Në Maqedoninë e Veriut Kryetari i shtetit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme

Bekim Qoku

Pavarësisht se a veproi mirë apo jo, teknikisht kjo masë ishte e nevojshme për disa arsye. Së pari kriza pandemike, shtetin e gjeti me një kuvend që kishte shpërbërë veten, që do të thotë vendi është pa kuvend funksional, dhe së dyti, shteti qeveriset nga një qeveri teknike deri në zgjedhjet parlamentare të parakohshme që ishin caktuar me datë 12 prill, po që u anuluan për shkak të situatës aktuale.


Me Gjendjen e jashtëzakonshme, në mungesë të kuvendit republikan, qeverisë së vendit i zgjerohen kompetencat, dhe disa akte dhe veprime ajo mund t’i marrë pa kërkuar bazë ligjore, për të cilën është i domosdoshëm një kuvend aktiv dhe funksional.

Por fakti më i rëndësishëm që duhet theksuar, është se ky akt u ndërmor si rezultat i një konsensusi të plotë i gjithë spektrit politik të vendit. Pra u propozua nga qeveria, u mbështet nga presidenti dhe u miratua nga gjithë liderët e partive politike në mbledhjen e liderëve tek presidenti i vendit. StrugaLajm

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut, arsyet dhe mënyra se pse dhe si u vendos, nuk mund të krahasohet me situatën në Republikën e Kosovës. Këtu propozimin e bën një president në mënyrë krejtësisht arbitrare. E bën në kohën kur kuvendi i Republikës është funksional, Qeveria Kurti është në takt dhe e ka gjithë situatën nën kontroll dhe rastet e infektuara ende numërohen në gishta. Mos përmendim faktin, që presidenti i Kosovës është figura politike që gëzon një autoritet tejet të ulët moral e politik në vend.

In : Aktuale

Loading...
loading...