Koha, kur u denuan te rinjt strugan te organizates “Dorë për dore”-Safet Hyseini

Safet Hyseini/Strugalajm.com

Organizata ilegale “Dorë për dore” do dënohet me 43 vjet burg të rëndë
Nga viti 1981 dukshëm do shtohen veprimtarët ilegal që do formojnë Organizata dhe grupe ilegale të cilët punën e tyre do e drejtojnë për t’u çliruar nga okupimi sllav. Mirëpo këto veprimtar tani do orvaten që të gjejnë pikat e përbashkëta të veprimit si dhe lidhjet e tyre për të erdh deri te një trup i vetëm ilegal. Të gjitha programet nga ky vit korrespondonin me avancimin e statusit të shqiptarëve, shpalljen e Kosovës Republikë dhe bashkëngjitjen e territoreve të republikave tjera të banuara me shqiptarë. Me 11, 12 dhe 13 korrik të vitit 1984 në Manastir në bankën e të akuzuarve do dalin Alit Naxhaku, Baftijar Elmazi, Ylber Veliu, Minir Ismaili, Minir Dervishi, Lutfi Bilalli dhe Fadil Dauti të akuzuar “Bashkim për veprimtari armiqësore nga neni 136 alineja 1 dhe 2 në lidhje me nenin 114 të LP të RSFJ-së”. Ishte një lidhje e pashkëputur e të rinjve nga Struga dhe një orvatje që të ruhet vazhdimësia e nisur nga Rafi Halili që të kemi një bashkëveprim në mes të grupeve ilegale që veprojnë në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni. StrugaLajm


Veprimtaria e Alit Naxhakut siç thuhet në aktakuzën e thurur (K.br.37/84) ka filluar në vitin 1979. Aliti është indoktrinuar duke dëgjuar “Radio Tiranën” dhe emisionet e saja (thuhet në vazhdim), është marr me incizimin dhe shkrime të ndryshme që ia ka drejtuar “Partisë së Punës të Shqipërisë” si dhe ka bashkëpunuar me grupet ilegale në Kosovë. Aliti në vitin 1979 punësohet bashkë me të shoqen në fshatin Buzalkov të Velesit në një shkollë fillore. Pas mbarimit të vitit shkollor 1980/81 Aliti do kthehet në Ohër dhe do bëjë hapat e parë për të formuar organizatën ilegale që më vonë do ta quaj “Dorë për dore”. Qëllimi i themeluesit të kësaj organizate ka qenë që celulat e sajë të jenë të shpërndara nëpër gjithë qytetet e Maqedonisë perëndimore. Veprimtaria e vërtetë e Alit Naxhakut i ka fillet në vitin 1978 kur ai vepron si student në Prishtinë, dhe ku ka pasur kontakte me shumë veprimtar të kohës me të cilët edhe bashkëpunon.
Në verë të vitit 1981 Aliti do kalojë në Zvicër ku do takohet me Xhaferr Shatrin nga i cili do pajiset me material propagandistikë të cilin material ai do e sjellë në vendlindje pasi që të kthehet në nëntor. Menjëherë pas kthimit ai do merret me përgatitjen e programit dhe të vulës së organizatës ku në vulë do shkruhet “Republika Socialiste e Kosovës-Organizata Dorë për dore”. Organizata do ketë programin dhe statutin dhe çdo anëtar obligohet që të betohet dhe njëkohësisht të formojë celulën e tij me metodën e treshit. Në programin e Organizatës thuhet se: “Do veprojmë dhe do luftojmë për të drejtat e shqiptarëve në RSFJ, që statuti i tyre të avancohet, dhe të jetë i barabartë me popujt tjerë duke u korrigjuar padrejtësia që u është bërë shqiptarëve të cilët dhunshëm i kanë ndarë në tri republika dhe një Krahinë.
Republikat e tyre të quhet “Republika Socialiste e Kosovës” me territore të Maqedonisë perëndimore, Serbisë Jugore dhe Malit të Zi”. Statusi përveç që përcaktonte kriteret e anëtarësimit kishte edhe pjesën e përgjegjësisë dhe të obligacioneve. Anëtarët do kenë edhe pseudonimet e tyre dhe do kujdesen për celulat për të cilat edhe janë përgjegjës për sjelljen, mënyrën e veprimit si dhe do marrin përgjegjësin për çdo aksion që do u urdhërohet dhe besohet nga ana e Organizatës. Alit Naxhaku pas disa takimeve me veprimtar të Kosovës do pajtohet që Organizata “Dorë për dore” të veprojë në kuadër të organizatës “Marksiste-Leniniste” që vepronte në Kosovë dhe që udhëhiqej nga Raif Qela. I akuzuari i parë përveç që merret me formimin e Organizatës ai shpeshherë udhëton për në Kosovë për të kontaktuar me veprimtar të ilegales. Lidhja e tij ishte nëpërmjet Mahmut Ibarimit atëherë student nga Dollogozhda e Strugës në Prishtinë. (Mafmut Ibraimi u dënua në Prishtinë me 2 vjet burg dhe u lëshua brenda një vit. Më vonë fitoj statusin e refugjatit politik në Zvicër dhe në mandatin e parë të qeverisjes së BDI-së në koalicion me LSDM-në ishte ambasador i Maqedonisë në Zvicër).
Organizata “Dorë për dore” kujdes të veçantë i kushtonte ngritjes ideore të anëtarëve të sajë duke i furnizuar me materiale ilegale si “Zëri i Kosovës” që shtypej në perëndim, pastaj libra që për kohën ishin të ndaluar, incizime të komenteve të Radio Tiranës, leximi i librave si të Shote Galicës, Hasan Prishtinës, Titistët, Mic Sokoli, Këngët e Lirisë etj. Anëtarët e kësaj organizate shpeshherë mbanin takime të fshehta në vise të hapura që të mos bien në sy të ndjekësve që në atë kohë ishin të shumtë. Takimet më së shumti i mbanin nëpër lokalet e Strugës dhe të Ohrit.
I akuzuari i parë Alit Naxhaku i lindur në vitin 1955 në fshatin Poum të Strugës me profesion mësimdhënës me vendbanim në Ohër akuzohet se: “Që nga viti 1983 ka ushtruar veprimtari armiqësore nga bazat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë kështu që në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 1983 në rrethin e Ohrit, Strugës dhe Dibrës ka formuar Organizatën ilegale “Dorë për dore” e cila Organizatë ka qenë e lidhur ngushtë në veprimtari me Organizatën ilegale “Marksiste-Leniniste” e cila vepronte në territorin e Kosovës. Si vepër nacionaliste atij do i vihet edhe shkrimi e emrit të nxënësit me prefiks të gjuhës shqipe në një fshat të Velesit. Edhe pse thuhet se ai ka dhënë mësim në paralelet shqipe bashkë me të shoqen Miradien, ai do akuzohet se ka manipuluar turqit dhe i ka shkruar si shqiptarë. Atij do i merret si vepër nacionaliste edhe pagëzimi i djalit me emrin “Alban”. Si themelues i Organizatës do dënohet me 12 vjet burg të rënd. Do lëshohet nga burgu në qershor të vitit 1990 me rastin e prishjes së RSFJ-së.
I akuzuari i dytë Baftijar Elmazi i lindur në vitin 1962 në fshatin Zhepin të Strugës studentë i Biologjisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës do dënohet për vepër armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë në bazë të nenit 136 aline 2 në lidhje me nenin 114 të Ligjit penal të RSFJ-së. Baftijar Elamzi thuhet se: “Është indoktrinuar në Prishtinë dhe ka vepruar armiqësisht kundër vlerave të bashkim-vëllazërimit të kombeve dhe kombësive të RSFJ-së dhe është orvatur që me dhunë të ndryshojë sistemin dhe kufijtë e shtetit”. Baftiar Elmazi si anëtarë i Organizatës do dënohet me 5 vjet burg të rëndë.
I akuzuari i tretë Ylber Veliu i lindur në vitin 1965 nxënës i vitit të katërtë në Gjimnazin e Dibrës do dënohet me 8 vjet burg të rëndë. Ai do akuzohet nga neni 136 aline 2 ne lidhje me nenin 114 të Ligjit penal të RSFJ-së. Ylberi thuhet se ka vepruar nga bazat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë se ka shpërndarë dhe lexuar material propagandistikë, se ka propaganduar për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në Jugosllavi. Ylberi është marr me dëgjimin e komenteve të Radio Tiranës dhe të njëjtat i ka incizuar dhe shumuar, si dhe ka dëgjuar këngët për trimat dhe heronjtë shqiptar nga të cilat edhe është indoktrinuar. Ylberi është orvatur që të zgjeroj radhët me bashkëmendimtar edhe në Dibër dhe si që thuhet në aktakuzë ai rregullisht ka folur për organizim të shqiptarëve.
Minir Ismaili i akuzuari i katër nxënës i vitit të tretë të Gjimnazit i lindur në vitin 1965 në fshatin Zagraqan të Strugës do dënohet me 4 vjet burg të rëndë. Miniri është akuzuar nga neni 136 aline 2 në lidhje me nenin 114 të LP të RSFJ-së dhe si nxënës ka vepruar nga bazat e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptarë. Vepra “Bashkim për veprimtari armiqësore” i vihet si barrë se ai ka lexuar material propagandistik të ndaluar dhe ka bashkëvepruar me Ylberin i cili ka bashkëpunuar me të akuzuarin e parë dhe të gjashtin. Miniri disa herë në bazë të aktakuzës ka dëgjuar emisione të radio Tiranës ku është folur për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në RSFJ, të njëjtat ai i ka komentuar në shkollë me qëllim që të bëjë bashkëmendimtar.
I akuzuari i pestë Minir Dervishi është lindur në vitin 1965 në Livadhi të Strugës nxënës i vitit të tretë i Gjimnazit ka vepruar nga bazat armiqësore duke u anëtarësuar në Organizatën ilegale me çka ka zhvilluar “Veprimtari armiqësore për bashkim” nga neni 136 aline 2 në lidhje me nenin 114 të LP të RSFJ-së. Dënohet me 3 vjet burg të rëndë. Miniri ka lexuar material të ndaluar ilegal si “Këngët e Lirisë”, ka dëgjuar Radio Tiranën, ka incizuar dhe shumuar materiale ku flitet për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në RSFJ, si dhe është orvatur që të gjejë bashkëmendimtar.
Lutfi Bilali i lindur në vitin 1963 në fshatin Dollogozhdë të Strugës do jetë i akuzuari i gjashtë i cili do dënohet me 8 vjet burg të rëndë. Lutfiu i cili sapo kishte kryer shkollën e mesme bëhet anëtarë i Organizatës “Dorë për dore” dhe merret me organizmin e takimeve ilegale si dhe me shpërndarjen dhe mbledhjen e materialeve të ndaluara propagandistike. Lutfiu duke u lidhur drejtpërdrejtë me të akuzuarin e parë do marr përgjegjësin për të vazhduar situatën në Strugë dhe për të sjellë përshtypjet për ngjarje të ndryshme. Do akuzohet nga neni 136 aline 2 në lidhje me nenin 114 të LP të RSFJ-së për “Veprimtari armiqësore për bashkim” se ka vepruar nga bazat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar me çka ka dashur që me dhunë të ndryshojë sistemin me çka ka rrezikuar “vëllazërim-bashkimin e kombeve dhe kombësive” në RSFJ.
Fadil Dauti i lindur në vitin 1962 në fshatin Kalisht të Strugës me shkollë të mesme do dënohet me 3 vjet burg të rëndë për arsye se është bërë anëtarë i Organizatës “Dorë për dore” dhe ka vepruar nga bazat e nacionalizmit dhe të separatizmit shqiptar me çka ka ndikuar në rrënimin e shtetit dhe të sistemit. Fadili do lexojë materiale të ndaluar, do dëgjojë emisione të Radio Tiranës ku flitet për gjendjen e vështirë të popullit shqiptarë në RSFJ, dhe të njëjtat “të pavërteta” i ka komentuar për të gjet sa më shumë bashkëmendimtar.
Organizata ilegale “Dorë për dore” edhe pse hetohet dhe bie shumë shpejt në burg lenë gjurmë të pashlyera në kohën kur ka vepruar edhe atë për dy arsye:
E para është se shqiptarëve iu lenë një porosi shumë të qartë se të gjithë që mendojnë shqip dhe shqiptarisht dhe që kanë së paku arsim të mesëm janë dhe do jenë të ndjekur nga sistemi dhe se mund në çdo moment të bëhen eksperiment i dhunës së organeve ndjekëse dhe, e dyta se kur shteti merret edhe me të rinj të moshës 18 vjeçare dhe të njëjtët i shpall armiq dhe u shqipton dënime të rënda mbi 5 vite rritë vetëdijen dhe ndërgjegjëson shqiptarët për t’u organizuar edhe në mënyra tjera.StrugaLajm


Loading...
loading...