Gjykata që mbrojnë maqedonas, e dënojnë shqiptarë!


Të flasësh për një sistem të pareformuar që qenka ende i ndikuar nga politika dhe të mos përmendësh produktet e këtij deformiteti, siç janë rastet e montuara dhe të procesuara në mënyrë skandaloze nga ana e gjykatave të Maqedonisë së Veriut, paraqet ose mungesë vëmendjeje, ose ndonjë standard vlerësimi, të cilin ende nuk kemi arritur ta kuptojmë. Shumica e këtyre rasteve kanë për protagonistë shqiptarët si viktimë dhe askush në Bruksel nuk duhet të hezitojë ta quaj antishqiptar sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut

Nga Emin AZEMIStrugaLajm

Kjo çka po ndodhë me gjyqësinë, nuk është thjeshtë drejtësi selektive, por është aparteid klasik i një pushteti juridik, që papengueshëm ushtron dhunë institucionale mbi një pjesë të popullatës së këtushme, duke i veçuar ata mbi baza nacionale. Shqiptarët rregullisht marrin trefishin e dënimeve për raste të njëjta, ndërkohë që vrasësi me paramendim i vogëlushit Almir Aliu nga Kumanova, trajtohet si një aset kombëtar, për të cilin kujdesen gjyqtarë e prokurorë, vetëm e vetëm ai të shpallet një kundërvajtës trafiku, për çka shpërblehet me gjashtë vite burg.StrugaLajm

Sikundër dihet, në vitin 2014 në lagjen Gjorçe Petrov të Shkup, Naser Eshtrefi, në vetëmbrojtje theri me thikë të riun maqedonas Angel Petkovskin. Ndonëse gjatë procesit gjyqësor, Naseri kishte deklaruar se thika me të cilën e ka kryer vrasjen ka qenë e të ndjerit Petkovski, i cili i pari e ka sulmuar, kjo nuk mjaftoi që Gjykata Penale e Shkupit, por edhe ajo e Apelit, të kenë mirëkuptim ndaj shpjegimeve të Naserit, dhe për rrjedhojë – atë e dënua me 14 vite heqje lirie, kurse sot e gjithë ditën thika asnjëherë nuk u gjet.
Se gjykatat e këtushme mbrojnë vetëm interesat e popullatës maqedonase, flet edhe rrëmuja e pandëshkuar që qe shkaktuar në lagjen Gjorçe Petrov pas vrasjes së të riut maqedonas. Në këtë rrëmujë, ngjashëm me skenat e trishta të Ku Klux Klan, patën pësuar dhjetëra prona e biznese të shqiptarëve, të cilat u dogjën e u shkrumbuan, mirëpo me zhdëmtimin tyre asnjë gjykatë vendore nuk u mor.
Javë më parë, dy të rinj shqiptarë, Besir Bela dhe Skender Demiri, u dënuan me 38 vite burg për veprën penale “vrasje mizore”, e cila gjatë rrjedhës së procesit gjyqësor, asnjëherë nuk u vërtetua si e tillë. Prokuroria e Shkupit në këtë rast, përleshjen e zakontë mes Beles dhe Demirit nga njëra anë dhe të ndjerit Nikolla Sazdovski, nga ana tjetër, të cilën fillimisht e kualifikoi si “dhunë”, por nga presioni publik dhe politik i palës maqedonas të njëjtin rast e rikualifikoi në vepër më të rëndë penale – “vrasje mizore”.
Çka janë këto gjykata që mbrojnë maqedonas e dënojnë shqiptarë? Kush duhet të ndërhyjë që ky sistem i çoroditur i drejtësisë të marrë fund? Qytetarët përmes organizimeve të lira këtë nuk munden ta bëjnë, për arsye se këtu edhe protestuesit shqiptarë dënohen.
Se Maqedonia ka sistem drejtësie të pareformuar, këtë e dinë edhe zogjtë e malit, por kjo nuk mjafton të mbetet vetëm në suaza të konstatimeve dhe më së paku të heshtet nga ana e Brukselit dhe raporteve të tij të Progresit për Maqedoninë e Veriut.
Si ka mundur t’iu shpëtojë “rasti i Almir Aliut” autorëve të Raportit të Progresit? Si ka mundur t’iu shpëtojë “rasti Monstra”, “Rasti Alfat”, “Sopoti”…?
Raporti i Progresit i Komisionit Europian këto dy-tre vitet e fundit ka pasur mjaft vërejtje dhe ato lidheshin kryesisht me stadin e ulët të reformave dhe me ndikimin e politikës në gjyqësor. Por në këto Raporte askund nuk u adresuan kritika konkrete sa i përket proceseve të montuara, të cilat kanë qenë me bollëk këto vite. Të flasësh për një sistem të pareformuar që qenka ende i ndikuar nga politika dhe të mos përmendësh produktet e këtij deformiteti, siç janë rastet e montuara dhe të procesuara në mënyrë skandaloze nga ana e gjykatave të Maqedonisë së Veriut, paraqet ose mungesë vëmendjeje, ose ndonjë standard vlerësimi, të cilin ende nuk kemi arritur ta kuptojmë. Shumica e këtyre rasteve kanë për protagonistë shqiptarët si viktimë dhe askush në Bruksel nuk duhet të hezitojë ta quaj antishqiptar sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...