Heroizmi i Azbie Dautit nga Dollogozhda

…Dollogozhdë o vënd i thatë,
çfarë të la ti mëmë e atë
një grusht dhe pushkën e gjatë…

Agim Dauti

Tregimi i parë
Si ruhet pragu
(heroizmi i Azbie Dautit)StrugaLajm

     Në trojet shqiptare kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme historike. Për fat të keq ato nuk janë shkruar ose shumë pak prej tyre janë shkruar vetëm me dy fjalë. Ajo që është me rëndësi dhe për t`u respektuar është se ato ngjarje janë përcjellë brez pas brezi që të mos harrohen. Për shumë ngjarje të tilla janë kënduar edhe këngë në odat shqiptare, nëpër dasma dhe në raste të tjera gëzimi. 
     Këtë ndodhi e kam dëgjuar prej më të moshuarve të familjes Dauti, prej bijëve por edhe prej nipave të Azbie Dautit. Ngjarja është krejtësisht e vërtetë.

Në këtë kohë janë mundësitë që ato të shkruhen ashtu siç janë treguar nga të parët tanë, qoftë edhe me ndonjë shtesë, sepse unë mendoj se nuk do të gabohet, por përkundrazi do të ngelet në historinë e shkruar. E di që dikush do të kundërshtojë për shumë arsye, por unë shkruaj për atë çfarë kam dëgjuar dhe në qoftëse dikush mendon se nuk është e vërtetë le ta kundërshtojë, por jo kundër së të vërtetës. Të tjerët nuk kanë histori, dhe nga asgjëja krijojnë histori, mite, trima dhe legjenda, kurse ne heshtim!
Ngjarja ka ndodhur në vitin 1913. Ka qenë muaji shtator ose tetor, kur kryengritësit shqiptarë i dolën ushtrisë serbe në Petrinjë për të ndaluar sulmin e saj dhe okupimin e trojeve shqiptare. Pas një rezistence të fortë, por me numër më të vogël ushtarësh, me armatime dhe municione të pakta, thyhet kryengritja shqiptare dhe ushtria serbe hyn në trojet shqiptare duke vrarë, ndjekur e plaçkitur. Edhe dollogozhdarët si dhe shumë burra të fshatrave përreth morëm pjesë në atë kryengritje. Disa prej tyre u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.
Ushtria serbe sulmoi Koroshishtën, kapi disa burra, i lidhi duke i marrë me vete drejt rrugës për në Dollogozhdë. Nga larg dëgjoheshin krisma. Atëhere në Dollogozhdë u dha alarmi. Dikush ikte dhe të tjerë tentuan të bëjnë ndonjë rezistencë të vogël.
Azbia ishte bijë Vlashi nga Veleshta e martuar me Pervizin në fisin Dauti. Në atë kohë ishte nuse e re dhe thonë se ka qenë shumë e bukur. Atë ditë Azbia ka qenë duke bërë punët e shtëpisë e duke larë rroba në oborr. Foshnjën Ristemin e ka patur në djep, aty në oborr. Burrat e familjes kishin dalë për të bërë punët e veta ose kishin ndonjë angazhim tjetër. Azbia duke bërë punët herë pas here ngrihej në këmbë dhe dëgjonte krismat e pushkëve që vinin nga larg. Ndjeu se ato po afroheshin. E pa foshnjën përsëri në djep dhe vijoi punën. Nga momenti në moment krismat po dëgjoheshin afër e më afër. Përsëri e pa djalin në djep dhe në çast mendoi shumë gjëra.
Jo, – tha me vete! Nuk do të iki! Do të rri në shtëpi edhe pse e dinte se nuk kishte ku të shkonte.
U ngrit në këmbë dhe dëgjoi hapa ushtarësh dhe zëra të huaj që dëgjoheshin fare afër. Mori djepin me shpejtësi, hyri në shtëpi dhe i vuri shulin derës.
Dera e madhe u hap me nxitim. Në oborr hyri oficeri serb hipur mbi kalë. Me hapat e ngadalshme të kalit i afrohej shtëpisë duke bërtitur me disa fjalë që Azbia nuk i kuptonte. Ai qëndronte mbi kalë dhe duke shikuar nga shtëpia. Shumica e shtëpive të asaj kohe ishin një katëshe, të mbuluara me kashtë thekri. Shtëpi dy katëshe kishin vetëm ata që ishin më mirë ekonomikisht, me bagëti dhe toka ku mbillnin grurë.
Shtëpia e Pervizit ishte me dy kate dhe një taracë me dërrasa në katin e dytë. Familja e tij ishte mirë nga ana ekonomike. Azbia u bë kureshtare dhe doli në taracë. Oficeri serb e dalloi atë. Zbriti me shpejtësi nga kali duke nxjerrë revolen dhe shkoi para derës hyrëse duke e qëlluar me shkelma duke bërtitur. Azbia qëndronte në katin e dytë, aty ku e kishte edhe foshnjen në djep duke dëgjuar ulërimat e eprorit serb. Pasi e kuptoi se nuk mund ta hapte derën, ai hipi mbi kalë duke iu afruar taracës që të kapej pas saj dhe të hipte në taracë.


Azbia nuk i dëgjoi më ulërimat e oficerit serb dhe zhurmën e shkelmave në derë. Ajo doli përsëri në taracë për të parë se çfarë po ndodhte? Azbia e pa oficerin serb se kishte vendosur duart tek dërrasa e taracës dhe tentoi të hipë nga kali në taracë. Ajo kapi me shpejtësi sopatën që kishte afër dhe e qëlloi serbin tek duart. Ai duke bërtitur dhe ulëritur nga dhimbja kërkonte ndihmë. Në oborr hynë katër ushtarë serbë me pushkë në duar. Dy prej tyre u afruan afër eprorit të tyre kurse dy të tjerët shtynin me forcë derën hyrëse duke e goditur me shkelma për ta hapur që të hynin brenda. Azbia rrinte e strukur në një qoshe pranë djepit, por sopatën nuk e lëshonte nga dora. Nga tehu i sëpatës pikonte gjak.
Jashtë u dëgjuan ca zëra të tjerë dhe urdhëra të tjera të ushtarakëve serbë. Shkelmat mbi derë u ndalën. Po ashtu pushuan edhe zërat në oborr. Ajo doli ngadalë përsëri në taracë dhe pa, se ushtarët po largoheshin nga oborri. Ata e morën me vete edhe eprorin e tyre të plagosur. Azbia i hodhi një sy oborrit dhe pa aty kalin e oficerit serb. Qëndroi edhe për një kohë e strukur dhe doli.
Tregonin më të moshuarit se kali i ushtarakut serb edhe disa ditë pas asaj ngjarjeje ka shëtitur nëpër Dollogozhdë i shaluar.
Azbia dëshmoi se si mbrohet pragu i shtëpisë nga agresori serb. StrugaLajm

Redaktoi: Violeta Allmuça


Loading...
loading...