Aktuale

Kujdes,po shtohen të sëmurët nga ajri i ndotur në Strugë!

Cilësia e ajrit që thithin struganët këto ditë ka qenë temë diskutimi pothuajse në çdo ndeje dhe kuvendim, nisur kjo edhe nga zjarri që përfshiu deponinë e qytetit. Për një pjesë të qytetarëve kjo që ndodhi gjatë këtyre ditëve, duhet të shërbejë si paralajmërim i fortë që kjo problematikë të zgjidhet njëherë e mirë, të paktën duke e dislokuar deponinë nga lokacioni aktual. Ndërkohë, e gjithë kjo që ndodh me ndotjen e ajrit për mjekët është e patolerueshme, sepse jep indikacione në shëndetin e qytetarëve. Për pulmologun, Arben Labënishti, i punësuar në Spitalin e Strugës, cilësia e ajrit është një nga faktorët që luan rol të rëndësishëm në shëndetin e njeriut, veçanërisht ndikon te mushkëritë. Labënishti thekson se nëse gjendja e cilësisë së ajrit nuk përmbush parametrat e kërkuara, me shumë gjasë do të ketë një reflektim në përkeqësimin e shëndetit të qytetarëve. Berat Sela, nga Shoqata ekologjike “Natyre”, thekson për KOHA se dëmi që i shkaktohet qytetarëve të Strugës është i pallogoritshëm nga deponia vetëm disa metra larg qytetit dhe rrjedhës së Drinit të Zi. Sela pasi kërkon spostimin e menjëhershëm, nënvizon se janë shtuar rastet e sëmundjeve malinje jo vetëm te të rriturit, por edhe te fëmijët, situatë që duhet t’i alarmojë të gjitha strukturat. ”Nëse ne si shoqëri nuk reagojmë që deponia të largohet nga aty, dëmet nga viti në vit do të rriten si nga pikëpamja ekologjike, ashtu dhe në drejtim të cilësisë së jetës. Situata është alarmante. Janë rritur rastet e të sëmurëve nga kanceri dhe sëmundje të tjera që kanë prekur edhe fëmijët“ thekson ai.

Deponia që funksionon prej 12 vitesh vetëm 200 metra larg qytetit në fushën e Strugës, është shndërruar në një bombë me sahat që po rrezikon cilësinë e jetës të qytetarëve të këtushëm. Gjendja nga aspekti i ndotjes rëndohet në masë, sidomos në rastet kur pjesë të saj kaplohen nga zjarri gjë që përveç tymit sjell një aromë të padurueshme sidomos për qytetin dhe vendbanimet e tjera në afërsi. Spostimi i deponisë nga aty në disa raste është bërë edhe “kalë beteje” në ciklet e kaluara zgjedhore, por është harruar me të mbaruar ato. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

 
Back to top button