Bexhet Asani
Vjen një kohë e thua: eh si ikin vitet..! Vitet ikin pa i diktuar, me mërzi pa mërzi, me shqetësim pa shqetësim, me dashuri pa dashuri! Dhe ja që nga koha e gjimnazit paskan kaluar rrumbullak 43 vjet! Nuk kam hallin sesa vjet kanë kaluar që nga vitet e rinisë, por doja që të kujtoja vitet e rilindjes së rinisë së fshatit Zagraçan. Mbase nuk kisha ndërmend të shkruaja për këto ngjarje kaq të rëndësishme kulturore që rizgjuan e gjallëruan katundin për dy vjet rresht, sikur të mos e kisha gjetur një fotografi nga ato vite, në arkivin tim. Ishin vitet e ndritur 1975-1976. Do të thoni ju: me të vërtetë ishin vite të ndritur!? Mbase shoqet e shokë e mi mund ta mohojnë apo ta pohojnë këtë! Ishin edhe s’ ishin! Le t’ ia nis atëherë rrëfimit.
Ne ishim gjimnazistët entuziastë: Bexhet Asani, Ibrahim Abedini, Metat Arifi, Qenan Emini, Mexhit Shazimani, Arif Sylemani, pastaj më të vegjlit Imri Demishai dhe Mustafa Demishai.
Atë kohë në trevën e Strugës dhe më gjerë ndiqeshin programet e RTSH, sidomos Televizioni shqiptar. RTSH-ja bënte propagandë të jashtëzakonshme kombëtare. Ne si të rinj shihnim programet kulturore, arsimore, sportive, politike që nga fillimi i programeve deri në fund. Programet kulturore ishin burim frymëzimi për ne të rinjtë e fshatit që i ishim qepur arsimit.
Në fillim, të them të drejtën e kishim të vështirë, tepër të vështirë. Çfarëdo aktiviteti që të bënim na mungonin femrat! Ne këtë e denim, prandaj duheshte të vrisnim mendjet tona se ç’ duhej të bënim!? Vendosëm që ta merrnim komedinë “Akraballëkët” të Kristo Floqit. Pse pikërisht këtë komedi!? Na pëlqenin shumë komeditë e tjera por të gjitha komeditë kishin personazhe femra..! E neve na mungonin femrat, jo pse ishte një fshat fanatik por… ishte një mentalitet i çuditshëm! Po të fillonim e t’ i lutnim vajzat që të luanin ndonjë rol në dramë, ato do të nguronin të vinin, thjesht e merrrnin si tallje, si lojë këtë punën tonë…!
Neve na vinin shoqet tona të klasave të gjimnazit për të luajtur rolet e personazheve femra si Duçi (pseudonim), Lulja, e disa të tjera që tani nuk më kujtohen emrat, e që për këtë do të më vijnë në ndihmë shokët e mi pasi ta lexojnë këtë shkrim..! As kjo nuk ishte zgjidhje. Ishte e pamundur që ato të vinin natë për natë në prova, problem ishte transporti i tyre nga Struga në Zagraçan dhe anasjelltas. Na duhej një zgjidhje afatgjate dhe jo e përkohshme..!
E morëm komedinë “Akraballëkët” e përshkruam me dorë të gjithë anëtarët e sipërshënuar sepse atëherë nuk kishte fotokopje. I ndamë rolet. Po ne ishim të vegjël. Duhej ndonjë më i moshuar të na udhëhiqte. Kërkuam ndihmën e arsimtarit të Gjuhës shqipe Shameran Mahmudit i cili, i hyri punës bashkë me ne me seriozitetin më të madh. Ai e bëri edhe regjinë e komedisë me përkushtim. Provat i bënim natë për natë te Pallati i Kulturës, e që banorët e fshatit e quanin “Dom-i” nga sllavishtja shtëpi. Domi ishte një ndërtesë gjigande për kohën e tepër moderne. Shtëpinë e Kulturës e kishin ndërtuar bashkëfshatarët tanë me forca vullnetare, me mundin dhe djersën e tyre në kohën e kolektivit më 1951.
Për aktivitetin tonë dhe për Shtëpinë e Kulturës, midis tjerash Islam Baftiari në librin e tij “Jeta në gur”shkruan fare pak te faqja 136 dhe për të vazhduar pastaj te faqet 504 -505 edhe pse e dinte se unë kisha qenë njëri nga protagonistët kryesorë të atij aktiviteti dhe të librit të tij:
“Domi” atëherë u ndërtua për nevojat e Kooperativës. Lokalet e katit të parë shërbenin për shitore dhe magazine, kurse kati i dytë për zhvillimin e aktiviteteve politico – shoqërore dhe kulturore. Aty më vonë u themelua edhe edhe një bibliotekë me një fond të vogël librash. Librat kryesisht ishin në formë të broshurave me përmbajtje nga fusha e bujqësisë dhe e blegtorisë (shën. im B.A.). Pastaj aty u sollën nja pesë garnitura shahu dhe lojëra të tjera, ku të rinjtë e kalonin kohën e lirë. Në sallë mbaheshin dhe organizoheshin aktivitete të ndryshme kulturore , si ndonjë shfaqje me program të kombinuar e modest me rastin e ditëve të festave që kremtoheshin në atë kohë (29 nëntori, Viti i Ri, 1 maji, 25 maji etj.). Aty nga vitet 70-ta u shfaqën edhe nja dy pjesë dramatike..! ”Vetëm kaq! Nja dy pjesë dramatike! Sa pak për gjithë atë mund e punë kolosale të gjimnazistëve dhe rinistëve të tjerë për ato dy vjet!
Këtë problem Islam Baftiari do ta prek edhe te faqet 504 dhe 505 të librit të tij, e si do të shohim më poshta ai i ngatërron vitet e këtyre aktiviteteve kulturore.
Iu rekëm punës dhe për një kohë relativisht të shkurtër jo vetëm qē e mësuam gjithë tekstin përmendësh por edhe e përgatitëm komedinë “Akraballëkët” të Kristo Floqit. Shfaqja u dha dy herë te korridorri i shkollës fillore “Baftiar Banushi” në Zagraçan, pas disa ditësh e shfaqëm te Shtëpia e Kulturës në fshatin Belicë e Poshtme. Mbresa nga ky fshat na lanë spektatorët, kur ne shqiptonim emrat e personazheve të komedisë: Nasi, Tasi etj., atyre u dukej sikur ne emërtonim bashkëfshatarët e tyre vllehë me të tillë emra!Nga skena dëgjonim: E Nasi tha! E Tasin e përmendi etj. Komedia pati sukses dhe duhej ta shfaqnim edhe në fshatrat tjerë të trevës së Strugës, por disa anëtarë të Komitetit na bojkotuan..!
Parashikimet tona patën sukses: që nga shfaqja e parë e Komedisë “Akraballëkët” vajzat e fshatit kur panë seriozitetin tonë, filluan të vinin rregullisht, u shtua numri aq shumë saqë ne s’ kishim vend gjatë provave se ku t’ i vendosnim. Aktiviteti ynë shpëtheu si vullkan. Vendosëm ta vëmë në skenë komedinë e të madhit zgoriot Andon Zako Çajupit “14 vjeç dhëndër”. Për këtë komedi na duheshin vajza pak më të rritura e jo nxënëse të tetëvjeçares e të gjimnazit! Një konsultë me Ibrahim Abedinin: duhet t’ i drejtohemi axhë Asllanit! Vajza e tij Ramie Demishai kishte kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike, pra ishte arsimtare e Gjuhës shqipe.E pamë të arsyeshme që Ramia të lunate rolin e Tanës. Meqë unë isha më i afërt me këtë familje: komshi të vjetër dhe komshi të rinj, bisedën e nisa i pari, pastaj u inkuadrua dhe Ibrahimi. Axhë Asllani një arsimdashës – autodidakt, e kishte parë komedinë “Akraballëkët” si duket i kishte lënë mbresa. Pranoi kërkesën tonë me kënaqësinë më të madhe. Ai mund të quhej për kohën intelektual i madh, i cili me mundin më të madh i shkolloi të gjithë fëmijët e tij!
Gëzimi ynë ishte i papërshkrueshëm. Tani kishim dy njerëz më të moshuar se ne. Pa u hamendur ndamë rolet: Tana – Ramie Demishai, Vangjeli – Ibrahim Abedini, Kotja – Beare Demishai, pastaj Xhevrie Saliu, Millonai- Mullisi – Bexhe Asani dhe rolin e fëmijës në djep, Prifti – Mustafa Demishai, Gjinoja – Triumf (Tufi) Baftiari etj. Ia filluam provave. Suksesi edhe më i madh se në komedinë e parë. Tanimë ishim “aktorë” me përvojë. Kostumografinë, skenën, muzikën vetë e përgatisnim. Mullirin e bëm nga kartoni – letër e trashë, hodhëm ca miell, 20 minuta incizuam gurin e mullirit duke bluajtur në Ladorisht, kur ecnim mbi banka, bankat lëviznin, kartoni lëkundej dhe mielli binte në korritën e miellit dhe dukej sikur me të vërtetë mulliri bluante..!
Komedinë “14 vjeç dhëndër” e shfaqëm dy herë, meqë korridori ishte i vogël, një natë e shfaqëm për burrat dhe një natë e shfaqëm për gratë. Të dy netët korridori nuk i nxinte as burrat as gratë. Interesimi ishte shumë i madh. Flitej me të madhe për suksesin e të rejave dhe të rinjve entuziastë.
Të dy komeditë i xhiroi biri i fshatit tonë Bexhet Biçaku, i cili atë botë punonte në Suedi. Bexhet Biçaku ishte një humanist e arsimdashës i papërsëritshëm. Bexhet Biçaku ky hero i arsimit dhe kulturës sonë, sa mirrrte vesh se të rejat dhe të rinjtë e fshatit Zagraçan do ta shfaqnin dramën siç i thoshin bashkëfshatarë tanë, pa u lodhur do të nisej nga Suedia për në fshatin e tij me veturë, udhëtonte me ditë e me natë si shqiponja disa mijëra kilometër dhe vetëm kur do ta shihnim me kamerën e tij, duke xhiruar. Ngazëllimi shihej në fytyrën e tij, në fytyrën e një mërgimtari plot mall. Nuk kam ndonjë të dhënë a ka mundur që t’ i ruante familja e tij ato filma që mund të llogariten thesar kulturor i fshatit Zagraçan. I gëzohej pa masë suksesit të bashkëfshatarëve të tij, aq më tepër suksesit të vajzave dhe djemve shqiptarë, qofshin ata të fshatit apo edhe më gjerë. Të cilët i ishin qepur shkollave dhe Universiteteve në Kosovë dhe në Maqedoni.
Puna jonë nuk kishte të ndalur. Veprimtaria jonë po arrinte majat e suksesit. Dalldisëm. I lamë komeditë me më pak personazhe. Kaluam në vepër kapitale. Ne rinistët të pandalshëm. Morëm guximin ta përgatisnim dramën e Kolë Jakovës “Toka jonë”. Rolin e Files e lunate Mirvet Biçaku dhe unë duheshte ta merrja domosdo rolin e Vatës. Ndryshe kushërira ime nuk do të pranonte ta lunate rolin e Files së dashuruar në Vatën. Ishte një rol negative që mua nuk më pëlqente! Rolin e Tuç Makut e lunate Ibrahim Abedini. Rolet e tjera nuk më kujtohen se kush i lunate. Provat me dramën “Toka jonë” vazhdonin me një ritëm të shpejtuar dhe zgjasnin ngandonjëherë edhe gjer më ora një të natës.
Si u shtua numri i anëtarëve, lindi ideja që të përgatitnim edhe një koncert me këngë e valle..! Kishte në fshat të reja e të rinj që kendonin e vallëzonin bukur. Grupin e këgëtareve dhe këngëtarëve e mori përsipër arsimtari i Biologjisë Shukri Zyberi, i cili kishte talent në muzikë dhe i binte për mrekulli harmonikës. Bukur këndonin të rejat e të rinjtë e fshatit. Më kujtohen vetëm dy vetë Mirvet Biçaku dhe Evzi Bajrami. Evzi Bajrami një talent në muzikë, por kur nuk e ushtroi dhe u shua si meteori..! Të tjerët nuk i kujtoj dot!
Shukriu kishte zgjedhur midis shumë këngëve edhe këngën “Oj, mollë e kuqe!” Këtë e këndonte bukur Mirveti dhe kishte insistuar që ta këndonte me mua. U befasova nga kjo kërkesë e saj! U befasova edhe nga kërkesa e Shukriut dhe Shameranit të cilët insistonin që unë të këndoja! Ishte e kot rezistenca ime: “Nuk di të këndoj..!”
Shkova te salla tjetër, ku mbaheshin provat me ata që kishin talent për të kënduar. Anëtarët e atij grupi u bënë gjith qejf se grupit të tyre iu shtua edhe një “talent” në muzikë..! Shukriu e bëri gati harmonikën, instrumentin e tij të preferuar, me një tingull të gjatë iiiiiiiiiii..! Dhe pastaj ia mori këngës “Oj, mollë e kuqe!” Më dha shenjë se duhej të filloja. Ia nisa. Ia nisa, po aq e zgjata “o-në” saqë edhe mua m’ u duk sikur pëlliste veshgjati..! Ika nga dhoma e talenteve të muzikës u futa te shoqet e shokët e teatrit, atje ku e ndieja veten mirë e më rehat, po atyre nuk iu tregova se ç’ kishte ndodhur..! Pastaj më vinte zor t’ i dilja përpara talenteve të muzikës..!? Më bëhej sikur do të talleshin në llogarinë time! Por jo, mua më dukej ashtu, asnjë nuk e përmendi ngjarjen me “o-në” time të stërzgjatur..!
Po bëheshim gati që ta përfundonim dramën “Toka jonë” dhe kur mendonim që ta shfaqnim na erdhi urdhër i prerë nga Komiteti: “Nuk mund të punoni më, e keni të ndaluar!” Mirë thonë i riu si veriu. Ne nuk e morëm me aq seriozitet këtë selam të njerëzve të Komitetit! I hymë punës për të përgatitur dokumentacioni e ta regjistronim një “Shoqëri Kulturore Artistike” siç quhej atëherë..! Komiteti nuk na bëri të mundur as edhe që ta regjistronim “Shoqërinë Kulturore Artistike”. Definitivisht aktiviteti dhe entuziazmi ynë, kur kishte arritur kulmin e suksesit u ndërpre si me sharrë. Një goditje e rëndë për ne gjinazitët entuziastë…!
Për ndërprerjen e këtij aktiviteti kulturor Islam Baftiari në librin e tij shkruan: “Komeditë do të shfaqeshin edhe në fshatrat e tjerë të rrethit të Strugës, por prapë i ndaluan organet e Komitetit Komunal të Lidhjes Komuniste. Kur aktivitetet e këtilla dhe të tjerë morën të mbarën, pushtetarët e atëhershëm me ndihmën e disa servilëve të Pushtetit Lokal, me metoda dhe marifetllëqe të ndryshme, i ndërprenë këto aktivitete si me sharrë, duke i kualifikuar ato si të dëmshme dhe shfaqje të elementeve nacionaliste e irredentiste që cenojnë “Bashkim vëllazërimin”. Prej asaj kohe e këndej çdo aktivitet që mbante pak “erë shqiptarizëm” që shprehte elemente të vlerave shpirtërore të kulturës dhe artit shqiptar ishte në censurë” (I Baftiari f, 505). Po në këtë faqe ai përmend emrat e dy shqiptarëve udhëheqës të kohës, të cilët ndërprenë këtë entuziazëm të rinistëve të Zagraçanit në vitin 1976.
Ne ishim të rinj, nuk ishimtë vetëdijshëm se UDB-ja jugosllave sy e vesh i kishte pasur te ne. Kishte ndjekur këmba këmbës aktivitetet tona titanike.
Kur mendoj tani për gjithë atë entuziazëm dhe aktivitet kulturor më duket çmenduri – rinore!