Korrupsioni alarmant

Është naive, për të mos thënë deficitare – të mendosh se ky sistem nuk ka nevojë për NDRYSHIM, se ky lloj shteti i vogël me këtë pushtet gjigand kanë gjeneruar KORRUPSION ALARMANT. E thotë Transparency International!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Maqedonia e Veriut sipas raportit të fundit të Transparency International (TI) rendit e 106-a për nga korrupsioni i lartë që e karakterizon si shtet. Në këtë listë mekanizmi i renditjes shkon nga më pak të korruptuarit që shënohen në vendet e para deri tek më shumë të korruptuarit që i shkruhen fundit të listës. Kështu Danimarka është për shembull shteti që mban vendin e parë si më pak i korruptuari duke treguar për institucione solide dhe sistem të konsoliduar.

Kurse Maqedonia e Veriut nxinte në vendin e 93-të në vitin 2018, dhe për surprizë të edhe më pesimistëve vetëm një vit më vonë ulet edhe për plot 13 vende në klasifikim! Vlerësimin e bën pikërisht organizata prestigjioze Transparency International, e cila ka në fokus pikërisht luftën ndaj korrupsionit. Me seli në Berlin të Gjermanisë kjo organizatë jo qeveritare ka fituar prej vitesh statusin e gjykatësit më real të gjendjes së korrupsionit në botë. Sipas saj, ka një formulë që sjellë përgjigje shumë të saktë në lidhje me korrupsionin: sa më i lartë korrupsioni në një shtet aq të dobët janë institucionet demokratike dhe të drejtat politike. Kujdes: sepse tek ne as nuk ekziston koncepti “e drejta politike” i cili në asnjë moment nuk duhen të ngatërrohen me të drejtat e partive e ca më shumë të pushtetit. Të drejtat politike dhe civile janë ato të cilat e mbrojnë një qytetar nga shteti i cili, ky i fundit, shpesh herë duke rënë pré e pushtetit kthehet në një vegël të rrezikshme në duart e pikërisht atyre që janë gjeneratorët e korrupsionit. Korrupsioni në shtet është shumë i thjeshtë të kuptohet se si ndodh:

Një zyrtar i një prej zyrave të shtetit, deri në hierarkinë më të lartë, shfrytëzon kompetencat e postit për të përvetësuar të mira personale! Sipas TI (Transparency International), viti 2019 ka qenë viti ku korrupsioni në shtetin tonë ka njohur pikun e tij. Në vendin e 106 me ne ndodhet dhe Shqipëria por në krahasim me të ne kemi rënie më të lartë se ajo, domethënë sipas të dhënave ndërkombëtare tashmë: 2019 shënoi për Maqedoninë e Veriut një vit korruptiv që madje e zbriti edhe më poshtë në renditje shtetin tonë që është pozicionuar edhe më poshtë shteteve si Vietnami apo Etiopia! Ndërkohë që disa politikanë dhe pilotë të korrupsionit mundohen të na mbulojnë diellin me shosh, duke na folur për integrime, integritet e integrale, një skaner i fuqishëm ndërkombëtar ju nxori lakrat në shesh!StrugaLajm

Çfarë do thonë tani?! Që gënjen edhe Berlini?! Që Gjermania ka qenë jetë e mot kundër BDI-së dhe shfrytëzon rastin për të bërë anti-fushatë?! Nga këta mendjetrazuarit çfarë s’pritet por duhet dhe është mirë ta dinë se: nuk i beson më njeri! Ama askush! Goditje më të rëndë për qeverinë në këtë prag fushate se sa ky raport që denoncon korrupsion duke na klasifikuar në mënyrë flagrante në vendin e 106 është një arsye madhore për qeverinë që të japë dorëheqjen! Rrini rehat, se e di që qeveria nuk është e përbërë nga suedezë apo zviceranë të përgjegjshëm, por nga disa ballkanas të paformuar që janë aktualisht lider të korrupsionit, dhe ndaj këtyre njerëzve sigurisht që nuk pritet asnjë akt demokratik e qytetar. Nga ana tjera ama zgjedhjet e 12 prillit janë tek dera dhe ndëshkimi pret po aty. Lufta ndaj korrupsionit është një nga sfidat më të forta ballkanike në fakt, sepse varfëria, papunësia dhe centralizimi i pushtetit në duart e atyre që janë kthyer në qytetarët më të pasur të rajonit, krijojnë një klimë të egër për një shtet normal që funksionon për individin.

Nga ana tjetër kthehem sërish tek raporti i Transparency International që tashmë argumenti më i fortë, fotografia më e qartë se ku ndodhemi, ende më mirë duhet thënë: se ku na kanë çuar!!!

Deri para se të dilte ky raport publikisht, para se të fliste Transparency International dukej se zhurmuesit lokal, lidhën dhe njëherë kravatën e demagogëve e duke përzënë njerëzit me lopata përditë vunë tellallin e arritjeve, por ja që kësaj here dështimin e tyre 2019 zyrtarisht e vërtetoi Transparency International! Është fëmijërore, madje le t’i respektojmë fëmijët në zgjuarsinë e tyre çdoherë të admirueshme e mos t’i krahasojmë me grupe defiçente, ndaj nuk është fëmijërore, por është naive, për të mos thënë deficitare – të mendosh se ky sistem nuk ka nevojë për NDRYSHIM, se ky lloj shteti i vogël me këtë pushtet gjigand kanë gjeneruar KORRUPSION ALARMANT. E thotë Transparency International!

In : Aktuale

Loading...
loading...