BLENDI PETROL
Aktuale

Historia e shqiptarëve që kanë lyer Shtëpinë e Bardhë

Mes shqiptarëve në Amerikë gjen personazhe e histori nga më interesantet.

Marash Elezaj me prejardhje nga Ulqini së bashku me vëllezërit e tij kanë pasur fatin e rrallë që të merreshin me lyerjen e Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë edhe mjediset ku punon presidenti Donald Trump, si dhe ato private ku jeton familja e tij,

Kontrata të tilla nuk i jepen çfarëdo kompanie. Mirëpo, në këtë rast, bëhet fjalë për një nga më të mirat në këtë biznes, një që në listën e saj të klientëve përfshinë personazhe të mëdhenj të jetës amerikane, institucione të njohura të politikës e biznesit.

Njeriu që drejton këtë kompani dhe që është besuar për lyerjen e ndërtesës më të rëndësishme në SHBA është Marash Elezaj, me prejardhje nga Ulqini, me banim në New York. Disa mund ta njohin si babanë e këngëtares së re, Kristina Elezaj, e njohur mes fansave të saj si “Kebe” dhe e prezantuar në botën e muzikës amerikane nga legjendat e shtëpisë diskografike “Motown”, Nick Ashford dhe Valerie Simpson.

Vetë Marash Elezaj është një njeri i qetë, i cili sukseset ia dedikon babait Zef Gjon Elezajt, ardhur nga Ulqini në Amerikë më 1970. Babai i tij, pasi mësoi mirë punën e bojatisjes, në më pak se dy vjet hapi kompaninë “Elezaj LTD”, e cila që nga ajo kohë ka njohur vetëm suksese.

“Babai qe një punëtor i palodhur, me aftësi të jashtëzakonshme në profesionin e tij. Ndonëse ka vite në pension, edhe sot mua dhe dy vëllezërve na jep këshilla shumë të vlefshme, të cilat na ndihmojnë të kemi sukses në punën tonë”, thotë Marashi, në një intervistë për “Illyria”.

Një nga këshillat e babait të tij është: Jepi klientit më shumë se sa që ai pret.

“Si shqiptar, ai kurrë nuk u dorëzua. Pasi nënshkruante kontratat dhe u jepte fjalën klientëve, ata gjithmonë ndaheshin të kënaqur me punën e tij. Ne po vazhdojmë të punojmë sipas mësimeve të tij”, thotë Marashi.

Klientë të kompanisë së tij janë figura të shquara të artit, sportit, biznesit e politikës. Disa prej tyre janë yje të muzikës si Madonna, Mick Jagger, Bon Jovi, Paul Simon, Billy Joel etj. Kompania e tij, përveçse në New York, ka bërë punë edhe në shtete të tjera, si në Dallas (ku ngjyrosi shtëpinë e pronarit të Texas Rangers), në Florida, Utah, New Mexico e deri në Bahame.

Kompania “Elezaj LTD” nuk ka website siç kanë shumë kompani të njohura. Ajo nuk ka bërë kurrë reklamë në gazeta, radio e TV. Emrin e madh e ka krijuar me kualitet e punë të përkryer. Një klient i kënaqur e rekomandon këtë kompani te një tjetër dhe kështu numri është i klientëve shtohet vazhdimisht.

Ka qenë ky zinxhir rekomandimesh që në vitin 2009 ka bërë që të marrë një kërkesë të pazakontë: të lyejë banesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një moment vlerësimi profesional dhe njerëzor, një shprehje e konsideratës për punën e vëllezërve Elezaj dhe e besimit maksimal për kompaninë e tyre.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button