MËSUESI LEBIT MURTISHI ME SHPIRT TË TRAZUAR

Bexhet Asani

Lebit Murtishi u lind më 1 korrik të vitit 1955, në fshatin Ladorisht të Strugës, Maqedoni e Veriut. Rrjedh nga një familje punëtore, relativisht e varfër. E ëma Nazmie dhe i ati Ukshin Murtishi shquheshin për shpirtin bujar e për nikoqirllëkun e tyre. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren e kreu në fshatin e lindjes në Ladorisht. Shkollën e mesme profesionale për mësues muzike e kreu në Prizrenin historik. Si nxënës i kësaj shkolle me shoqe e shokë formuan grupin 5 anëtarësh “Flamuri i lirisë”, grup ky që kurrë nuk u ubulua nga UDB – ëja.Shokët e tij nga Kosova ngritën në Tetovë dy flamuj dhe kurrë nuk u zbuluan. Për këtë rast dhe një rast tjetër si i dyshuar disa herë merret në bisedë informative nga ish shefi i sigurimit të Strugës Tançe Miloshevski, por pasi nuk mundi të nxjerrë asgjë në njërën anë dhe në anën tjetër edhe situata politike kishte filluar të “zbutej”, Lebitin e la “të lirë”. StrugaLajm

StrugaLajm

Në vitin 1975, kalon ilegalisht në Itali (nuk i jepnin pasaportën sepse nuk e kishte kryer shërbimin ushtarak), bashkë me një shok të tij, nga Sezhana e Sllovenisë dolën në Trieshtë të Italisë. Nga Italia, me gjithë ndërhyrjen e Mentor Qokut, i kthejnë pas disa ditësh dhe qëndrojnë në burg për një muaj. Pasi kthehet në Strugë, edhe pse e kishte vuajtur dënimin prej një muaj, atë për disa kohë e thirrnin në “biseda informative”. Në vitin 1977 e dërgojnë ta kryej shërbimin ushtarak në qytetin Çaplin, afër tridhjetë km. nga Mostari i Bosnjë Hercegovinës. Pa kaluar një javë, e merr në pyetje shefi i shërbimeve sekrete ushtarake, kolonelo Nonkoviç Ugo. Kjo golgotë zgjati afër tre muaj. Meqë ka pasur dhimbje barku të lehta paraqitet në ambulancën e kazermës. Mjeku kujdestar, i jep një injeksion, që nga ai moment i merren mendt dhe menjëherë me autoambulancë e nisin për në spitalin e qytetit të Mostarit, drejtë e në sallën e operacionit, ia heqin apandesitin (zorrën qorre). Zgjohet me temperaturë 40 gradë dhe me një infeksion të rëndë që ia bllokonte mushkëritë, e që kurrë nuk u mor vesh se ç’ ishte, çka e shkaktoi?! Atë ditë e kishte marrë detyrën dr. Marko Rozhiç ( thuhej se ishte simpatizues i MASPOKUT ( Lëvizja masive kroate). Kësaj i thonë fat në fatkeqësi. Lebit Murtishi kujton se kur e ka parë fytyrën e zbehtë të tij, u nxi në fytyrë dhe nuk u përmbajt: – Shta ste uçinili s’ çovekom?! (Ç’ keni bërë me këtë njeri?!) Fjalët i dëgjonte si në kllapi, nuk mund të përgjigjej. Ai doktor arriti që t’ i shpëtonte jetën dhe për një muaj e ngriti në këmbë. Si kthehet në kazermë dr. Marko Rozhiç, i dërgon qëllimisht një letër në të cilën midis tjerash shkruante: “Zdrav si ko dren, dugo çesh zhivjeti” (I fort je si thana, do të jetosh gjatë), sot letra e tij ruhet në dosjet e policisë së Shkupit. Në vitin 1979 fillon punën si mësues muzike në tetëvjeçaren “Ashim Agushi” në Ladorisht. Në këtë tetëvjeçare punon gjer në vitin 1992. Si mësues i muzikës për vite të tëra udhëheq korin e shkollës me sukses. Vitet tetëdhjetë, pas ngjarjeve revolucionare në vitin 1981, në Kosovë, në Strugën eksperimentale gradualisht u mbyll shkolla shqipe. Nxënësit shqiptarë duhej të mësonin në gjuhën maqedonase ose të mbisnin pa u shkolluar. Lebit Murtishi ato vite dërgon me qindra nxënës nëpër shkollat e mesme të Prizrenit që të shkolloheshin. Në Prizren përgjegjësinë për ato dhe ata nxënës struganë, e merrte prof. Xhemjali Berisha, tani dëshmor i kombit, prof Dashnor Xërxa e profesorë të tjerë. Në vitin 1991, pas përplasjes fizike me policinë në fshatin Ladorisht, dënohet me dy muaj burg, por kurrë nuk iu përgjigj thirrjeve zyrtare. Lebit Murtishi ka qenë Kryetar i degës së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë dhe tepër aktiv. Përgjegjës i Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri në Ladorisht. Pjesëmarrës në Kuvendin e Frontit të Rezistencës në Prizren, drejtuar nga Mentor Kaça dhe Sokol Dobruna. Organizator dhe anëtar i Këshillit të ngushtë të protestave në Strugë. Anëtar i Këshillit për themelimin e gjimnazit “Hajdar Dushi”, të gjitha kontaktet me shkollë amë në Gjakovë të Kosovës i mbante Lebiti dhe Guximtar Labënishti. Atje kishin lidhje me prof. Rexhep Osmanin. Në vitin 1992, shtëpia e Lebit Murtishit rrethohet nga policia. Një pjesë e shtëpisë nga perëndimi u rënua me autoblindë. Me këtë rast dënohet me 4.5 vjet heqje lirie, bashkë me 13 bashkëfshatarë të tij dhe me babin e tij Ukshinin. Në burg thotë ai e infektuan me Hepatit B dhe e liruan pas dy muajsh për shërim. Nga traumat e torturat fizike, përpara fëmijëve, vajzës së tij gjashtëvjeçare iu bllokuan të dyja veshkat. Nga viti 1992 ik në Shqipëri, atje qëndron dy vjet. Nga Shqipëria largohet në Zvicër. Në zvicër vazhdon aktivitetin në propagandimin e UÇK-së. Pas Luftës së Kosovës, për një kohë ishte kryetar i Këshillit Solidarizues me invalidët e luftës së UÇK-së. Lebit Murtishi merret me poezi dhe publicistikë. Veprat që ka botuar janë: Te kulla e Adem Jasharit – poezi, 1997 Përmes Shqipërisë – poezi, 1998 Jam unë – poezi, 1999 Harku i lahutës – 1999 Ankthi i artë – roman, 1999 Udha e yjeve – roman, 2000 Vargu magjik – roman, 2001 Nën lëmshin e kohëve – tregime, 2001 Klithmë dheu – poezi, 2002 Këtu jam që mot e sot – poezi, 2002 Sfida dhe kurthe – publicistikë, 2002 Përmbledhje poezish – 500 poezi, 2011 Kosova nuk di të vdesë – monodramë, 2011 Çamëria s’ është varrezë – poezi, 2011 Kësulëbardha – monodramë, 2019 Ky dhe ka zot – monodramë, 2011 (Kjo vepër pati 56 premiera në SHBA, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë, Kroaci etj. Në Festivalin Ballkanik për monodrama, në vitin 2012, në Korçë, fitoi Çmimin e Pavarësisë. Në dorëshkrim ka disa libra me poezi dhe me publicistikë. Lebit Murtishi jeton dhe Vepron në Zvicër dhe në vendlindje. Ai është aktiv në rrjetet sociale dhe në disa gazeta dhe revista, me shkrimet e tij.

In : Aktuale

Loading...
loading...