INA: Qeveri e zgjeruar dhe zgjedhje të reja në Maqedoni, ja plani që po përgatitet?!
Në Maqedoni po përgatitet terreni për formimin e Qeverisë së zgjeruar, me pjesëmarrjen edhe të VMRO-DPMNE-së. Plani po shqyrtohet si opsion nga dyja partitë, ndërsa ai është diskutuar edhe në tryezën e kreut shtetëror dhe të partive kryesore politike të mbajtur të shtunën lidhur me emrin, mëson INA.
Kryeministri Zoran Zaev i ka shtrirë dorën liderit të ri të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski për të formuar Qeverinë e zgjeruar, e cila do të merrte përgjegjësi më të gjerë për të zgjidhur çështjen e emrit dhe për të anëtarësuar vendin në NATO dhe BE.
Ky opsion është përkrahur edhe nga Uashingtoni dhe Brukseli, dhe se ka qenë temë diskutimi edhe gjatë vizitës së djeshme të kreut të VMRO-DPMNE-së, Mickoski në Bruksel.
Modeli i marrëveshjes do të ishte sipas asaj të Shkupit të qershorit të 2015, kur në lagjen “Përzhino”, liderët e katër partive kryesore u dakorduan për qeverinë e zgjeruar dhe zgjedhje të reja, pa kryeministër Nikolla Gruevskin, por me një emër të ri të propozuar nga VMRO-DPMNE.
Një plan i ngjajshëm do të jetë edhe tani dhe që tashmë siç bëhet e ditur për INA i është propozuar për shqyrtim partive politike.
Në kuadër të marrëveshjes, Qeveria e zgjeruar do të merret me mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura tani, siç janë edhe çështjet që kanë të bëjnë me kërkesat e shqiptarëve. Por deri tani nuk dihet se në tryezë a do të marrin pjesë partitë shqiptare, pas përçarjes së thellë të tyre. Ditëve të ardhshme plani i tillë do të lansohet dhe se do të jetë një formë kompromisi për të gjitha subjektet politike për të zhbllokuar ngërçin politik dhe për të gjetur një koncensus të përgjithshëm për çështjet e rëndësishme në vend.