BLENDI PETROL
AktualeOpinion

Ku i kemi fëmijët?! Deri kur sytë e nënave shqiptare do të nxjerrin lotë?!

shkruan:Fatmir Bashli

Kjo asht e vetmja gja qe kam shkru e nuk kam mujt me e lexu kurr deri ne fund…

*******************

Ku i kemi fëmijët ?!

Dalim në rrugë – ato janë të zbrazëta. Kthehemi në shtëpi – edhe ajo është e zbrazur. Duam të flasim me ata që vetë i sollëm në jetë, por s’i kemi pranë e s’u flasim dot.

Duam t’i përqafojmë , por duart veçse zgjaten hapësirave të ngrira të shtëpive – shurdhe e ne veçse gënjejmë sedrën tonë se fëmijët janë tanët, pa çka se rrugëve të botës …

Dalëngadalë kuptoj se një nga një po na ikën gjithçka për të cilën kemi jetuar, gjithçka për të cilën bëmë sakrifica deri në vetëmohim.

Jo,jo, nuk është mosha ajo që po na ikën, është diçka më shumë; janë fëmijët – ata që na e shterrën gjoksin dhe na i lanë përgjithmonë sytë të lagur me lotë. Janë ata që ikën për të na bërë ne më të lumtur, sigurisht që pa e kuptuar se me ikjen e tyre, pa dashur na vranë …

Janë bërë fëmijët tane aq të largët, aq të akullt, aq të ftohtë ndaj nesh, sa na duken herë – herë të huaj ( sigurisht që ndikon tek ata largësia, por edhe mënyra e jetesës në vendet ku jetojnë).

Dhe ne ndihemi fajtorë (pa patur faj?), ndihemi fajtorë, se nuk mundem t’i mbanim këtu, pranë nesh, t’i kishim pranë, nëse jo në shtëpi, që t’u merrnim erẽ, sa herë të donim, t’i puthnim kur të dëshironim, madje edhe të zgjoheshim netëve, si dikur, thjesht t’i mbulonim (se detyrat e prindit, pa e kuptuar shndërrohen në instikte e këto – në forma gjallimi), se kur je prind jeton edhe për ta (fëmijët).

Por ata ikën, ikën për ne, që të na ndihmonin ekonomikisht. Ikën që të na bënin më të lumtur . Ikën që familjet tona të jenë më të gëzuara …

Por , a jemi ne më të lumtur, më të gëzuar, a më të pasur tani ?!

Me ikjen e tyre na bënë më të varfër, se bashkë me ta iku e vetmja pasuri e pazëvendësueshme që kishim. Ishim shumë e shumë më të lumtur disi “fukara”, por bashkë.

Po cilës nënë i duhet leku, kur nuk e din se, a ka për të ngrënë një gjellë të ngrohtë fëmija i saj, apo mos është i sëmurë e s’ka se kush ia jep një gotë ujë?!

Po ku ka pasuri më të madhe se aroma e fëmijës tënd, se shikimi i syve të tij, se përqafimi i tij?!

Edhe vetëm kaq mjafton për një prind. Ky është thesari më i madh për ta. Por, kur këputet ky fill, nuk të ngroh asgjë në botë; as vila 3 – katëshe që është e akullt pa praninë e fëmijëve dhe pa zërat e tyre, as rrobat e bukura, që fëmijët t’i kanë blerë, pa të cilët ti nuk bën dot as edhe një foto, as makina që të kanë sjellë, që rri në oborr se s’ke ku shkon i vetëm.

Pra, erdhi kjo kohë (covidiane), që ka e gjitha simptomat e covid – it. Nuk të shijon asgjë, nuk nuhat asgjë, je i mpirë dhe të dhemb çdo gjë.

Të dhemb zemra për ata që na e thanë zemrën, të dhemb syri kur shikon çdo ditë në televizor politikanët e krekosur, që mbajnë fjalime se si do të na i bëjnë fëmijët të lumtur…

Për cilët fëmijë e kanë fjalën vallë, se këtu vetëm fëmijët e tyre kanë mbetur!! Të dhemb trupi çdo ditë e më fort, sikur të ta heqin nga një copë mish, kur të largohen fëmijët për jashtë – atje ku ti mund ta shohësh, por nuk mund ta prekësh.

Por deri kur do të vazhdojë kjo torturë?! Deri kur fëmijët tanë do t’i gëzojnë (teksa i shfrytëzojnë) të tjerët?!

Deri kur sytë e nënave shqiptare do të nxjerrin lotë?!

Kur nënat tona do të flejnë qetë netëve, si të gjitha nënat e botës?!

Deri kur nënat tona do të rrijnë me sytë nga dera, duke shpresuar që t’u shfaqen fëmijët?!

Çfarë bënë këto nëna që ta meritojnë këtë denim?!

Çfarë bënë gabim, që të sakrifikojnë gjënë më të shtrenjtë që kanë ?!

Po, një gabim e bënë e për atë po paguajnë tani – bënë gabim që lindën këta politikanë “harpagonë’, të pashpirt, që nuk njohin as nënë e as baba, por vetëm pushtetin.

Ndoshta ata nuk besojnë që lotët dhe mallkimet e një populli nuk mund të shkojnë kot … nji ditë do t’u kthehen me patjetër e do paguajnë për to …

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button