Haxhiqamilistët-Arben Taravari

Emri i çdo kombi është institucion që sa më i lashtë të jetë, aq më i konsoliduar është, ndaj kjo çmenduri haxhiqamiliste do kthehet shpejt në një tentativë të dështuar, por edhe shumë të pakuptueshme e disa njerëzve që mohuan veten, u kthyen në shifra! Sakrificën e bënë në emër të bashkëjetesës ndëretnike, naiv deri në atë pikë sa të mendojnë se të tjerët do besonin hipokrizinë e tyre. Është aksiomatike që kush nuk do veten, nuk mund të dojë asnjë!

Nga Dr.Arben TARAVARI

Nuk e di saktë e ndoshta nuk është aspak me rëndësi se kujt i shkoi mendja i pari që popullin shqiptarë ta quante 20%! Nuk e di nga erdhi kjo damkë, zymtim, shifrim i menjëhershëm i një populli të tërë?!

Nuk di të kishte ndodhur më parë ndonjëherë që brenda një dite, një ore mbase, ose një shkrepje neuroni, një popull, papritur të konsiderohej një shifër. Shifra është edhe më interesante në vetvete, ajo nuk lodhet të numërojë kokë për kokë, si të paktën numërohen bagëtitë (kokë delesh, qengjash, kecash etj), jo! Numërimi një nga një i shqiptarëve në Maqedoni do hapte hesape të tjera për pushtetarët jo dhe aq maqedonas, por të mëdha do ishin telashet për pushtetarët shqiptarë. Në këtë shtet ku historia e freskët na tregon se matematika nuk është pika e tyre e fortë (shumë para të taksapaguesëve nuk ishin numëruar mirë nga shteti dhe madje dolën hajdutë), papritur i besuan prapë matematikës!

Dhe çfarë matematike?!  Matematika e përqindjeve! Kështu një popull i tërë, i masakruar ndërshekuj, vendali, i kapur shpesh prej flokësh e leckash, i quajtur dramatikisht shqiptar, u zhvlerësua menjëherë në tregun e emrave, dhe u pagëzua thjesht 20%! Ky llagap i ri dukej si zbulim i atyre që ngelën në lëndën e shifrave, i atyre që mendonin se në NATO shkohet duke vjedhur, varfëruar popullin, tashmë për habinë e vet maqedonasve, këta pushtetarë shqiptarë në mos autor, ishin pranues të ç’emërtimit të tyre! Trokitën gotat me njëri tjetrin, ju llamburiste fytyra tek festonin, madje dhe kur nuk u thirrën më në emrat e tyre, por u quajtën të gjithë 20%a, ata prapë festuan me këngë e valle shqiptare!

Emrin e popullit të tyre e pinë me verë brenda një natë, dhe tashmë thonë: të na rrojë populli 20%-ësh! Flamuri i kombit të tyre i shikon me inat! Shqiponja duket sikur do shkëputet e do i sulmojë këta qafirë kombmohues! Edhe maqedonasit, edhe ata po habiten me këta haxhiqamilista, madje edhe më keq se kaq! A e dini kush ishte Haxhi Qamili?StrugaLajm

Haxhiu që dhashtë Zoti edhe e fal, ishte një fshatar nga katundet e Tiranës, i cili kur Shqipëria do të fillonte përvojën e saj të parë si shtet sovran, me të gjitha nishanet, ky burrë ose më mirë mashkull, se meshkuj ka sa të duash kurse burra shumë pak, ky mashkull u çua me një grup gjysëmmeshkujsh dhe vriste e priste cilindo shqiptar që donte Shqipërinë e Lirë! U habit bota me këtë komb që quhej i tillë, komb pra, por nuk donte të ishte! Që kishte luftuar kundër një zgjedhe disa shekullore, por tashmë nuk donte liri, nuk dinte të ishte i lirë, kishte frikë të ishte i lirë!

Kështu këta pasardhës së Haxhi Qamil tradhtarit na kanë bërë anekdotë të çdo institucioni. Kanë mbetur pa fjalë që një parti që përfaqëson popullin në pushtet, vendosi të dakordohet të lejë pa emër vet popullin e saj! Jam personalisht i bindur që Perëndimi do e rregullojë këtë marrëzi të haxhiqamilistëve, pasi nuk mundet kurrë të zhdukësh një emër që ka marrë shekuj, jetë, ëndrra njerëzish për t’u formuar!

Emri i çdo kombi është institucion që sa më i lashtë të jetë, aq më i konsoliduar është, ndaj kjo çmenduri haxhiqamiliste do kthehet shpejt në një tentativë të dështuar, por edhe shumë të pakuptueshme e disa njerëzve që mohuan veten, u kthyen në shifra! Sakrificën e bënë në emër të bashkëjetesës ndëretnike, naiv deri në atë pikë sa të mendojnë se të tjerët do besonin hipokrizinë e tyre. Është aksiomatike që kush nuk do veten, nuk mund të dojë asnjë!

Ndaj dokrrat e tyre kinse proevropiane nuk i hëngri askush, këto fruta të helmuara i shijuan vetëm disa maqedonasve, viktima të doktrinave shekullore anti-shqiptare, pasi shumica e maqedonasve ju vjen për të qeshur e për të qarë me haxhiqamilistët, që janë gati të mohojnë veten e tyre, ta zhdukin. Ata pranuan në mos propozuan që tashmë çdo fjalim që i drejtohet popullit të nisë kështu: “I dashur populli i Maqedonisë dhe të dashura shifra…nc…e frikshme, Ajnshtajni ka të drejtë: Budallallëku njerëzor nuk ka fund!”.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...