NË KUJTIM TË EMIN POLISIT ARSIMTARIT MENDJENDRITUR

       Shkruan:

       Dr. Bexhet Asani /strugalajm.com    

                           NË KUJTIM TË EMIN POLISIT ARSIMTARIT MENDJENDRITUR

                                                                  (1931 – 2008)

                          Është bërë zakon që me rastin e festës sonë kombëtare 7 Marsi, të kujtojmë e t’ i ngrejmë në piedestal mësuesit e parë të të parës shkollë shqipe dhe bëjmë shumë mirë por harrojmë me apo pa dashje të kujtojmë pishtarët e mëvonshëm dhe ata të ditëve tona. Nëse shkruajmë apo atëherë këtë e bëjmë pas vdekjes së tyre! Këtë praktikë duhet ta flakim njëherë e përgjithmonë. Duhet të shkruajmë për mësueset dhe mësuesit edhe në të gjallë të tyre. Para dy vjetësh bëra një shkrim për një pedagogun tim të shkollës së mesme. Pas disa ditësh pasi kishte lexuar shkrimin, i entuziasmuar më tha: – Tani edhe të vdes nuk më vjen keq, do të shkoj i lumtur! Dhe ja tani pësëri  po e bëj një shkrim për një arsimtar i cili nuk rron më. Po ta bëja në të gjallë të tij sa do të krenohej veterani i arsimit, i cili u tret si qiriri i Naim Frashërit. Emin Polisi kishte një temperament të gjallë, si në jetën e përditshme ashtu edhe në klasë me nxënësit t tij të dashur.

                      Mësuesin e historisë e kam njohur, këtu e pesëdhjetë e një vite më parë, në vitin e largët 1968, atëherë unë isha nxënës i klasës së pestë dhe pata nderin që ta kisha atë vit edhe kujdestar klase. Arsimtarin Emin Polisi e kishin emëruar te shkolla jonë vetëm e vetëm ta torturojnë duke udhëtuar mbi tridhjetë kilometra në ditë nga Dobovjani për në Ladorisht të Strugës. Këtë e kuptova vonë si u rrita, e ku mund të dinte një fëmijë se ç’ bënte UDB-ja..!? Për asnjë çast nuk mund ta shikonte njeri dëshpërimin në fytyrën e tij. Ai vinte para arsimtarëve të tjerë të cillët, në krahasim me të, shkollën e kishin te dera e shtëpisë që i thonë një fjale! Ai vinte në mësim edhe para nesh. Kur ai ishte kujdestar dite, na rreshtonte si ushtarët para shkollës dhe për disa minuta bënim gjimnastikën e mëngjesit te stadiumi i vogël i volejbollit, e që ishte dhe oborri i shkollës. Ashtu të rreshtuar, siç ishim jepte urdhër që të futeshim brenda sipas klasave duke filluar nga klasat e pesta gjer te klasat e teta. Atë ditë nxënësit nuk mund të dilnin nëpër korridore pa patur nevojë!

                      Pishtari i arsimit Emin Polisi kishte një zë kumbues, kur ligjëronte ai ushtonte klasa. Për dyzetë e pesë minuta nuk ndalej së shpjeguari. Kur na fliste për Skënderbeun i qeshte fytyra, duke treguar për bëmat heroike të Skënderbeut tundej i tëri nga krenaria dhe i dridheshin flokët të cilët i mbante nga balli përsipër kokës të ngritur. Që prej asaj kohe, sot e kësaj dite, më kanë mbetur në kujtesë dy vargjet vargjet e një kënge popullore që e recitonte gjatë ligjëratës së tij për kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin Skënderbeun:

                                                     Nga na vjen ti, trim o kapedan?

                                                     Vij nga ushtria e Malit Ballkan….

                       Pyes veten tani, nga e gjinte atë guxim të ligjëronte për atë trim!?StrugaLajm

                       Si nxënës të tetëvjeçares, na çonin të rrallonim misrin e mbjellur në kombinatin bujqësor “Fusha e Strugës”, ai si gjithmonë bashkë me nxënësit, bënte dhe ndonjë shaka, kur fliste me atë zërin e tij kumbues dëgjohej edhe larg. E kishte merak të shqiptonte frazeologjinë, kur rrallonim misrin: – Djemtë e Lurës, dushmanët e bukës! Nuk e kuptuam kurrë pse e thoshte dhe çdo të thoshte me këtë frazeologji, e ku ta kuptonim ne ishim të vegjël. Vitet ikën shpejtë, ne vazhduam gjimnazin, pastaj Fakultetin në Prishtinë dhe për një kohë relativisht të gjatë nuk u pamë me pishtari Emin Polisi. Po mua nuk më hiqeshin nga mendja vargjet “Nga navjen ti, trim o kapedan? Vij nga ushtria e Malit Ballkan…”, duke studiuar revistat e kohës të Institutit Albanologjik të Prishtinës “Folklor dhe etnologji” e gjeta të plotë këngën për Skënderbeun. Vitet nëntëdhjetë kishim takime të shpeshta me historianin Emin Polisi. Një ditë prej ditësh e pyeta nga e kishte lexuar këngën për Skënderbeun dhe ia recitova vargjet, ai vazhdoi dhe e recitoi gjer në fund këngën popullore kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. – Kam marrë pjesë në simpoziumin shkencor për Skënderbeun që u mbajt më 1968 në Prishtinë, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së tij – më tha. I tregova se kumtesën që e kishte dëgjuar ai në atë sesion shkencor ishte botuar në revistën “Folklor dhe etnologji” të Institutit Albanologjik të Prishtinës. U gëzua pa masë.

                     Takoheshim shpesh. Bisedonim me orë të tëra. Po pas viti 2000, çatisa “belanë” me arsimtarin Emin Polisi! Çfarë ndodhi do të pyesni ju? U përfolët!? U zutë!? Asnjëra nga këto pyetje. Pas vitit 2000 u hapën dosjet në Maqedoni. Shëtitja me disa nga bashkëqytetarët e mi, ai tmerrohej kur më shihte me ta! Shkonte sa para aq prapa nesh pothuaj i xhindosur dhe ma bënte me dorë që të largohesha prej tyre. Pasi ndahesha prej tyre, uleshim me arsimtar Eminin dhe më qortonte: – S’ dua të të shoh më me ta! Ata janë UDB – ashë! Ditëve tjera më shihte me ndonjë bashkëqytetar tjetër i njëjti veprim. Do të ta jap dosjen time. Aty do të shikosh se cilët janë ata që shoqërohesh ti..! Ata janë UDB-ashë të rrezikshëm. Larg prej tyre, të njoh unë ty, e njoh vëllain tënd Amedanin, e njoh babain tënd Xhevitin. Ata duan të përfitojnë prej teje. Të thonë bota se nuk janë dhe nuk kanë qenë bashkëpunëtorë. Dosjen nuk ia mora që ta lexoja. Por tani që ai nuk rron më në mesin tonë shpresoj se djemtë e tij do të ma japin që ta lexoj një ditë. Isha i bindur dhe jam i bindur se profesor Emini kishte të drejtë plotësisht. Ishte i vuajtur. E kishin burgosur. E në burg e kishin torturuar. Kishte kaluar nëpër gurë të mullirit!

                       Në artikullin me titull “Cilët ishin spiunët dhe cilët i ndiqte UDB-ja” botuar te portali “Shqip Media” ish agjenti Nafi Çegrani midis tjerash shkruan:

                                                                                             EMIN POLISI OBJEKTIV I UDB-së

                 Emin Polisi, siç kam përmendur edhe në një rast tjetër, ishte veprimtar i
çështjes kombëtare, pishtar i arsimit shqip dhe i flakt për pavarsinë e Kosovës, e
njihja personalisht, sepse kisha pas rastin që kur isha në degën për ndjekje, me
një urdhëresë zyrtare operative të dy kryeshefave Mirko Bunevskit dhe Jordan
Spasovskit, ishte vënë në shënjestër dhe duhëj të vëzhgohej, ndiqej dhe bëhej një
dokumentim operativ! Ato vite 1969/74 ishte në përcjellje të vazhdueshme dhe
sistematike. U bënë edhe regjistrime operative dhe me teknikë të sofistikuar të
kohës, foto dokumentacion i plotë për të gjitha kontaktet dhe lidhjet që kishte si
njeri mjaft komunikativ, fillimisht në Strugë, e që përcjellja ndaj tij ishte
intensive nga disa persona të caktuar të kolegëve të tij nga Veleshta e
Dobovjani ,të cilët në dosien e tij figurojnë me emra dhe mbiemra të tipit të
Z. Q. pastaj  Z. me pseodonimin ,,Historiani,, N. V. etj etj.
vetëm pse Emini ishte nacionalist i vërtetë dhe kryengritës, ishte burrë trim,
shumë fisnik dhe bujar…Udb-ja nuk i adhuronte shqiptarët me tipare të tilla,
andaj grumbullonin edhe material të ashtuquajtur ,,komprometus,, të kohës,
sepse Emini, edhe më herët kishte pas përplasje me organet e shtetit, me
Vangjelin dhe disa udb-ash të tjerë në Strugë, e rreth të cilit ishin angazhuar
informatorë të tipit që e kishin spiunuar në atë kohë. Emin Polisit të Dobovjanit
këta informatorë ishin një grup që veten e mabnin si intelektualë dhe
,,patriotë,, e që në dosjen e tij , siç thash, përmenden me emra dhe mbiemra, e
që udb-ja i mbante si sekret. Në dosjen e Eminit të koduar me shifrën “ Potajnik”
kishte shumë materiale dhe raporte, analiza operative dhe të ndryshme, të cilat
ishin marrë edhe nga burime paralele! UDB-së rreth Emin Polisit, i interesonin
kontaktet e tij me njerëz të cilët ishin të ekspozuar në rradhët e nacionalizmit
shqiptar, në rrethinën e Strugës, sidomos ata të cilët bënin pjesë në ,,grupin,, e
Shebrit Kicës, Murteza Shatrit, Mazar Lenës, Nexhat Mustafës, Medi Comës,
Neki Hanit dhe kështu me radhë.

                  Mësuesi i Popullit Emin Polisi shkoi i trazuar në botën e përtejme. Shpirti i tij luftarak edhe atje nuk e ka gjetur qetësinë. E ku ta gjejë qetësinë? Kur mendon se “shokët” e tij të idealit, shokët e tij të punës, e kishin ndjekur këmba këmbës.  E kishin tradhtuar dhe ia kishin mbajtur thikën në gropë të qafës.

                   Emin Polisi e kreu me nder detyrën e mësuesi. Ai ishte një shok, një mik, një prind, një mësues ideal, mbi të gjitha ai ishte një atdhetar i devotshëm. Edukoi dhe arsimoi brezin e ri gjer në frymën e fundit të tij. Ai rron dhe do të rrojë në zemrat tona.

In : Aktuale

Loading...
loading...