Kur “analistëve” u injektohet guxim

Shkruan: Shkëlzen HalimiStrugaLajm

Vetëm pushtetin nuk e zë gjumi. Në fakt, edhe nëse kotet pak, njërin sy gjithmonë e ka të hapur. I vetëdijshëm për vlerat e demokracisë, pushteti kundërshtarët e vet i lufton me “metoda demokratike”, përmes shërbimeve manipuluese partiake, të cilët, veç marifeteve tjera, gjejnë vullnetarë (të etur për pushtet) që pranojnë t’u injektohet guximi intelektual për t’u vetëshpallur si “analistë”, gjithnjë duke mbrojtur midis rreshtave pushtetin, por edhe duke bërë përpjekje që ta turbullojnë mendimin opozitar. Në fakt, këta janë të ashtuquajtur “analistë”, të cilët në esencë nuk kanë as njohuri elementare për ABC-në e politikës, por që kryesisht ose përsërisnin mendime të të tjerëve që i huazojnë, ose vetëm japin konstatime për diçka që edhe fëmijët janë në gjendje ta konstatojnë. “Analistët” e guximshëm të elitave politike që janë vënë në shërbim të politikës ditore dhe kanë hapësirë të mjaftueshme për t’i paraqitur mendimet e mësuara përmendësh, për ta dëshmuar besnikërinë e qenit, fare nuk hezitojnë të nënshkruhen edhe në tekstet e gatshme, të cilat, në prapaskenë, për paga simbolike, i shkruajnë larot ose hyzmeqarët e pendës, të cilët gjithnjë janë në gjendje gatishmërie.StrugaLajm

Një nga format tjera të joshjes dhe krijimit të grupimeve (pseudo)intelektuale, që në fakt do të tregohen si grupime të mbyllura, sepse potenca e tyre intelektuale nuk premton ndonjë vlerë të qëndrueshme, është edhe pozicionimi i tyre në disa vende të kontrollueshme, të cilët kanë vetëm një detyrë: t’u shprehin merita atyre që i pozicionojnë në ato vende. Nga këto grupime (që do të gëzojnë të mira materiale) do të dalin edhe disa biçim njerëz që do të thonë: “ne jemi njerëz të kulturës”. Dhe, ata do t’i këndojnë partisë, do të thurin vargje partiake, do të aktrojnë për partinë, pikturojnë për partinë dhe çka nuk bëjnë për partinë, vetëm e vetëm që t’i japin identitet kulturës partiake. Pra, ky është profili i përfaqësuesve të grupimeve të mbyllura partiake, që ia bëjnë rrethojën e mbyllur partisë, duke u përpjekur që nga ky rreth mos të arrijë të përvijohet turpi që e ka katandisur shoqërinë shqiptare.

Pararoja e këtillë (pseudo)intelektuale, duke rënë në trans për shkak të ekzaltimit nga faktorizimi i saj, në të vërtetë kanë marrë rolin e cirkut, ku palaçot janë të vetmit që argëtojnë publikun, edhe ashtu të manipuluar nga marrja e biletave falas për ta përcjellë një “program” me të gjitha nishanet e një cirku të vërtetë.

A ka vdekur shpirtëroja, vallë?


Loading...
loading...