Aktuale

IKJA NGA VENDLINDJA

Dëshira për të ikur nga vendlindja gjithnjë e më shumë po bëhet proces i pandalshëm. Është një proces i dhembshëm që edhe në të kaluarën ka shkaktuar vetëm tragjedi. Liria në kuptimin e gjerë të fjalës është një nocion që ka më shumë interpretime.

Një pjese të madhe të shqiptarëve në Maqedoni u mungon edhe liria shpirtërore, një gjendje psikike kjo që rëndë e më rëndë i përballon sfidat e politikës përçmuese.
Prandaj, nëse asgjë, ata që ikin larg vendlindjes së tyre, së paku kanë lirinë shpirtërore dhe shpresën se do të mund të bëhen zot të vetvetes. Nuk është vështirë të përshkruhet portreti shpirtëror i të riut tonë, që ka vetëm një shtegdalje: të marrë një biletë njëdrejtimëshe, duke lënë pas ëndrrat që s’u realizuan. Atij i “ka plasur filmi”, sepse më nuk sheh as minimumin e perspektivës në truallin e vet. Ai përfundimisht humb betejën me “krimbin” e ndarjes fatale: NE dhe ATA.
Të lodhur, shpesh edhe të mërzitur, kot përpiqen ta mundin këtë të keqe. E dinë se që moti janë përmbysur vlerat dhe se është një komunitet që “vlerësohet” vetëm për ndonjë qëllim të caktuar. Përçudnimet e këtilla tregojnë qartë se më nuk ka vlerë as përgatitja superiore, sepse për fatin e tyre herë – herë vendosin ata që kanë kryer vetëm filloren.
Duke qenë përballë një realiteti që përshkohet me injorancë dhe me lajthitje të shumta, është e pamundur të merret roli i përhershëm i një vrojtuesi të fenomeneve bizare që janë bërë përditshmëri e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Ata e dinë se kronika e zymtë shqiptare është një histori e trillimeve dhe histori e premtimeve që asnjëherë nuk realizohen, por edhe histori e papërgjegjësisë.
Kjo pasqyrë e shëmtuar është reminishencë e një realiteti, të cilën shoqëria shqiptare nuk e ka ndërmend ta ndryshojë, edhe përkundër faktit se bëhet fjalë për zbehjen e substancës kombëtare. Ka kohë që atyre u janë shuar edhe iluzionet për ta siguruar mirëqenien përmes bindjes (skandaloze) se shpëtimi i tyre është vetëm punësimi në administratën shtetërore, një bindje kjo fatale, edhe përkundër faktit se porta e përfaqësimit adekuat ende nuk është mbyllur.
Në kontekst të kësaj do theksuar se askush deri më tani nuk e ka shtruar përfaqësimin adekuat në kompanitë e mëdha private, të cilat inkasojnë para të shumta edhe nga shqiptarët. Nëse kjo çështje shqyrtohet me seriozitetin më të madhe, atëherë fare lehtë do të mund të hapeshin edhe disa mijëra vende të reja për të rinjtë shqiptarë. Kjo, sado pak do të krijonte një atmosferë më optimiste për të pasur një rini kreative (në kompanitë private) dhe jo të burokratizuar (në administratën shtetërore).
Në psikologjinë e shqiptarit, braktisja e pragut të shtëpisë ka kuptimin e tragjikes. Ndërkaq, ka diçka që vepron mbi vullnetin e tyre, që bën trysni të padurueshme që t’ia kthejnë shpinën shtëpisë dhe vendlindjes. Dhe kjo do të thotë: investim i kotë për përgatitjen superiore, sakrificë që shkoi huq… Tendenca e ikjes së trurit është një tendencë e kamotshme, për të cilën pothuaj askush nuk shpreh shqetësim. Ngushtimi i hapësirës vetëm për të dëgjueshmit, ka krijuar një armatë të atyre që kanë humbur shpresat. Është çështje tjetër fakti se me vetëdije dikush investon për largimin e gjaku të ri dhe të freskët. Por, duhet të dihet: askush nuk e lë familjen, shtëpinë dhe vendlindjen për pikën e qejfit.
Janë me mijëra të rinj të dëshpëruar, që kanë dhimbje shpirtërore…Dhe kur ikin, këtë e bëjnë në heshtje, pa u vërejtur…

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button