Të paktën tre persona janë vrarë, pasi një furgon ka goditur turmën në qytetin perëndimor, Muenster të Gjermanisë, ka njoftuar Ministria e Brendshme. Zëdhënësi i Policisë, Andreas Bode u ka thënë gazetarëve se shoferi i makinës e ka vrarë vetes, pas përplasjes me turmën. Ai ka thënë se ende nuk dihet identiteti i të dyshuarit dhe ka shtuar se është ende herët të spekuluar për motivin e këtij sulmi. Policia ka thënë se disa objekte të dyshimta janë gjetur në furgon, por ende janë duke i ekzaminuar për të parë nëse këto objekte janë të rrezikshme.
Policia lokale ka shkruar në Twitter se zyrtarët policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin qendrën e qytetit, në mënyrë që makinat dhe ekipet e emergjencës të mund t’iu dalin në ndihmë të lënduarve. Sipas edicionit online të revistës Spiegel, autoritetet gjermane “dyshojnë” se ky incident është sulm, por autoritetet ende nuk kanë konfirmuar një gjë të tillë.
E përditshme gjermane, Sueddeutsche Zeitung, transmetuesi publik gjerman, ZDF dhe agjencia DPA, kanë raportuar se shoferi i furgonit është me kombësi gjermane. Mediat gjermane raportojnë se ai ka pasur probleme psikologjike. Këto media kanë thënë se shoferi, i cili ka vrarë më pas vetën, ka qenë rreth 40 vjeç. Ulrike Demmer, zëdhënse e kancelares, Angela Merkel ka thënë se “medimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”. Demmer ka shkruar në Tëitter se ky është “një lajm i tmerrshëm”.