Para për rroga më të larta në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje, më shumë para për reformat në mbrojtjen sociale dhe fëmijërore dhe sistemin pensional, si dhe mjete për vendosjen e “naftës së gjelbër” në bujqësi, janë paraparë në Propozim-buxhetin për vitin 2019, që sot e ka prezantuar Ministria e Financave para odave, sindikatave, sektorit joqeveritar dhe mediat.
Me propozim-buxhetin, i cili viti i dytë me radhë publikisht prezantohet para palëve të involvuara, janë paraparë rroga më të larta për 10 për qind për mjekët specialistë nga janari i vitit të ardhshëm dhe edhe pesë për qind në shtator për të gjithë mjekët. Rritje e rrogave për pesë për qind nga shtatori i vitit të ardhshëm janë paraparë edhe për punëtorët në arsim. Pesë për qind rrogë më të lartë të shtatorit pritet të marrin edhe të punësuarit në administratë, por në Propozim-buxhetin për vitin 2019 nuk janë paraparë para për pagesë të K-15 në sektorin publik.
Të ardhurat e përgjithshme në arkën shtetërore për vitin 2029 janë projektuar në 210,8 miliardë denarë, ndërsa harxhimet e përgjithshme në 228,5 miliardë denarë. Rritja e BPV u projektua në 3,2 për qind, ndërsa shkalla e inflacionit në dy për qind. Deficiti i buxhetit është projektuar në 2,5 për qind ose 17,7 miliardë denarë, që është për 500 milionë denarë më pak në krahasim me këtë vit.
“Siguruam konsolidim të matur dhe të shkallëzuar fiskal. Nëse para dy viteve deficiti buxhetor ishte tre për qind nga BPV, tani e zvogëlojmë në 2,5 nga BPV dhe vlerësojmë se kjo është ulje serioze dhe hap i duhur. Nuk shkojmë drejt zvogëlimit radikal”, sqaroi Tevdovski, duke shtuar se deficiti do të mbulohet nga burime të vendit dhe të huaja varësisht nga kushtet e tregut.
Me konsolidimin e shkallëzuar fiskal, siç sqaroi Tevdovski, përgatitet vendi për atë që na pret në vitet 2020 dhe 2021, respektivisht pagesë e borxheve nga pushteti paraprak.
Sipas projeksioneve të Ministrisë së Financave për rroga dhe kontribute në administratën publike janë paraparë 28,3 miliardë denarë, ndërsa për pensione 56,4 miliardë denarë. Nga Buxheti në Fondin për SPIM do të transferohen 28,1 miliardë denarë.
Dy miliardë e dyqind milionë denarë janë planifikuar për sistemin e reformuar për mbrojtje sociale dhe fëmijërore, ndërsa planifikohet edhe vendosja e pensionit social për rreth 6.000 persona, të cilët kanë të paktën një ditë stazh pune dhe 65 vite të mbushura.
Investimet kapitale janë projektuar në 25,7 miliardë denarë, ndërsa ministri i Financave pret që vitin e ardhshëm të përshpejtohet realizimi i këtyre projekteve.
“Ministria e Financave vazhdimisht bën presion në të gjitha institucionet të cilat kanë projekte të tilla, që t’i realizojnë. Shumë herë ata ballafaqohen me probleme të mëdha si dokumentacione projektuese dhe mirë është se në këtë moment një pjesë e madhe e problemeve të tilla janë zgjidhur te projektet e mëdha dhe presin se do të përshpejtohet realizimi i investimeve kapitale”, tha Tevdovski, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë do të jetë mekanizmi, i cili do të zbatohet që investimet kapitale të realizohen tërësisht.
Nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) paralajmëruan se nëse nuk motivohen të punësuarit në arsim, shteti do të ballafaqohet edhe me largim të kuadrove me arsim të lartë në sferën e arsimit.