Gjendet i vdekur në dalje të Strugës një shtetas nga Shqipëria, ja kush është
Tridhjetë e nëntëvjeçari F.Sh. nga Peshkopia e Shqipërisë dje është gjetur i vdekur në një furgon në atarin e fshatit Livadhi të Strugës, kumtoi policia.
Ekspertizë në vendin e ngjarjes kanë kryer prokurori publik dhe një ekip i Stacionit policor Strugë. Më pas, është përcaktuar se F.Sh. ka qenë i angazhuar te D.R. nga fshati Livadhi si bari, ndërsa furgonin e ka shfrytëzuar si bujtinë. Në furgon është gjetur një ngrohës me gaz i cili është përdorur për ngrohje.
Me urdhër të prokurorit publik, mbi trupin është bërë obduksion, me ç’rast është konstatuar se F.Sh. ka vdekur nga helmimi me monoksid karbon. Trupi i personit të ndjerë, pas sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm për transport në Republikën e Shqipërisë, do t’i dorëzohet familjes.