Ndodh edhe kjo në Maqedoni: Arsimtari i fshatit blen drunj për ngrohjen e nxënësve! 

Banorë të fshatit Svillarë e Epërm të komunës Saraj të Shkupit thonë për Gazetën Lajm se fëmijët e tyre tani e katër ditë nuk kanë vizituar mësimin. Shkak për këtë ndërprerje është defekti në rrjetin e energjisë elektrike, që ka lënë pa rrymë edhe shkollën e fshatit “Bedri Tahiri”. Bëhet fjalë për shkollë ku mësojnë vetëm nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë. “Fëmijët e fshatit tonë nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë përcjellin rregullisht mësimin, sepse mësojnë në objektin shkollor në Svillare të Poshtme. Mirëpo fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e katërt, që zhvillojnë mësimet në shkollën ‘Bedri Tahiri’ nuk mësojnë shkaku se janë më të vegjël dhe nuk mund ta durojnë ftohtin”, thonë prindërit e tyre. Rasti i shkollës “Bedri Tahiri” në Sfillarë është vetëm një nga rastet që tregon se shumë nxënës shqiptarë në Maqedoni sot e kësaj dite mësojnë në kushte të vështira, të ngjashme me kushtet në të cilat kanë mësuar fëmijët shqiptarë para 110 viteve, kur rilindësit kanë përpiluar alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe. Njësoj si në atë kohë edhe sot shqiptarët që janë nëpër institucione mbushin xhepat për vete, e rrahin gjoks dhe festojnë formalisht përvjetorë të ndryshëm, duke përfshi edhe përvjetorin e Ditës së Alfabetit, vetëm për të fituar pikë politike. Mirëpo njësoj sikurse edhe rilindësit tanë të para 110 viteve edhe ose e kësaj dite ka arsimdashës shqiptarë që janë të gatshëm të shkrijnë pasurinë e tyre, për arsimimin e gjeneratave të reja shkollore. Një shembull të tillë paraqet pikërisht arsimtari Murat Ameti nga Sfillara, i cili me paratë e tij, ka blerë drunj për ngrohjen e nxënësve, me qëllim që procesi arsimor të mos ndërpritet një kohë më të gjatë. Në EVN thonë se defekti në fshatin Sfillarë të Epërme tek ata është denoncuar gjatë ditës së martë. “Sapo është paraqitur defekti ekipet tona kanë dalë në teren dhe kanë filluar sanimin e tij. Të martën është sanuar pjesërisht defekti dhe një pjesë e fshatit është kyçur në rrjet, kurse të mërkurën po punohet për sanimin e tij të plotë”, deklaruan nga EVN për Gazetën Lajm.

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...