Komunat shqiptare në borxhe!

Pas daljes së emrave të kandidatëve për kryetar komunash dhe për këshilltarë komunal, për qytetarët sidomos ata shqiptarë, me rëndësi do të jetë edhe ajo se çfarë do t’u premtojnë partitë politike, shkruan gazeta KOHA. Deri më tani, përveç bekatonizimit të rrugëve dhe rrugicave në fshatrat shqiptare, mungojnë pothuajse kushtet elementare për jetesë. Nuk janë përmbushur premtimet për investime në shkolla, ujësjellës, kanalizime, parqe dhe salla sportive, që dukshëm do të rritnin cilësinë e jetesës. Në shumë fshatra shqiptare dominojë gropat septike, të rrezikshme për shëndetin e njerëzve meqë nuk ka ujësjellës dhe kanalizim, ndërsa nga ana tjetër uji i puseve vazhdon ende të përdoret.  Por ajo që është më e rëndësishme, komunat shqiptare janë me xhirollogari të bllokuara nga borxhet.

Kur jemi tek investimet e huaja, që do të ulnin papunësinë , në qytetet shqiptare janë hapur vetëm katër fabrika të reja; një në Tetovë, në Kërçovë dhe një në Strugë. Nga ana tjetër, në qytete ku dominojnë  maqedonasit kemi hapjen e mbi 30 fabrikave të reja, shumica me investitorë  nga jashtë. Vendbanimet shqiptare janë diskriminuar edhe gjatë shpërndarjes së buxhetit për zhvillim të barabartë rajonal,  shpërndarje e cila është e centralizuar dhe paratë janë kanalizuar në bazë të qyteteve prej nga kanë ardhur ministrat maqedonas.

INVESTIME NGA “LARTË”

Sa i përket premtimeve parazgjedhore, nga BDI thonë se janë në përpilim e sipër të programit parazgjedhor, ndërsa sa i përket prioriteteve gjithashtu premtojnë buxheti për komunat do të jetë konsensual. Rritja e TVSH-së dhe vazhdimi i projekteve që prekin infrastrukturën komunale, nga kjo parti theksojnë se mbetet prioritet. Nga BDI premtojnë hapjen e çerdheve të reja, hapjen e qendrave të kulturës dhe investime në sport. “Buxheti që shteti do të ndajë për komunat do të jetë konsensual, investimet qeveritare do të vazhdojnë më tempo edhe më të madhe në vendbanimet shqiptare, kur dihet se BDI ishte këmbëngulëse edhe përskaj qasjes diskriminuese të ish partnerit qeveritar në investime direkte, ne prapë bëmë shumë në infrastrukturë rrugore dhe në sanimin e shkollave  dhe hapjen e disa çerdheve të reja në zonat rurale, por edhe në hapjen e disa sallave sportive. Përsëri nëse marrim mandatin nga populli do të jemi edhe më kërkues në Qeveri, sidomos në nxitjen e rritjes së buxheteve komunale përmes rritjes së TVSH-së deri në 14 për qind,  përmirësim të taksave dhe tatimeve, vazhdimi i përpjekjeve për përmirësimin  e shkollave si dhe hapjen e shkollave të reja dhe drejtimeve te reja, siç ishte rasti me hapjen e paraleles për muzikë për herë të parë në gjuhën shqipe në Kumanovë, në rrugë lokale, në ujësjellës dhe kanalizime, hapjen e qendrave kulturore dhe sallave  sportive”, theksojnë nga BDI.

Nga Aleanca për shqiptarët thonë se për momentin degët po i detektojë prioritetet për komunat shqiptare. Zyrtarë të kësaj partia pranojë faktin se deri më tani buxheti për shqiptarë ka qenë diskriminues, ndërsa premtojnë që në buxhetin për vitin 2018 komunat shqiptare do të financohet në mënyrë proporcionale në raport me mbushjen e arkës së shtetit. “Janë krijuar komisione në kuadër të degëve të cilët po i detektojnë prioritetet e komunave përkatëse. Pothuajse problemet e njëjta janë në çdo qytet ku ne do të garojmë, si pasojë e një buxheti diskriminues dhe jo në harmoni me kërkesat e banorëve. Shpresojmë dhe punojmë qe në hartimin e buxhetit për vitin 2018, komunat shqiptare të financohen në mënyrë proporcionale në raport me kërkesat, por edhe kontributin financiar që mbushet arka e Buxhetit të RM-së. Probleme të rëndësishme ngelin ato esenciale që nuk janë zgjedhur deri tani, duke filluar nga mungesa e ujit të pijshëm siç është rasti i Tetovës, infrastruktura, deponitë e egra, shkollat e reja, ambulanca të reja dhe spitale të reja, kanalizimet, hapësirat e gjelbra për fëmijë, transporti publik, parkingjet e deri tek zhvillimi i ekonomisë lokale, si hapja e fabrikave, që do të forcojë sektorin privat si një mundësi për ta zvogëluar numrin e papunësisë”, thekson Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.StrugaLajm

NJË HERË SKENIM TË GJENDJES, PASTAJ VEPRIM

Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa thotë se partia  e tij, gjegjësisht kryetarët e komunave që do të jenë fitues, së pari do të bëjnë incizimin e funksionimit të tyre e më pas sanimin e kësaj gjendje, kurse më pas të punojnë intensivisht për krijimin e kushteve për investitorët e huaj. Paralelisht më këto, Zendeli thotë se me këtë buxhet që do kenë fillimisht do të punojnë në përmirësimin e standardit jetësor, si dhe investime në segmente që prekin jetën e qytetarëve. “Puna e parë që do të bëjnë kryetarët e komunave që do të jenë nga Lëvizja BESA do të jetë incizimi I gjendjes faktike, sidomos i borxheve që mund të kenë komunat ndaj bizneseve dhe ndërmarrjeve publike, si dhe do të evidentojnë keqpërdorimet e mundshme të kryetarëve të mëparshëm, ngaqë dihet se kemi një parti për shumë vite ka udhëhequr me komunat tona. Me sa di unë shpesh kryetarët aktual të komunave shqiptare nuk kane dhënë raport real të gjendjes financiare, gjegjësisht të borxheve komunale. Hapi i dytë është puna intensive për krijimin e kushteve, si infrastruktura rrugore, kanalizime dhe ujësjellës, elektrifikimi, identifikimi i resurseve natyrore dhe krijimi i ekipeve që do të punojnë në thithjen e investimeve nga jashtë. Paralelisht më këto, njerëzit e  BESËS do të punojnë me atë buxhet qe kanë, por me mundësinë që të rritet ai përmes urbanizimit të fshatrave shqiptare dhe vjeljes së taksave dhe tatimeve që të investojmë në përmirësimin e standardit jetësore, në ambient të pastër, ujë të pastër, shkolla të mira e të pastra, gjelbërime të qendrave të fshatrave, dhe në shumë segmente tjera të pushtetit lokal”, thekson Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA. Zgjedhjet lokale janë caktuar për më 15 tetor. Do të zgjidhen kryetarë të komunave dhe këshilltarë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

In : Aktuale

Loading...
loading...