Kthimi i kredive, varësisht nga pandemia

Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhovska, theksoi se në rast se kemi një valë të dytë të krizës, mund të anulohet sërish pagesa e kredive, kurse nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë thonë se anëtarët e saj do të shqyrtojnë mundësinë për ndihmë të mëtejshme për popullatën dhe ekonominë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 19 tetor – Mbi 70 për qind të qytetarëve që kanë anuluar kthimin e kredive për gjashtë muaj, prej fillimit të tetorit sërish do të fillojnë me kthimin e borxheve në këste ndaj bankave. Për periudhën prill-shtator, qytetarët do të paguajnë vetëm koston e kamatave, që do të shpërndahet në këstet e ardhshme. Masa të tilla u miratuan për të lehtësuar ngarkesën financiare të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Lehtësimet janë ofruar për të gjitha llojet e kredive, si ato konsumatore, banesore, për automjetet, borxhet në kartela e kështu me radhë.

Jozyrtarisht merret vesh se bankat po bëjnë llogaritë mbi mundësinë eventuale të zgjatjes së masave edhe pas muajit tetor. Nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë thonë se në rast se rrethanat që ndërlidhen me pandeminë e Kovid-19 imponojnë masa të reja, anëtarët e saj do të shqyrtojnë mundësinë për ndihmë të mëtejshme për popullatën dhe ekonominë, ndonëse është vështirë të parashikohet se si do të rrjedhin ngjarjet më tej. “Ne si shoqatë së bashku me anëtaret tona po ndjekim me vëmendje situatën në ekonominë vendore dhe punojmë që maksimalisht të përkrahim ekonominë përgjatë krizës dhe pas përfundimit të saj”, thonë nga Shoqata e Bankave.

Nga Banka Popullore sqarojnë se nëse ka nevojë edhe mund të shqyrtohet mundësia e zgjatjes së kësaj mase. Kohë më parë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhovska, theksoi se në rast se kemi një valë të dytë të krizës mund të anulohet sërish pagesa e kredive. Sipas saj, shteti po ballafaqohet me një situatë mjaft specifike, ku të gjithë faktorët e politikave duhet të reagojnë bile edhe në bazë ditore. Masa të tilla lehtësuese bankare po praktikohen edhe në shtetet e rajonit. Shqipëria ka shtyrë edhe për tre muaj të tjera pagesën e borxheve ndaj bankave, ndërkohë bankat komerciale në Kosovë kanë pranuar rreth 66 mijë kërkesa për shtyrje të kredive, vlera e tërësishme e të cilave është 1.6 miliard euro.StrugaLajm

Mali i Zi pas moratoriumit tremujor, ka miratuar afat shtesë prej tre muaj për anulimin e kredive.

Serbia ka zgjatur deri më 30 shtator afatin e pagesës së kredive, pas anulimit fillestar prej tre muajsh. Kroacia ka mundësuar shtyrjen e pagesës së kredive për tre muaj, me mundësi për shtyrjen shtesë për tre muaj. Në ndërkohë, të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se pas rënies minimale prej 0.1 për qind në muajin prill të kredive të amvisërive, megjithatë ato fillojnë të shënojnë rritje në muajt në vazhdim. Në muajin maj është shënuar rritje mujore e kredive për popullatën prej 0.9 për qind, ku me 81 për qind dominojnë kreditë në denarë. Edhe në muajin qershor po shënohet rritje prej 1.3 për qind e kredive në nivel mujor, që më së shumti rrjedh prej kredive në denarë. Kreditë konsumatore janë rritur nga muaji maj në muajin qershor, prej 93.935 milionë denarë në 94.982 milionë denarë apo 1.54 miliardë euro. Për këtë periudhë njëmujore shënojnë rritje edhe kreditë banesore prej 53.631 milionë denarë në 54.392 milionë denarë apo afër 885 milionë euro.

Njëherësh, të dhënat zyrtare tregojnë edhe rritje të borxhit të qytetarëve ndaj bankave prej 176.010 milionë denarë në muajin maj të këtij viti, në 178.384 milionë denarë në muajin qershor të këtij viti. Thënë ndryshe, borxhet e amvisërive ndaj bankave kanë arritur në 2.8 miliardë euro.

In : Aktuale

Loading...
loading...