Maqedonia e “heronjve në gomarë” 

“Vaj, vatani, mjerë mileti”, kishte shkruar Noli ynë, sikur ta kishte pasur për këta që e mbrojnë kështu vatanin e tyre. Tek më sillen nëpër kokë gjithë ata heronj që vendit të tyre vetëm se ia kanë ndalë hovin e zhvillimit, ecjen nga ardhmëria, më kujtohet romani i Miodrag Bullatoviqit, “Heroi në gomar”

Nga Daut DAUTIStrugaLajm

Maqedonia është vendi i çudirave! Nuk më kujtohet kush e ka thënë i pari këtë, por, kushdo që të ketë qenë, duhej ta patentonte. Ka shumë arsye për ta trajtuar vend të çudirave. Ndoshta çuditë mund të barazohen edhe me marrëzitë. Varet si do t’i shikojmë, si mrekulli apo si marrëzi. Por, më duket se në këtë vend çudirash, nuk mundet pa heronj. Pa heronj të një soji të veçantë. Ndoshta pikërisht ata e bëjnë të tillë(lexo: për t’u çuditur)…
Nuk dua ta kthej kohën shumë prapa, të cilat gjeneratat që rriten tash e trajtojnë si histori e largët. Mjafton të kthehemi në kohën a atyre gjeneratave që e mbërrin të paktën shembjen e komunizmit dhe lindjen e Maqedonisë së pavarur, që përkon me demokracinë. Ardhja e demokracisë. Ardhja e shpresës për një shoqëri më të drejtë, të lirë, demokratike. Por, gjenerata ime, që kishte nisur të hyjë në vitet e pjekurisë jetësore, e në aspekt tjetër edhe të pjekurisë profesionale, shumë shpejt do të dëshpërohet. Sepse, demokracia, si kthesë plot shpresë, erdhi me shumë paradokse. Solli heronjtë e vet. Po e shikoj atë kohë edhe nga një këndvështrim shqiptar, që prisnim një kohë më të mirë,kohë korrigjimesh të padrejtësive që na kishin ndodhur në regjimin komunist. Por, ata, që unë i quaj heronj të rinj, sollën një frymë të mbrapshtë jo atë pozitiven. Ky ishte paradoksi i parë i ndryshimeve! Vrazhdësinë ideologjike komuniste, sidomos atë periudhën e fushatës nacionaliste Millosheviqit që u ndje edhe në Maqedoni, ata e zëvendësuan me histeri nacionalshoviniste të ngjashme. Po, euforia e tillë që në zgjedhjet e para demokratike, i solli fituesit e vet të befasishëm, ata që ngritën flamurin e fitores duke iu kërcënuar shqiptarëve. Dhe qëndrimi ndaj shqiptarëve do të jetë “municioni” i tyre zgjedhor për gjithë vitet në vijim, që vinte me pluhurin(“opiumin”) që ua hidhnin syve njerëzve të manipuluar me “gogolin shqiptar”.
Isha ndër ata gazetarë që e patën përcjellë konferencën e parë për shtyp të partisë VMRO-DPMNE, mbajtur në Bibliotekën Kombëtare Universitare, posa ishte shfaqur. Gjëja kryesore që më la përshtypje nga djaloshi 25 vjeçar me flokë të gjata e mjekër(si ndonjë rok-muzikant), anonimusi Lubço Georgievski, ishte se problemi për Maqedoninë na qenkan 150 mijë kosovarët e ardhur në Maqedoni. Një koleg maqedonas, në shenjë solidariteti u kthye nga unë “Bëhu gati, ky e ka me gjithë mend…”, ndonëse unë nuk isha ndër ata “problematikët” e ardhur nga Kosova. Denbabaden kisha qenë këtu.
Pas disa muajsh, kur kujdestaronim si raportues në Kuvend për të marrë rezultatet zgjedhore, një hero i kësaj “druzhbe” të Lubços, Vllado Gollubovski( i harruar tashmë), midis dy rretheve zgjedhore, me histerinë antishqiptare në fushatë, kishte arritur që partisë së tij t’ia sigurojë 48 deputetë, kundrejt 31 të komunistëve të reformuar. Heronjtë e ri, vërtet dinin si ta shisnin veten. Por, për shkak të imazhit të keq, dhelpra e vjetër, Gligorovi, nuk do t’ia japë partisë së tillë mandatin për qeveri, por as Lubçoja i papjekur dhe i papërgatitur për t’iu rrekur punëve të mëdha të shtetit(për fillim vetëm fjalët i kishte të mëdha), as që insistoi ta merrte me çdo kusht.
Por, në vitet në vijim, të tjerët, ata që shumëkush i quante “të maturit” do ta merrnin drejtimin e shtetit, por as ata nuk do të bënin asgjë më shumë sesa në suaza të qëndrimeve rigide të nacionalistëve, aty-këtu do të shprehnin ndonjë gatishmëri për të bërë diçka, si bie fjala të hapnin fakultetin pedagogjik në vend të universitetit. Dhe vijmë prapë te heronjtë, nga radhët e “junoshëve” të VMRO-së(kushedi kush u mbillte këtë farë të urrejtjes pikërisht të rinjve), siç është Filip Petrovski, që të dalin para kuvendit dhe në çadra të qëndrojnë me ditë, që të protestojnë kundër hapjes së këtij fakulteti. Dhe të rrahin gjoks me marrëzitë e tipit “gasni komori za shqiptari”, që ka mbetur si një episod i turpshëm që nuk mund ta lajnë kurrë me asnjë lloj transformimi. Por, të tillët heronj, do ta materializojnë me karrierë politike, deputetë, drejtorë institucionesh. Heroi i dikurshëm pa push në fytyre, sot me mjekër dhe me thinja, nuk e ka harruar zanatin e vjetër, përsëri proteston. Kundër ndryshimit të emrit. Dikur kundër shqiptarëve, sot edhe kundër “shkombëtarizimit” të maqedonasve. Ka më pak ithtarë se dikur. Ndoshta tashmë është një donkishot, që edhe populli i vet e ka kuptuar se çkado që bën, është në dëm të shtetit, prandaj ka shumë pak njerëz që t’i shkojnë prapa. Por, atij kanë nisur t’i bëjnë konkurrencë heronj të ngjashëm si ai. Heroina madje (t’më falin heroinat, nuk se kam ndonjë paragjykim ndaj tyre). Del Sollza Gërçeva, që sipas emrit që ka, dhe e qan hallin e Maqedonisë. Dhe shih paradoksin, në tubim që organizon ajo, del Petrovski të flasë dhe atë nuk e lënë të hipë në binë! Ç’kohë e keqe për heronjtë. Vetëm pak ditë njëri prej tyre që bëri karrierë në decentralizimin pas 2001-shës, të cilin ithtarët e tij nisën ta ngrisin në histori si të dytin pas Lekës së Madh, sot në mënyrë “heroike” ia mbathi përtej kufirit.
Me heronjtë e vet, Maqedonia nuk po ka shumë fat. “Vaj, vatani, mjerë mileti”, kishte shkruar Noli ynë, sikur ta kishte pasur për këta që e mbrojnë kështu vatanin e tyre. Tek më sillen nëpër kokë gjithë ata heronj që vendit të tyre vetëm se ia kanë ndalë hovin e zhvillimit, ecjen nga ardhmëria, më kujtohet romani i Miodrag Bullatoviqit, “Heroi në gomar”. Nuk e kam lexuar veprën, por duke kërkuar diçka më konkrete në internet, hasa në një tipizim të kryeprotagonistit, që ndryshe mund ta quajmë antihero. Protagonisti i atij romani është një figurë komplekse, në kohë komplekse të okupimit italian në Mal të Zi, ka një veprimtari dhe qëllime komplekse kundrejt okupatorit por dhe me çlirimtarët, bashkëpunon me të gjithë, por askush nuk e kupton seriozisht përderisa dëshiron të bëjë diçka “të madhe”, as italianët e marrin si rrezik serioz, as partizanët si pjesëtar të tyre, dhe satisfaksioni më i madh për të kur si njeri të rrezikshëm e fusin në burg ata të cilëve me “veprimtarinë” e tij u kishte shërbyer më së shumti. Titulli i romanit, por dhe ajo që munda ta kuptoj kontekstin ironik, sa shumë do t’u shkonte përshtati këtyre “heronjve” të demokracisë së Maqedonisë, të cilët nuk i ka të paktë. Si heronj në gomarë, nuk do t’u përshtatej as prototipi i Don Kishotit, sepse në gomar ishte Sanço Pança, sadoqë ky për nga karakteri, edhe pse jo në kalë si i zoti, ndoshta ka ecur më përtokë dhe i ka shikuar më kthjellët gjërat se sa sot Sollza Gërçevat, Filip Petrovskat, Janko Baçevat, Todorat Petrovat, Antoniot Milloshovskat, Gollubovskat…(Nuk e përmenda Lubçon, ngase ai më vonë sikur e kuptoi se realitetin…), të cilët gjithnjë kanë sjellë një frymë jashtë realitetit dhe do të guxoja të them, shpesh edhe kundër interesave të shtetit. Si mungesë vizioni ose profiterizmi nga situatat! Lindin, pas një kohe shuhen, dhe përsëri rishfaqen… Me “heronj” të tillë, vërtet “vaj vatani, vaj mileti”.
(Autori është kolumist i rregullt i gazetës KOHA)StrugaLajm


Loading...
loading...