Meral Aksenser, mund të jetë një emër i panjohur në shumë vende, por jo në Turqi. Liderja e Partisë së Mirë (Iyi Party) ka deklaruar se do marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe se do i fitojë ato, për ta çuar ‘Erdoganin me pushime pas 15 vitesh në pushtet’.
Në mënyrë krejt të papritur, presidenti turk Erdogan, thirri zgjedhjet e parakoshme në vend, të cilat do mbahen në 24 qershor.
Sipas ‘Financial Times’, kjo bëhet që kreu i shtetit të çimentojë pushtetin e tij në Turqi dhe ai i kishte dhënë sinjalet që kishte ndërmend që të thërriste zhvillimin e këtyre zgjedhjeve.
Hapi vende të reja pune, ndryshoi ligjin elektoral dhe forcoi qasjen nacionaliste duke nisur operacionet ushtarake në Sirinë fqinje.
Lëvizjes së beftë të Erdoganit, partitë opozitare, që për hir të së vërtetës janë në një situatë tejet të vështirë, i janë përgjigjur duke vendosur të bashkohen në një koalicion të madh.
Lideri i partisë më të madhe opozitare, CHP, Kemal Kilicdaroglu, ka deklaruar se zgjedhjet e qershorit do sjellin më shumë demokraci dhe qetësi në Turqi, kurse liderja e Partisë së Mirë, që i përket qendrës së djathtë, Meral Aksener, është zotuar për fitore teksa ka deklaruar se ‘do e dërgojë me pushime Erdoganin pas 15 vitesh në pushtet’.
Por kush është kandidatja më e fortë e Erdogan në garën për pressident?
Meral Aksener ka qenë ish-ministre e Brendshme dhe zv.kryetare Kuvendi. Në 25 tetor 2017 ajo themeloi Partinë e Mirë (Iyi Party).
Aksenser ka lindur në vitin 1956 kurse prindërit e saj kanë jetuar në Greqi deri në vitin 1923, kur u zhvendosën drejt Turqisë. Studimet i ka kryer për histori në Universitetin e Stambollit dhe ka punuar si pedagoge për shumë vite para se të vendoste t’i futej politikës.
Në zgjedhjet e vitit 1995, Aksenser u zgjodh deputete e Partisë të së Vertetës (DYP) dhe shërbeu si ministre e Brendshme nga për rreth 7 muaj, nga nëntori 1996 deri në qershor 1997. Aksenser u rizgjodh deputete në vitin 1999 për të njëjtën parti, kurse në zgjedhjet e vitit 2007 dhe 2011 u zgjodh deputete për Partinë e Lëvizjes Kombëtare (MHP).
Në vitin 2016 ajo u përplas me lidershipin e partisë, lidhur me kërkesën e presidentit Erdogan për ndryshimet kushtetuese dhe themeloi partinë e saj, duke u regjistruar në zgjedhjet presidenciale.
Ashtu si Erdogan, Aksenser njihet si lidere karizmatike dhe me shumë mbështetje në Turqi, gjë që e tregon zgjedhja e saj disa herë si deputete në parlamentin turk.
Sondazhet e kryera së fundmi tregojnë për një fitore të Erdoganit në raundin e parë, por do të jetë vota e 24 qershorit ajo që do flasë më shumë. /Hashtag.al