Komandant Hoxha këshilltar për siguri i kryeministrit Zaev? Ja çfarë thonë nga Qeveria dhe LSDM-ja
Nëpërmjet disa fotografive të shpërndara në rrjetin social fejsbuk është njoftuar se ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nga fshati Tanishec i Shkupit, Xhezari Shaqiri u njohur si komandant Hoxha është emëruar këshilltar për çështje sigurie i kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.
Të pyetur, nga Qeveria e Maqedonisë janë deklaruar se nuk kanë informata se nëse është ose jo i vërtetë lajmi pasi që siç thonë nga atje “shërbimi qeveritar nuk ka punuar gjatë fundjavës”.
“Nuk mund të ju japë informatë të saktë se a është dhe në çfarë pozite është emëruar Xhezair Shaqiri”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.
Megjithatë, deputeti i partisë qeveritare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Muhamed Zekiri në rrjetin social fejsbuk nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e emërimit të Komandant Hoxhës si këshilltar sigurie i kryeministrit Zaev.
“ ‘Ata që gjithmonë janë shitur, mendojnë se të gjithë shiten si ata’. Lëreni rehat Xhezair Shaqirin o ju patriotë të fb. Merruni me punët tuaja dhe kontribuoni fillimisht të pastroni të paktën oborrin e juaj…”, ka shkruar Muhamed Zekiri.
Për mundësinë e emërimit të komandant Hoxhës ka komentuar edhe një tjetër pjesëtar i LSDM-së, ish kandidat për kryetar të Komunës së Likovës, Hadi Osmani.
“Pas shumë viktimave të konfliktit të 2001 dhe pas shumë sfidave me të cilat është përballur pas konfliktit, Xhezair Shaqiri me të drejtë ka merituar shpërblim”, ka shkruar Osmani.
Përndryshe, lajmin për emërimin e Xhezai Shaqirit e ka dhënë në rrjetin social fejsbuk Xhevat Iseni, pjesëtar i ndërmarrjes publike për menaxhim me hapësirë.