Lëvizja BESA: E përshëndesim marrëveshjen Maqedoni-Greqi

Sot, kur u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, Lëvizja BESA gjen rastin t’i përgëzojë kryeministrat Zaev dhe Cipras, si dhe ministrat e Jashtëm, Dimitrov dhe Kocijas, për këtë sukses me përmasa historike për vendin. Ndonëse, si shqiptarë, mund të kishim bërë edhe saktësime për pjesë të caktuara të marrëveshjes – që kanë të bëjnë me identitetet etnike dhe gjuhësore në vend, por kur kihet parasysh se kjo marrëveshje është hap për anëtarësim në NATO dhe hapje të negociatave për BE, mbase ky duhet të jetë edhe kompromisi jonë. Nëse Maqedonia dhe shqiptarët largohen nga zona “e rrezikut” dhe “e zjarrit”, ndërpritet mundësia e destabilizmit, krijohet siguri, hapen rrugë për zhvillim ekonomik dhe për sundimin e shtetit të së drejtës, këto janë material i mjaftueshëm që edhe të drejtat etnike shqiptare në të ardhmen të harmonizohen me standardet europiane. Me rëndësi është që Maqedonia prej sot e ka ndarë udhën.

Momenti i dytë i rëndësishëm për ne është fakti që Lëvizja BESA u bë pjesë e shumicës parlamentare dhe e qeverisë pikërisht për këto arsye dhe kjo sot u valorizua. Në këtë çast historik ne ishim në anën e integrimit dhe stabilitetit. Andaj, ne mund të mburremi se sot e realizuam një pjesë të detyrimit tonë ndaj votuesve shqiptarë dhe qytetarëve të vendit. Hisja më e madhe tashmë është marrë – Maqedonia shkon sigurisht drejt NATO-s. Dhe, për dallim prej disa partive në të kaluarën, që mbështesnin qeveri me arsyetimin “në qeveri për NATO”, te ne ky nuk ishte premtim bosh, por diçka që sot po bëhet realitet.

Momenti i tretë i rëndësishëm është se kërkesa jonë që, me emrin e ri, identiteti shtetëror të ndahet nga identitetet etnike në vend tashmë është përmbushur. Tash “macedonian” nuk është përkatësi shtetërore, por vetëm përkatësi etnike, ndërsa të gjithë qytetarët e vendit do të jenë “qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Kjo është në frymën e platformës RIDEFINIMI të Lëvizjes BESA, sepse kështu shteti po shkon drejt deetnizimit dhe shndërrimit nga një shtet monoetnik në një shtet mirëfilli multietnik.

E fundit mund të theksohet se neve na vjen mirë që kjo marrëveshje nuk e ka prekur identitetin etnik të kombit maqedonas dhe të gjuhës maqedonase, sepse – siç kemi thënë – në asnjë rast nuk do të donim që bashkëqytetarët tanë të dëmtohen nga një marrëveshje e tillë.StrugaLajm

Marrë në tërësi, Lëvizja BESA e përshëndet arritjen e marrëveshjes, që është historike jo sepse e ka zgjidhur një problem me traditë shumëvjeçare, por sepse hap një kapitull të ri të historisë së këtij vendi. Prandaj, përfitojmë nga rasti që të gjithë shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të tjerë të vendit, t’ua urojmë këtë sukses dhe t’i ftojmë të angazhohemi bashkërisht në implementimin e saj, sepse vetëm ashtu ne trasojmë e rrugën, për të cilën do të na falënderojnë edhe gjeneratat pas nesh.

In : Aktuale

Loading...
loading...