Ku mbeti posti i zv/kryeministrit të “byrekut”?!
Qeveria me rikonstruimin dhe zgjerimin qeveritar ka ngelur pa postin e zëvendëskryeministrit për reforma apo që me ironi u quajt si zv/kryeministër për “byrek”. Burime qeveritare thonë për INA se ky post është hequr dhe nuk do të ketë emërim të asnjë kuadri, për shkak se Qeveria do të emërojë koordinator nacional, të cilët do të kryejnë punën e ngjajshme.
Zëdhënësat e Qeverisë nuk kanë dhënë shpjegime se përse nuk është emëruar ky post, pasi që sipas tyre, në këtë aspekt bëhet fjalë për çështje politike mes partnerëve të koalicionit.
Ky post ishte mollë sherri që Aleanca Shqiptare të largohet nga Qeveria e koalicionit, duke mos pranuar që këtë post ta ndërrojë me Ministrinë e Shëndetësisë, që para zgjedhjeve të fundit lokale e mbante Arben Taravari.
Kreu i ASH-së, Ziadin Sela në takimin e fundit të ndarjes me kryeministrin Zoran Zaev konfirmoi se i është ofruar ky post, duke e cilësuar me ironi si zv/kryeministër për byrekun, pasi që sipas tij është një pozitë nënvlerësuese pa asnjë kompetencë.
Por nga ana a tjetër, kryeministri Zaev kishte paralajmëruar se ky post do të ishte i rëndësishëm që do të koordinonte të gjitha ministritë për çështjen e reformave dhe aspekte tjera.
Po ashtu edhe në buxhetin për 2018 ishte ndarë buxheti për kabinetin e kësaj zv/kryeministrie, ashtu që ishin paraparë mbi 3 milionë denarë.
Nga Qeveria e Maqedonisë atëkohë deklaruan se zëvendësministri për Reforma nuk do të ketë objekt, nuk do të jetë institucion që do të funksionojë në kuadër të objektit të Qeverisë por as edhe kabinet qeveritar, siç qëndron rasti me zëvendëskryeministrin për Ekonomi, Koço Angjushev, por do të jetë post i vetëm një individi që do të kishte rrogë të njëjtë sikurse zëvendëskryeministrat tjerë që kryejnë funksione ministrore. (INA)