KATËR VITE PAS 27 PRILLIT: Edhe porositësit duhet të përfundojnë prapa grilave

Institucionalisht, ndryshimi do të merrte kuptim kur prapa grilave do të ishin edhe porositësit. Si dëshmitarë, ngjarja në fjalë do të jetë gjatë në mbamendjen time. Natë për t’u kuptuar më saktë dhe më qartë çmimi i demokracisë, në Ballkan në përgjithësi- ku vështirë se ndërrohen pushtetet pa gjak, thotë Sulimani

Xhenur ISENI

Shkup, 27 prill – Sot, katër vite pas hyrjes së dhunshme në Parlament më 27 prill, opinioni, partitë politike dhe analistët e shohin me dioptri të ndryshme këtë ndodhi, por edhe për mënyrën me të cilën më pas vazhdoi të funksionojë shteti dhe institucionet. Çfarë mësuam nga 27 prilli, a ndryshoi diçka për më mirë, sa janë funksionale sot institucionet dhe sa janë në krye të detyrës, sa respektohet Kushtetuta dhe ligjet, a u shëruan plagët e ndasive të mëdha në shoqëri? Këto janë vetëm disa nga pyetjet për të cilat partitë politike japin përgjigjet dhe këndvështrimet e tyre për atë natë të përgjakshme. Ku ishte Maqedonia e Veriut atëherë dhe ku është tani, a jemi më afër Evropës sot në praktikimin e demokracisë dhe çfarë ka ndryshuar në përgjithësi?

PARTITË POLITIKE ME QËNDRIME TË KUNDËRTA

Nga partia maqedonase në pushtet – LSDM thonë se ende janë të freskëta kujtimet të ditës më të zezë për demokracinë maqedonas, hyrjen e dhunshme në Parlament. “Edhe pse veçmë ka aktgjykime për 27 prillin, megjithatë për mbylljen e tërësishme të këtij kapitulli të zi, duhet të merr epilog edhe procesi për ata që e kanë organizuar hyrjen në Parlament. Shoqëria jonë mësoi shumë dhe përparoi shumë nga ajo ditë. Atëherë ishim shtet në prag të luftës civile, të izoluar ndërkombëtarisht me ardhmëri të pasigurt. Sot, katër vite më vonë, jemi anëtare e NATO-së, aleatë dhe partner i botës perëndimore, shtet me të cilën të drejtat dhe liritë e njeriut për çdo ditë po rriten”, thonë nga LSDM.

Nga kjo parti shprehen se sot në Maqedoninë e Veriut, e drejta dhe ligjet vlejnë për të gjithë në mënyrë të barabartë, nuk ka më grupe të mbrojtura, por ka luftë joselektive dhe të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. “Ka dallime thelbësore mes qeverisjes së regjimit të VMRO-DPMNE-së dhe udhëheqja me përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve nga ana e LSDM-së. Këtë dallim qytetarët e dallojnë dhe e ndjejnë dhe për këtë arsye mbështetja për LSDM-në në vazhdimësi po rritet, për këtë arsye LSDM në vazhdimësi po fiton”, përfundojnë nga kjo parti. Nga partia opozitare VMRO-DPMNE thonë se ata e dënojnë çdo lloj dhune që ndodhi në atë ngjarje dhe shtojnë se pikërisht ky akt në këto katër vite është shfrytëzuar nga pushteti për të kryer presion politik, keqpërdorime dhe revanshizëm. “Pikërisht për këtë, katër vite më vonë në opinion tani shihet e vërteta për ndodhitë për të cilën në mënyrë konstante flet VMRO-DPMNE”, thonë nga kjo parti.StrugaLajm

Nga atje shtojnë se ajo që është çështje kryesore, ende nuk është zgjidhur për 27 prillin, se fajtorët e vërtetë ende nuk janë askund dhe në mënyrë shtesë ende nuk ka përgjigje të vërtetë për atë se çfarë ndodhi më 27 prill. “Te populli mbisundon pakënaqësia se nuk ka as drejtësi, as shtet ligjorë, as të drejtë, ndërsa jemi dëshmitarë se pushteti e ka shfrytëzuar dhe keqpërdorë gjithë këtë në emër të 27 prillit”, thonë nga VMRO-DPMNE. Nga partia më e madhe opozitare mes tjerash thonë se me ngjarjet që pasuan pas 27 prillit, dhe vetëm në bazë të asaj dite, u shkel Kushtetuta e Maqedonisë, ishte ndryshuar emri kushtetues i shtetit, dhe në gjithë këto procese vendi po ngulfatet në kriminalitet dhe korrupsion pa pasur ndonjë përparim drejt demokratizimit të sistemit. “Në kontekst të ngjarjeve, patjetër duhet të potencojmë se Maqedonia është vendi i vetëm që qëndron në gjysmë rrugë drejtë BE-së, edhe atë me të burgosur politik në emër të 27 prillit, deri sa të punësuar kriminel në sistemin po arrestohen nga ana e agjencive policore të huaja. Pikërisht për këtë dje mbajtëm protestë për lirimin e mbrojtësve të kushtetutës”, deklaruan për KOHA, nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE.LAJME TË NGJASHMEPri 27, 2021

Ndërsa nga partia “E Majta”, thonë se nga ajo ditë famoze e 27 prillit, dita kur pushteti u uzurpua nga LSDM e deri më sot, ndodhën shkelje të shumta të Kushtetutës, shkelje të protokolleve për punë në institucionet më të larta të shtetit, siç është Parlamenti, dhe rrezikim serioz të rendit shtetërorë. “Gjithë kjo ishte bërë pikërisht nga pushteti i udhëhequr nga LSDM dhe nga aspekti i sotëm qartë mund të vlerësohen motivet e pushtetit në rolin e saj si dirigjent kryesorë të ndjekjes politike, e cila ndodhi ndaj të dënuarve nga ajo ngjarje jo e hijshme. Ndryshe, me qëllim të marrjes së pushtetit, LSDM shkeli interesat nacionale dhe shtetërore, që ishte provokimi kryesorë për revoltën e popullit që më pas shkaktoi edhe hyrjen në Parlament më 27 prill. Vetë zgjedhja e atëhershme e Talat Xhaferit për spiker të Parlamentit, ishte jo transparent dhe në kundërshtim me rregulloren”, thonë nga E Majta. Nga atje shtojnë se është e majftueshme të ndahen dy çështje nga periudha e qeverisjes së LSDM-së, e ajo është zbatimi jo legal dhe jo legjitim i Marrëveshjes së Prespës, që më pas kulmoi edhe me ndryshimin e Kushtetutës dhe emrit të shtetit, si dhe zbatimi në etape i të ashtuquajturës Platforma e Tiranës, një sërë politika që në mënyrë shtesë e rrezikuan unitarizmin e shtetit. “Pikërisht në këtë drejtim ishin edhe aktakuzat e orkestruara për pjesëmarrësit e 27 prillit, të cilët u kualifikuan dhe dënuan si “terrorist”, ndërsa më pas aktgjykimet ishin zbatuar në mënyrë selektive dhe u përdorën për pazare politike, të cilën LSDM e bëri për zbatimin e politikave antishtetërore. Dëshmi për këtë janë edhe amnestia e Kërsto Mukoskit, i cili praktikisht i hapi dyert e Parlamentit që masa të mundet pa pengesa të hy, si dhe Sasho Vasilevski dhe Luben Arnaudov, që të tre deputetë nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, të cilët votuan PËR ndryshimet kushtetuese”, thuhet në kumtesën e partisë “E Majta”.StrugaLajm

Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët thotë se edhe pas katër viteve nga kjo ngjarje, avazi ka mbetur i njëjtë ku këndon Zaevi, mba iso Ahmeti, ndërsa nga e gjithë kjo, sipas tij, vuan populli i thjeshtë. “Pas katër viteve nga ngjarja e 27 prillit ku kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, u sulmua barbarisht nga grupe ultranacionaliste, duke rrezikuar seriozisht jetën, po falë Zotit mbijetoi, gjithë koha e këtyre viteve pra ishte një kënetë që është ujë i ndejtur dhe habitat ideal për krokodilët…Avazi ka mbetur i njëjtë, këndon Zaevi, mba iso Ahmeti, Vuan POPULLI! ka deklaruar për KOHA, Arben Taravari, sekretarë i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët.

NJË NJOLLË E ERRËT NGA E CILA NUK MËSUAM ASGJË

Politologu Xhenis Sulimani shprehet se mendësisht nuk ka ndryshuar asgjë nga akti terrorist i 27 prillit, në aspekt politik. Sipas tij ndryshimi do të merrte kuptim kur prapa grilave sot do të gjendeshin edhe porositësit e këtij akti të shëmtuar. “Ende protestohet për lirimin e atyre që janë dënuar për këtë akt, duke arsyetuar aktin dhe duke u thirrur në mbrojtjen e Kushtetutës. Ndërsa, institucionalisht ndryshimi do të merrte kuptim kur prapa grilave do të ishin edhe porositësit. Si dëshmitar, ngjarja në fjalë do të jetë gjatë në mbamendjen time. Natë për t’u kuptuar më saktë dhe më qartë çmimi i demokracisë, në Ballkan në përgjithësi- ku vështirë se ndërrohen pushtetet pa gjak. Por leksioni është i qartë, demokratizimi është i patjetërsueshëm, sovrani e ka fjalën e fundit. Shumica parlamentare gjithmonë udhëheqë në sisteme parlamentare dhe këtu grupet e interesit dhe e bandat e etnocentrizmit nuk kanë vend”, ka deklaruar për KOHA, Xhenis Sulimani, politolog.

I të njëjtit mendim është dhe analisti politik Berat Azizi i cili thotë se edhe pas katër viteve nga kjo ngjarje nuk kemi ndryshime në mendësinë politike të partive dhe aktivistëve të tyre, por kemi ndryshime vetëm sipërfaqësore të shtyra nga koha dhe ndryshimet që po bëhen në rajon dhe më gjerë. “Nëse i kthehemi sërish asaj nate lirisht mund të themi se ishte një tentim për të rrënuar shtetin ligjor dhe për të betonuar diktaturën e drejtuar atë kohë nga Gruevski dhe për të forcuar supremacinë e etnitetit maqedonas ndaj atij shqiptar. Pra kishte një tendencë të hapur se nuk duhet të çrrënjoset nga pushteti partia maqedonase VMRD-DPMNE e njohur me retorikën e saj antishqiptare sepse me këtë do të çrrënjosej edhe krimi dhe korrupsioni. Por falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare ky pushtet u çrrënjos dhe u instalua pushteti demokratik. Pavarësisht asaj nate dështimet vazhduan të na përcjellin edhe përgjatë këtyre katër viteve sepse drejtësia nuk erdhi në vend. Qytetarët nuk arritën ta shijojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit për shkak se shumë aktor të atyre ngjarjeve mbeten në Liri dhe vazhdojnë të gëzojnë të drejtat e tyre, ndërsa personi i cili u mundua të shpëtoj jetë njerëzish mbahet në burg siç është rasti me Feta Alimin”, ka deklaruar për KOHA, Berat Azizi, analist.

ÇFARË NDODHI MË 27 PRILL

Hyrja në Parlament, për opinionin e njohur si “E enjtja e përgjakshme”, është një incident i dhunshëm që ndodhi më 27 prill të vitit 2017 kur rreth qindra persona nga shoqata “Për një Maqedoni të përbashkët”, në mënyrë të dhunshme hyrën në Parlament për ta ndaluar zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeparlamentarë të Maqedonisë së Veriut. Ngjarja ndodhi në mbrëmje rreth orës 19:00 kur disa huligan të maskuar ishin lëshuar nga sigurimi i Parlamentit dhe hyrën në pres qendrën ku po qëndronte shumica parlamentare bashkë me gazetarët, në të cilën pres konferencë po mbante kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit, Talat Xhaferi. Huliganët fizikisht sulmuan deputetët dhe gazetarët, ndërsa lëndime morën lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Kjo ngjarje ishte kulminacion i krizës dy vjeçare politike, e cila përfundoi me formimin e qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev.

In : Aktuale

Loading...
loading...