Ai është i dënuar, nuk ka dokumente dhe kërkohet në vendlindje, sepse e ka mashtruar shtetin duke i marrë shumë para. Ai është kreu i një klani kriminelësh dhe me gjasë duhet të ketë në zotërim disa telefona smartphone. Ai ka shkuar ilegalisht në Budapest dhe ka kërkuar azil, për t’i ikur një dënimi prej dy vjetësh në vendin e tij.
Viktor Orban e pranon krahëhapur këtë refugjat kriminel. Sepse bëhet fjalë për mikun e tij dhe shokun e idealit, Nikola Gruevski që 10 vjet drejtoi fatet e Maqedonisë, si kryeministër.
Orbani thotë, ai nuk do refugjatë, që nuk përshtaten me kulturën hungareze. Por Nikola Gruevski i shkon shumë për shtat kulturës së Orbanit. Të dy janë autokratë, që brenda pak vitesh i kanë shkatërruar strukturat demokratike, të drejtat qytetare dhe lirinë e shtypit në vendet e tyre. Të dy janë të korruptuar, dhe i kanë bërë shumë të pasur disa miq apo anëtarë të klaneve të tyre. E të dy luftojnë kundër ardhjes së refugjatëve dhe punojnë me teori komplotiste.
Bagazhi që Gruevski mori me vete në Hungari…
Në vitin 2014 ishte Gruevski ai që luftoi, që Maqedonia të shpallej “vend i sigurtë origjine”, po duket se tani ai vetë nuk e po quan vend të sigurtë. Ishte po ai që në marsin e vitit 2016 mbylli kufirin me Greqinë duke e mbyllur kështu edhe itinerarin e Ballkanit. Për këtë atij i shtrohej qilimi i kuq nga konservatorët e populistët e djathtë në Europë. Kancelari austriak, Sebastian Kurz fluturoi madje në Shkup për të bërë fushatë për të. Në një kohë që lista e akuzave kundër Gruevskit ishte e gjatë. Ai lejoi përgjimet ilegale të dhjetëra mijëra qytetarëve, burgosi gazetarët kritikë, u përpoq të fshihte vdekjen e një të riu, që u eliminua nga forcat e sigurisë, dhe madje edhe për vetë marrëdhëniet “ballkaneze” ishte shumë i korruptuar.
Viktor Orban nuk e vret shumë mendjen për këtë – përkundrazi. Në maj mediat e afërta me Orbanin blenë disa mediat maqedonase, që atëherë u bien daulleve për Gruevskin. Njeriu që mbylli itinerarin e Ballkanit është vetë një migrant ilegal. Pasaporta e tij u konfiskua nga autorietetet maqedonase për shkak të rrezikut të arratisë, prandaj atij iu desh të kontrabandohej me disa automjete diplomatike hungareze nëpër disa kufij. Ligjet që bëjnë populistët e djathtë me sa duket nuk vlejnë për vetë ata.
A mund t’i ndodhte kjo Nikola Gruevskit?
Sepse nëse Nikola Gruevski do të ishte vetë një refugjat normal, nuk kishte pse të hynte në Hungari. Ai duhet të priste në qendrën e tranzitit në kufirin serb derisa të vendosej për kërkesën e tij. Kërkesa do të refuzohej, sepse ai nuk mund të paraqiste një pasaportë të vlefshme udhëtimi. Ndoshta Gruevski do të ishte përpjekur në një rast të tillë të udhëtonte ilegalisht përmes Bosnjes deri në kufirin kroat. Por atje ai do të ngrinte nga të ftohtit në çadrat e improvizuara dhe do të ishte i varur nga aktivistët që ndihmojnë refugjatët, të cilët ai dhe miqtë e tij populistë i kanë kriminalizuar dhe i kanë ndjekur penalisht.
Ndërkohë që në përpjekjen për të kaluar kufirin kroat, mund të kishte ndodhur që policët kroatë t’i kishin thyer ndonjë këmbë, ose mund ta kishin qëlluar, si më 31 Maj, kur u qëllua me armë ndaj një autobusi duke u plagosur dy fëmijë.
Por sigurisht të gjitha këto nuk do t’i ndodhnin, Nikola Gruevskit, sepse ai nuk është refugjat lufte, por një kriminel me influencë. Një autokrat i korruptuar, që ka vjedhur popullin e tij dhe që tani i trembet burgosjes.
Një shaka?
Nikola Gruevski madje ka futur në politikë teorinë më të dashur komplotiste të Viktor Orbanit, ajo që miliarderi hebre, George Soros në prapaskenë lëviz fijet, që të islamizojë Europën përmes emigrantëve. Orbani e bëri të tijën këtë narrativë dhe si temë kryesore të fushatës së fundit elektorale. Pra burri i dikurshëm i fortë i Maqedonisë, ka dëmtuar keqazi jo vetëm vendin e tij, por ka futur në sallonet e politikës një teori antisemitiste komplotiste. Prandaj mund të paramendohet se trajtimi i kërkesës për azil mund t’i sjellë favore…
Mendoni se kjo është shaka? Jo nuk është. Kur një zëdhënës i partisë hungareze, Fidesz u pyet për Gruevskin, ai tha “Hungaria u ofron të gjithë të përndjekurve mbrojtje, dhe Nikola Gruevski kërcënohet nga qeveria maqedonase, që ndodhet nën influencën e George Sorosit.”
Rasti Gruevski hedh dritë mbi një problem bazë të demokracive në Europën Lindore. Pushtetmbajtësit në Hungari, Rumani, Bullgari, Serbi, Mal të Zi e vende të tjera janë të korruptuar e duhet të llogarisin një ditë që edhe mund të burgosen, nëse pushteti i tyre merr fund. Prandaj ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, që të mbajnë postet e tyre, pa e çarë kokën për shtetin ligjor e demokracinë. Viktor Orban dhe Nikola Gruevski janë të dy tipi i këtij politikani dhe prandaj është logjike që njëri i hap krahët tjetrit, edhe kur nuk është ndonjë mik i madh i refugjatëve.
Krsto Lazarević ka lindur në Bosnjë -Hercegovinë dhe si fëmijë ka ardhur refugjat në Gjermani bashkë me familjen. Sot ai jeton në Berlin, punon si gazetar dhe publicist dhe shkruan për media të ndryshme në gjuhën gjermane./Deutche welle