BLENDI PETROL
AktualeOpinion

TALLJE AKADEMIKE-Agim VINCA

Agim Vinca

(Shkas: Botimi i librit “Poetët akademikë. Antologji e poetëve anëtarë të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe të Arteve” nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës)

Në vitin që lamë pas (2017), doli nga shtypi, në botim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, libri me titull “Poetët akademikë”. Titull pak i çuditshëm, i pazakonshëm: “Poetët akademikë”! Se ç’përmban ky libër mësojmë nga nëntitulli i tij: “Antologji e poetëve anëtarë të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve”.

Në një shënim të vënë në frontespic (pas ballinës), thuhet se ky libër, sikurse edhe një libër tjetër, për të cilin do të themi ndonjë fjalë më poshtë, qenka fryt i një marrëveshje mes dy akademive: Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, që parashihka “veprimtari të përbashkëta shkencore”.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) duket se ka marrëdhënie të mira, madje shumë të mira, me Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (AMSHA) dhe këtu s’ka asgjë të keqe, sepse askush nuk është kundër bashkëpunimit midis këtyre dy akademive, ASHAK-së dhe AMSHA-së, sikundër as kundër bashkëpunimit me institucionet e tjera të ngjashme në rajon. Mirëpo, ja që dardha, si thuhet, e ka bishtin mbrapa. Për mendjen që mendon, ky bashkëpunim, pra bashkëpunimi i dy institucioneve më të larta shkencore të dy vendeve fqinje dhe posaçërisht realizimi i “projekteve të përbashkëta”, nëse mund të quhet i tillë ky për të cilin e kemi fjalën, shtron disa pyetje dhe dilema.

Pikë së pari, emri i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve (në origjinal: Makedonska akademija na naukite i umetnostite) nuk është në rregull dhe si i tillë është fyes, para së gjithash për shqiptarët e Maqedonisë, por edhe për bashkësitë e tjera etnike që jetojnë në këtë vend. Po qe se në Republikën e Maqedonisë do të zhvillohej një politikë më e drejtë kombëtare, dje dhe sot, ky institucion do të quhej: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë e jo Akademia Maqedonase e Shkencave dhe e Arteve, me parashenjë nacionale! Sepse ajo, sikurse edhe vetë shteti, u takon edhe bashkësive të tjera etnike që jetojnë në Maqedoni e jo vetëm “maqedonasve”.

Po të ishin në nivel të detyrës akademikët tanë, këta të Kosovës (sikundër edhe ata të Shqipërisë), do të duhej të kërkonin nga kolegët e tyre maqedonas që ta rishikojnë dhe, pse jo, edhe ta modifikojnë pak emrin e këtij institucioni, konform realitetit etnik të shtetit që përfaqëson ai dhe në përputhje me kontekstin e ri historik të krijuar në Maqedoni dhe në rajon, e jo të bëjnë me ta marrëveshje për botime qesharake si ky për të cilin e kemi fjalën.

E fjala është për librin “Poetët akademikë”, në të cilin janë përfshirë, me krijimet e tyre, 11 poetë (sa një skuadër futbolli!), anëtarë të AMSHA-së, që të gjithë maqedonas, nga i pari tek i fundit!

Po të ishte, qoftë edhe një grimë, në nivel të detyrës Akademia jonë, kjo e Kosovës (sikundër edhe ajo e Shqipërisë), do të duhej të shtronte pyetjen: përse në Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve nuk ka asnjë poet shqiptar? Asnjë për farë! A nuk ka poetë shqiptarë në Maqedoni që do të meritonin të hynin në këtë “tempull”? Ka pasur dje dhe ka edhe sot, por injorohen nga hegjemonizmi maqedon, ashtu siç injorohet, me dekada, edhe gjuha në të cilën shkruajnë ata dhe siç margjinalizohet në vazhdimësi kultura të cilës i takojnë: kultura shqiptare.

Redaktor i këtij libri është, kush tjetër, pos Ali Aliu, kurse poezitë “i rikëndoi” (kalk i maqedonishtes: “gi prepeal”; shqip thuhet “i shqipëroi”), kush tjetër, pos Resul Shabani. (Kanë vdekur Adem Gajtani e Sejfedin Sulejmani, kanë mbetur Ali Aliu e Resul Shabani).

Po, përse ky libër, kaq i kushtueshëm (me letër cilësore, me kopertina të forta, me mbështjellës etj.) dhe kujt i duhet ai?

Në vend se të shfrytëzohen mjetet nga buxheti i shtetit për botimin e letërsisë sonë në botë, harxhohen mjete kot për botimin e “poetëve akademikë maqedonas”, shumica e të cilëve i janë prezantuar edhe më parë lexuesit shqiptar me libra me poezi të zgjedhura, kurse që të gjithë, pa përjashtim, janë përfshirë edhe në antologjitë e poezisë maqedonase të botuara në gjuhën shqipe në Shkup, në Tiranë dhe në Prishtinë. Përse ky duplifikim e multifikim? Për të afirmuar vlerat shpirtërore të dy popujve fqinj që të njihen më mirë, apo për të kënaqur sedrën dhe xhepin e atyre që këtë punë e kanë shndërruar në biznes?

I dështuar para së gjithash si koncept (poezia kurrë nuk është identifikuar me akademitë e shkencave; poetët aq më pak!), ky botim është krejt i kotë dhe i panevojshëm.

Askund në botë nuk bëhen botime të tilla (me këtë koncept), pos në provincën tonë ballkanike, në të vërtetë kosovaro-maqedonase. (Është i pashmangshëm në këtë rast asociacioni me brigadën partizane “maqedono-kosovare”, të cilin e zgjon ky botim 70 e sa vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore!).

E di se ideatorët e kësaj “antologjie” e kanë përgjigjen në majë të gjuhës: fjala është për një projekt reciprok: ne i botojmë ata në Prishtinë, ata na botojnë ne në Shkup. Fifti-fifti, brate mili, si esnafë të vërtetë!

Në shënimin hyrës të këtij libri, një tekst konfuz prej disa rreshtash, thuhet se Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, do të botojë, konform marrëveshjes, librin me titull: “Antologjia e poetëve dhe tregimtarëve anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”. (Në radhë janë kritikët letrarë, të cilët tani për tani kujdesen për kolegët e tyre vjershëtarë e tregimtarë).

Nuk e di a ka dalë ky libër në Shkup, kush krejt ka hyrë në të dhe kush i ka përkthyer poetët dhe tregimtarët tanë akademikë në gjuhën maqedonase (sigurisht po ai që i ka “rikënduar” në shqip poetët maqedonas), por parimi i reciprocitetit është respektuar, veçse në mënyrë pak asimetrike. Sepse në “brigadën letrare kosovare”, ndryshe nga ç’ndodh me atë maqedonase, paskëshin hyrë, përveç poetëve, edhe “tregimtarët”! E kuptueshme. Akademia jonë nuk ka aq poetë sa për të bërë një libër, kurse poetët anëtarë të saj, me ndonjë përjashtim, lënë për të dëshiruar në planin artistik (disa nga poetët më të mirë të Kosovës si Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti e të tjerë nuk u bënë kurrë akademikë!), kështu që përpiluesit e paskëshin parë të udhës t’i bëjnë bashkë poetët dhe tregimtarët ashakas, duke i futur në të njëjtin thes antologjik.

Kryesore është të mos dështojë “projekti”, i cili qenkësh “inicuar që në pranverën e vitit 2012, në një takim të delegacioneve të të dy palëve, të kryesuara nga kryetari i ASHAK, Akademik Hivzi Islami dhe kryetari i atëhershëm i AMSHA Vllado Kambovski”.

Sevda e madhe kjo midis këtyre dy akademive: ASHAK-ut dhe AMSHA-së, pakrahasueshëm më e madhe sesa ajo me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë! Botimi i antologjive të ndërsjella me poetë (dhe tregimtarë) akademikë është dëshmi e kësaj idile.

Drejtuesit e Akademisë sonë gjejnë gjuhë të përbashkët me drejtuesit e simotrës së saj maqedonase në Shkup, por jo edhe edhe me ata të motrës së saj shqiptare në Tiranë! Si ka mundësi që Shkupi të jetë për ta më afër se Tirana, jo në kuptimin gjeografik, por në atë “shkencor-artistik”, në mos edhe politik? Tiranës ata i mbajnë mëri, Shkupit jo.

Mos vallë akademikët tanë vuajnë nga amnezia? Duket se po. Andaj, për ta freskuar sadopak kujtesën e tyre e jo për ta prishur idilën, le të na lejohet një retrospektivë e vogël e “bëmave” të AMSHA-së dhe disa prej anëtarëve të saj më të spikatur.

Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve prej themelimit të saj në vitin 1967 e deri më sot ka përkrahur pa rezervë politikën shtetërore maqedonase tejet diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve ka mbështetur aktivisht fushatën e egër antishqiptare që zhvillohej në Maqedoni në vitet ’80, kinse në emër të luftës kundër “nacionalizmit shqiptar”.

Akademikë me emër, disa prej të cilëve gjenden edhe në këtë antologji, kanë shqiptuar, sidomos në vitet ’80, por edhe më vonë, fyerjet më të rënda në adresë të shqiptarëve dhe kanë shprehur tendencën e përvetësimit të disa figurave të historisë dhe të kulturës shqiptare. (Me dy prej tyre, Gane Todorovskin dhe Kole Çashulen, pat polemizuar Profesor Qosja në vitin 1987; me dy të tjerë, Simon Drakulin dhe Bozhin Pavllovskin, vogëlsia ime afërsisht në të njëjtën kohë).

Ante Popovski, ndonëse poet subtil, ka pasë thënë në vitet ’90, kur aderonte në partinë konservatore MAAK (Makedonsa akcija/ Aksioni maqedonas), e cila pa kaluar shumë kohë iu bashkua VMRO-DPMNE-së, se: “Shqiponjës i duhen prerë flatrat dhe kthetrat”, kurse e vetmja femër në këtë “antologji”, hirushja Katica Qullavkova, në vitin 2002, menjëherë pas Marrëveshjes së Ohrit, e pat kundërshtuar kategorikisht, pikërisht në një mbledhje të Akademisë, përdorimin e gjuhës shqipe në Shkup!

Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve është autore e Enciklopedisë famëkeqe maqedonase, e cila i paraqiste shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni si kaçakë të zbritur nga malet “për të pushtuar hapësirën e huaj” në shek. XVII-XVIII.

As për Ligjin për gjuhët, të cilin kurrsesi ta nënshkruajë presidenti maqedon, nuk di të jetë prononcuar Akademia Maqedonase si institucion, e as ndonjë nga anëtarët e saj si person.

Shtrohet pyetja: përse heshtin “poetët akademikë” të botuar kaq bukur në shqip lidhur me këtë ligj? Për shkak se shumica e tyre mendojnë njësoj sikurse vegla qorre e Gruevskit, fakiri Ivanov, se ky ligj, që e avancon pak a shumë pozitën e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë, por nuk e zyrtarizon plotësisht atë, “cenon karakterin unitar të shtetit”!

Albanofobia ka qenë dhe vazhdon të jetë problem i madh në Maqedoni dhe duket se do të kalojë edhe shumë kohë derisa pjesëtarët e kombit të frustruar maqedonas dhe në radhë të parë intelektualët maqedonas të emancipohen, kurse shqiptarët të mësohen të luftojnë për kauzën e tyre pa frikë e inferioritet, por në mënyrë të kulturuar e dinjitoze.

Me dhjetëra herë është sulmuar Shtëpia e Alfabetit në Manastir, është përdhosur simboli i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare, por kurrë, ama bash asnjëherë të vetme, nuk ka reaguar Akademia Maqedonase si institucion kundër akteve të tilla barbare e, madje, as akademikët maqedonas si individë, përfshirë edhe ndonjë shqipfolës që vegjeton në gjirin e tyre!

Asnjëri prej tyre nuk di të kenë kërkuar falje ndonjëherë për qëndrimet antishqipare që kanë mbajtur në periudha të ndryshme kohore dhe veçanërisht pas vitit 1981 e 2001 si dy data të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni dhe për mbarë kombin shqiptar. Të vetëve u kanë kërkuar falje, kurdo që kanë gabuar.

Edhe disa të dhëna për librin në fjalë: Dizajni – Koço Fidanoski, Realizimi kompjuterik – Bane Galiq, Shtypi FOCUS PRINT, Shkup, pra asnjë subjekt nga Prishtina, që paratë të mbeten në Shkup. Se sa ka kushtuar përgatitja dhe botimi i këtij libri mbetet çështje e ndërgjegjes së botuesit dhe, mbase, edhe e shërbimit të auditimit, i cili kohë më parë pat konstatuar parregullsi në afarizmin e ASHAK-ut.

ASHAK-u është institucion që financohet nga buxheti i shtetit, që do të thotë nga taksat e taksapaguesve kosovarë, për punë shkencore me rëndësi për zhvillimin ekonomik, politik, shoqëror, arsimor dhe kulturor të Kosovës e jo për botime si ky i “poetëve akademikë fyromas”.

Institucioni më i lartë shkencor i Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, tallet (po, po, tallet!) me Kosovën sa herë ia do qejfi.

Ashtu siç vepron secilën herë kur zgjedh anëtarët e rinj në radhët e saj me kriterin e jaranisë dhe të përkatësisë politiko-partiake e jo për veprën dhe kontributin e tyre shkencor, artistik a letrar; ashtu siç u tall kur hartoi ligjin diskriminues, që shkel rëndë të drejtat e njeriut, me të cilin kufizohet hyrja në Akademi pas moshës 65 vjeçare; ashtu siç u tall kur botoi “monografinë shkencore” për Kosovën me tri data të shpalljes së pavarësisë së saj dhe me gafa të tjera të ngjashme; ashtu siç u tall kur kryetari i saj “trim” H. I. pranoi detyrën e kryetarit të Komisionit për matjen e territorit të Kosovës (nga zyra) dhe përkrahu versionin zyrtar të demarkacionit me Malin e Zi, sipas të cilit Kosova humb 8200 hektarë tokë; kur pranoi në radhët e saj si anëtar të jashtëm historianin kontrovers zviceran Oliver Jens Schmitt, i cili, në emër të kinse “rishikimit të historisë”, historisë shqiptare i qaset me koncepte gati proserbe dhe në sa e sa raste të tjera; ashtu u tall kësaj radhe me lexuesit shqiptarë me botimin e librit komik “Poetët akademikë”!

Homeri nuk ka qenë akademik, as Shekspiri, as Bajroni, Pushkini, Hajne, Uitmani, Bodleri e Apolineri; as De Rada, Naimi, Serembe, Mjeda, Noli, Lasgushi e Migjeni dhe sa e sa krijues të tjerë gjenialë anembanë botës, por ata kanë qenë, janë dhe do të jenë poetë përgjithmonë.

Poeti i lashtë romak, Marciali, i drejtohej një bashkëkohësi të tij me emrin Zoil në këtë mënyrë: “Zoil, gënjen kush thotë se ti je njeri me vese: jo, s’është e vërtetë: ti nuk ke vese, ti je Vesi vetë”.

Akademia jonë e Shkencave dhe Arteve, e mbushur përplot me Zoilë modernë, është peng i një grupi uzurpatorësh e profiterësh, me pak dije, por me shumë aftësi manipuluese (kërkoj ndjesë nga ata anëtarë të saj që nuk janë pjesë e këtij grupi dhe e kësaj mendësie), që tallen me lexuesit dhe takspaguesit kosovarë – me botime si antologjia e poetëve akademikë maqedonas dhe veprime të tjera të ngjashme. Por, shëmbëllyeshëm zhaokes së satiristit të madh, do të mund të thuhej se Akademia jonë si institucion, me punën dhe sjelljen e saj, në radhë të parë të garniturës udhëheqëse të saj, është shndërruar, mjerisht, në sinonim të vetë talljes si ves njerëzor.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button