa në degën Strugë? A keni filluar punën me përgatitjet për zgjedhjet lokale të këtij viti? Kush mund të jetë kandidat i koalicionit Alternativa – Aleanca për Shqiptarët në Strugë?

Siç e dini, tashmë një kohë të gjatë partia politike “Alternativa” është në fazën e saj reformuese brenda strukturore në nivel republikan, duke i konsoliduar radhët e saj që nga Likova e deri në Strugë. Në kuadër të kësaj reforme strukturore, muaj më parë, edhe në degën e Strugës u konsoliduan strukturat partiake dhe u zhvilluan reformat e brendshme. Në bazë të këtij ndryshimi, delegatët e degës unanimisht më zgjodhën mua që të jem kryetar i degës së Alternativës në Strugë. Pas konsolidimit të degës sonë dhe pas shpërndarjes së detyrave në nivel të degës, Alternativa në Strugë ka filluar strukturalisht fuqishëm të shtrihet në terren.  Ne gati se i kemi përfunduar të gjitha ristrukturimet në nivel nëndegësh. Aktualisht po zhvillojmë kontakte dhe takime me grupe të ndryshme njerëzish, intelektualë, artistë, aktivistë të shoqatave joqeveritare, afaristë, personalitete publike me ndikim në vend, ndërsa së shpejti do të dalim para opinionit me ofertën tonë fituese për zgjedhjet lokale të tetorit.

Ashtu siç po funksion në nivel qendror koalicioni AAA-ASH, njashtu funksionojmë edhe në nivel lokal, duke u koordinuar dhe duke i bashkërenduar aktivitetet tona. Sa i përket asaj se kush mund të jetë kandidat i koalicionit tonë për zgjedhjet lokale në Strugë, mendoj se kjo ka pak rëndësi, edhe përkundër asaj se në opinion kanë qarkulluar emra të ndryshëm, secili më i mirë se tjetri. Sidoqoftë, çështja e kandidatit të Strugës do të vendoset mbi bazë të bashkëpunimit mes partive tona koalicionuese në nivel qendror dhe lokal, duke i shoshitur të gjitha argumentet e terrenit dhe të opinionit. 

Ajo që dua të vë në spikamë është se Alternativa po fuqizohet gjithandej në nivel republikan. Ashtu siç po rritet pesha jonë në zonën 6 zgjedhore, ashtu edhe po fuqizohemi edhe në zonën e 5-të zgjedhore. Për këtë dhe për shumë arsye tjera disa gjëra, për të qenë të suksesshme, duhet t’ia lëmë kohë, që vetë koha të jetë dëshmitare e suksesit. Sidoqoftë, Struga tash ka Alternativë, ndërsa alternativa fituese për Strugën është koalicioni AAA-ASH.  

In : Aktuale

Loading...
loading...