Myfit Sinojmeri – Mësuesit pishtar nga Gjirokastra

Prof. Dr. Nebi Dervishi

Përkujtesë

Myfit Sinojmerit – Mësuesit pishtaar nga Gjirokastra

Me rastin e dy përvjetoreve: 70 vjet të vrasjes në Zhitoshë të Përlepes, dhe 101 vjetorit të lindjes (20 prill 1923)

Më 14 shkurt 2024 u mbushën plot 70 vjet nga vrasja tinëzare e gjirokastritit, Myfit Sinojmeri,  nga dora kriminale e një shqipfolësi. . . 

Myfit Sinojmeri u lind  në vitin 20 prill 1923 në Gjirokastër. Rrjedh nga një familje arsimdashëse me tradita patriotike. I ati i tij, Agushi,  kishte kryer studimet e jurispondencës në Stamboll. I shkolloi të gjithë fëmijët e tij, – tre djem e dy vajza . Shkollën fillore, Myfiti e kreu në qytetin me pullaze gurësh, pra në vendlindje, në Gjirokastër, të mesmen në liceun e Korçës . Në trevat etnike lindore shqiptare erdhi aty kah  fundi i vitit 1941, për të përhapur arsimin shqip, së bashku me “200 pëllumbat e Parnasit të arsimit shqip”, siç do të shprehet shumë vite më vonë në “Shejzat” Nr. 1, në vitin 1957 , arkitekti i kësaj nisme, Profesor Ernest Koliqi, Ministër i Arsimit në Qeverinë e Tiranës në vitin 1941, për të përhapur arsimin shqip.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, 22-vjeçari Myfit Sinojmeri mbeti në qytetin e Kërçovës, ku  fillimisht punoi në administratë, e më pas si mësues. Pas një viti (1946) u transferua në Tetovë, ku për një kohë të shkurtër fitoi simpatinë dhe dashurinë e tetovarëve. 

Së shpejti e transferuan në qytetin “buzë gjolit” të rilindësit strugan, të Dr. Ibrahim Temos, ku krijoi një rreth të gjerë shokësh e miqsh. Aty u njoh me  Nesrinen, të  bijën e pishtarit të arsimit, Belul Efendiu (Kadiu), me të cilën u martua dhe pati dy vajza, Dhuratën dhe Vildanen.

Në Strugë, gjirokastriti Myfit u angazhua mësues në Shkollën fillore shtatëvjeçare “Liria” (Ish-Shkolla “Kongresi i Manastirit”. Mësuesi i popullit,  revolucionar i devotshëm, tërë kohën e tij e kaloi së bashku me nxënësit në konviktin e shkollës, ku edhe flinte. Internati i shkollës herë ishte vendosur në lokalet e xhamisë së qytetit e here në shtëpi private.

Pas transferimit nga Tetova, Myfiti mori detyrën e arsimtarit të Gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe në disa lëndë të tjera. Me punën dhe angazhimin e tij, të përkushtuar me devotshmëri, u dallua  si aktivist i  suksesshëm  në fushën e emancipimit kulturor e arsimor. Kjo për pushtetarët qe një mollë sherri për fatin e pishtarit të arsimit nga ana tyre.

Ish nxënësit e tij, Prof. Nexhat Mustafa, Syrija Imami, Hysen Suldashi (të ndjerë), Petrit Bauta, Sejdin Lloga, Emin Polisi, e shumë të tjerë , folën me admirim të papërshkruar, për  një top model prej arsimtari që ia patën lakmi të gjithë ata që patën fatin te jenë shokë pune e miq në jetën e përditshme  dhe të gjithë ata që e njohën nga afër.

Në bazë të  opinioneve dhe kujtimeve të ish nxënësve të tij, që autori i këtij portreti i ka mbledhur kohë më pare, “Mësuesi Myfit ishte  trup mesatar, tepër i ngrohtë dhe shpirt i dashur engjëllor. Veshja e tij  me shije, fliste për  edukatën e tij estetike. Ishte  fytyrëçiltër, me shikim të butë, veti këto me të cilat fitonte  dashurinë dhe respektin e nxënësve, dhe shokëve e miqve që aq shumë i deshte dhe e donin.  Fjalori i tij i patër e manar, e bënte    komunikues me të gjithë, në veçanti me nxënësit. 

Këta të fundit, në evokimet e tyre, veçojnë sidomos : “ Ligjëratat e tij, për të cilat përgatitej me seriozitet, duke zgjuar  interesimin tek ata.StrugaLajm

Ora mësimore e Myfitit, ngjallte vëmendje.

Gjuha e çiltër, e pastër dhe e ëmbël e shqipes depërtonte thellë në kujtesën e nxënësve. Dinte të zhvillojë mësimin me aftësi të metodologjisë, si në tekstet e leximit, librat e pakta  që për kohën kanë munguar, si dhe normat dhe rregullat  gramatikore, duke i  përshtatur  ato për moshën psiko-fizike të nxënësve. Në këtë mënyrë mësuesi  Myfit, mundësonte që të zhvilloheshin edhe cilësitë kreative tek nxënësit, të cilat i jetësonte sidomos në punimet  me shkrim. 

Duke nxjerrë shembuj nga vetë nxënësit , sigurohej për shkallën e përvetësimit, të njësive mësimore nga lëndët që i zhvillonte. Me një përkujdesje të veçantë bënte korrigjimin e trajtave të gabuara që përdornin nxënësit në komunikim ose në të shkruar. Kishte stilin e të shkruarit tepër të veçantë e të bukur, të cilin kërkonte që ta mbjellë edhe tek nxënësit e tij. Edhe kur bënte korrigjimin  e gabimeve të nxënësve, që aq shumë I deshi dhe e deshnin, përdorte  format më të buta e të  përshtatshme, që të mos shkaktojnë fyerje tek ata.  Me shembuj të humorit të lehtë, e arrinte synimin e  dëshiruar. Me një fjalë, si një orkestër e akorduar , pa përjashtim. Të gjithë ish nxënësit e tij me të cilët kemi komunikuar, deklarojnë se “Bazën që kemi marë nga lënda e  gjuhës dhe letërsinë shqipe, janë  meritat e  këtij pishtari të arsimit, të cilat më vonë pasi e kryem shollën fillore shtatëvjeçare-thonë ata, më vonë na ndihmoi për të vazhduar shkollimin tone të mëtejshëm”. Të gjitha këto tipare të karakterit të tij,  shërbyen që mësuesi i ynë i dashur të gëzonte autoritet dhe Rrespekt të veçantë  tek nxënësit, si për  punën e tij didaktiko-pedagogjike , ashtu edhe për qasjen  e tij të afërt e të ngrohtë prindore….”

I riu gjirokrastrit, gjatë viteve, për sa  qëndroi në Strugë ( deri në shtatorin e vitit 1953), gëzonte autoritet dhe  çmohej për sjelljen e tij me edukatë. Adhuronte  poezinë, sidomos atë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilën me kënaqësi dhe emocione të veçanta e recitonte  duke u përjetuar edhe vetë shpirtërisht. Leximet e tij artistike,  zgjonin tek nxëënsit e tij frymëzi me  bukurinë e fjalës shqipe, ëmbëlsinë dhe muzikalitetin.  Shpesh merrej edhe me shkrime, të cilat kohë pas kohe ua   lexonte me një dashuri nxënësve të tij, me çka  ndikonte në zhvillimin dhe kreativitetin e tyre. . . “

Edhe tek prindërit e nxënësve, me këshillat e tija vëllazërore, ndikonte pozitivisht në ngritjen dhe formimin e vetëdijes kombëtare , që ta duan  arsimin, traditat dhe kulturën kombëtare.

Ndaj besimit fetar  islam kishte  admirim dhe rrespekt të madh dhe me këtë frymë e  mbante gjallë edhe  procesin edukativo-arsimore, pasi kishte bindjen e pa tundur individuale e kombëtare.StrugaLajm

Ishte shok e mik i mire dhe kolegë i pandarë me pishtarin e nderuar Zotëri Sami Shehun, Belul Efendiun-Kadiu dhe me shumë të tjerë, me të cilët kishin respekt të ndërsjelltë edhe për nderim dhe rrespekt edhe për qëndrimet, bindjet dhe  pikëpamjet e tyre ndaj çështjeve thelbësore, me kuptime madhore, morale dhe kombëtare.

Ishte figurë intelektuale komplekse-poliendrike.  Lexonte shumë dhe këto njohuri i përcillte edhe tek të tjerët, me të cilët shoqërohej. 

Në shtatorin e vitit 1953, autoriteteve të pushtetit sllavo-maqedonas u ra në sy aktiviteti i ngjeshur, i thuktë dhe suksesi i pishtarit të arsimit- mësuesit Myfit, edhe emancipimit kulturor. 

OZN-a dhe UDB-ja, për ta izoluar nga rrethi i miqve, shokëve dhe nxënësve të tij të dashur struganë, e hoqën nga detyra e shenjtë e mësuesit, duke e angazhuar në administrate.

Ishin këto vite të mbrapshta.  Pas Informbyrosë,  tanimë ishin acaruar tej mase marrëdhëniet shqiptare-jugosllave dhe Myfiti refuzoi ta pranonte shtetësinë jugosllave. Për këtë, e transferuan në fshatin Zhitoshë, të Krushevës. Edhe në fshatin Zhitoshë, mësuesi gjirokrastrit  u prit shumë ngrohtë nga fshatarët dhe nxënësit. Për ta eliminuar edhe fizikisht ia përgatiti kurthin OZN-a dhe u vra tinëzisht  nga dora e një shqipfolësi  më 14 shkurt 1954.

Me të marrë lajmin e kobshëm për vrasjen e mësuesit Myfit, struganët  me një kamionetë pa mbulesë, nëpër  një dimër të ashpër u nisën drejtë Zhitoshës për të marrë trupin e pajetë të të ndjerit. 

Ekspeditës strugane i prinin  Syreja Imami, Ilmi Emushi, Nizam Shashko, Hysen Berberi dhe disa të tjerë. Bora dhe acari, nuk u mundësonin që të shkonin  deri në Zhitoshë me kamionetë, ndaj struganët rrugën  nga Përlepja deri në Zhitoshë e bëjnë në këmbë, për 12 orë të plota. 

Për ta sjellur kufomën deri në Përlepe, fshatarët, shërbehen me një saj, shoqërruar nga  bashkëshortja e të ndjerit, Zonja Nesrine me dy vajzat e saj të mitura, Dhuratën  dhe Vildanen.

Më 19 shkurt 1954, e tërë  Struga me rrethinë u tubuan për t’i bërë nderimet e fundit. Varroset me një ceremoni mortore në varrezat e qytetit, pranë varrit të djalit të dytë të Ismail Bej Vlorës, Qazim Bej Vlora, që kishte ndërruar jetë dy muaj më parë, në dhjetorin e vitit 1953, me të cilin disa vjet kishin qënë të  pandarë.

Sadoqë nga viti i krimit  u bënë  70 vjet,  struganët dhe ish nxënësit e tij edhe sot e kujtojnë me respekt dhe nuk do ta harrojnë kurrë. Kujtimi dhe respekti nuk do të venitet ndaj figurës së pishtarit të arsimit, mësuesit martir  gjirokastritit, Myfit Agush Synoimeri.

Këtë ngjarje tragjike dhe humbjen e pakompenzueshme në përmasat e interesit kombëtar, e shënoi edhe shtypi i kohës, gjë që vazhdon të ndihet dhe përjetohet me dhembje dhe mall  edhe sot, në të gjitha trevat mbarë shqiptare.

Kujtimi i tij, bëmat, vepra, shembëlltyra, vetëflijimi i një biri të dalë nga xixat e strallit gjirokastrit do të mbetet një fanar udherrëfyesi, drita e së cilit nuk do të shuhet kurrë. Ishte dhe mbeti shembull për gjeneratat që do të vijnë. Vyrtytet e tij do të mbeten mësim jete jo veç për nxënësit e tij, familjen dhe struganët që patën fatin ta ndjejnë si birin e tyre, por edhe më gjërë, për  gjeneratat që do të vijnë. 

Myfiti ishte dhe mbeti një nosit (siç do të vjershërojë Lazgushi ynë i madh). Ishte dhe mbeti simboli i qëndrresës me të cilin krenohemi të gjithë ne, qyteti i tij i lindjes, familja, dhe kombi që e pati. 

Lavdi emrit dhe veprës të Mësuesit, pishtar dhe martirë të arsimit shqip. 

08 shkurt 2024

Strugë

Prof Nebi Dervishi


Loading...
loading...