Invalidë pa të drejta!

Shoqatat e invalidëve të punës thonë se shteti nuk e njeh librezën e tyre që dëshmon invaliditetin e tyre. Ata akuzojnë madje se edhe të drejtat që i kanë pasur dikur, tani i kanë humbur

Rreth 58 mijë pensionistë – invalid të punës në Maqedoni shprehen të pakënaqur nga institucionet shtetërore të cilët po ua marrin çdo ditë e më shumë të drejtat që i kanë pasur me vite të tëra, shkruan gazeta KOHA. Ata ankohen për mungesë të pajisjeve ortopedike, mungesë të parkingjeve adekuate, nuk kanë shkallë të adaptuara në shumë institucione shtetërore dhe të ngjashme. Xhevat Palloshi, nënkryetar i Lidhjes së Invalidëve të Punës të Maqedonisë, e themeluar diku në vitin 1952, thotë se vetëm Komuna e Karposhit ofron kushte adekuate në territorin e saj për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa në nivel republikan – askund nuk respektohet shenja e personave me invaliditet. “Më herët, libreza jonë që dëshmon se ne jemi invalid pune, ka pasur vlerë çdokund. Tani, problemi kryesor që është se ne kemi pensione më të ulëta – afër 10 mijë denarë mesatarja, barnat nuk arrijmë ti blejmë, nuk kemi qasje nëpër parkingje, libreza jonë për parkim falas vlen vetëm në aeroport edhe në Spitalin e Qytetit, ndërsa nuk na japin të drejtë të shfrytëzojmë autobusin falas… Në nivel të Maqedonisë, nuk kemi askund kushte, në përjashtim të Komunës së Karposhit. Dikujt i duhen këpucë, një palë këpucë përpara janë dhënë çdo gjashtë muaj, tani ato jepen çdo 18 muaj… Parashtrohet pyetja se kujt mund ti shërbejnë ata këpucë aq gjatë… më pas patericat jepen çdo dy vjet, çka nëse ato i thyhen personit? Nuk jemi aspak të avancuar”, thotë për KOHA, Palloshi. Në Çair ndërkohë numërohen mbi 1000 anëtarë të Shoqatës për Invalid të Punës, tregon Ismet Mustafa, kryetar i shoqatës e formuar në vitin 1980. “Ne funksionojmë me vetëfinancim, çdo muaj secili anëtarë paguan nga 30 denarë, ndërsa me këto mjete nuk arrijmë ti mbulojmë as kërkesat elementare të personave invalidor. Sa u përket mjeteve ortopedike apo mjeteve për personat me aftësi të kufizuara, ne kemi shpërndarë disa herë karroca apo ndihmëse për të ecur, mirëpo për këtë nuk na ka ndihmuar shteti, por organizatat e ndryshme humanitare si ‘Hilal’, ‘Kalliri i Mirësisë’ dhe të tjera”, tha Mustafa. Në ndërkohë, të dielën më 3 dhjetor është Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara. Me këtë rast, në shtëpinë e invalidëve “Dare Xhambaz”, Lidhja e Pensionistëve Invalid të Punës në Maqedoni organizon solemnitet me anëtarët e saj. Një ditë më pas, të hënën, kjo shoqatë këtë ditë do ta shënojë në Restorantin “Festina” nga ora 11, ku janë ftuar ministrja e Punës dhe Politikë Sociale dhe përfaqësues të pushtetit lokal. (koha.mk)StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...