Ne që më kujdesshëm e zgjedhim shalqirin se sa deputetin!

StrugaLajm

Nga Kim MehmetiStrugaLajm

Prej moti, e jo tani, parlamentet e ‘Shqipërive’ tona, në masë të madhe, u ngjajnë ‘klubeve’ ku mblidhen gra e burra të pagdhendur e të frustruar, ku takohen të dëbuarve nga familjarët e tyre e të cilët, si të tillë, kanë vetëm një qëllim: t’i shërbejnë ndershëm atij që i ka zgjedhë të jenë pjesëtarë të atij ’klubi’, e jo atyre që ua kanë mundësuar hyrjen – drejtuesve partiak e jo votuesve.
Prej moti, e jo tani, Kuvendi i Shqipërisë me shumëçka i ngjanë strehimores së hajdutëve të ‘Rilindjes’ dhe adhuruesve të Kryeministri të vendit dhe andaj, thuajse për çdo javë, o ndonjë deputet, o ndonjë pushtetar, përfundon në burg.
Ndërkohë Parlamenti i Kosovës i ngjanë ‘shkollës së natës’, ku mësojnë oratori ata që në gjuhën letrare nuk mund ta lidhin as një fjali të plotë, por të cilët, gjatë njëzet viteve shtetndërtim, e arritën thujase të pamundurën: që zhvatjen e popullit ta ngrenë në ‘vlerë’ perëndimore dhe të vetëshpallen në pronarë edhe të hajnisë, edhe të lavdisë.
Sa u përket shumicës së deputetëve shqiptarë të Maqedonisë, ata janë më të dëgjueshmit dhe më besnikët e ‘miqve tanë perëndimorë’, sepse vetëm ashtu mund ta mbulojnë se njësoj sa rakia, i dehë edhe leximi i librave dhe andaj, nuk e kanë lexuar deri në fund as abetaren.
Po pra, parlamentet e ‘Shqipërive’ tona më shumë u ngjajnë cirqeve se sa vendeve ku tubohen elitat politike. Ato pra janë vende ku mungojnë ide dhe koncepte politike, por ku ka aq shumë grushte dhe rrugaçëri politike, sa çdo rrugaç të ngjan në deputet.
Dhe sa herë që përballemi me deputetët tanë që shpërfaqin shumë paturpësi e pak urtësi, ne ngutemi ta pyesim veten se nga na dolën gjithë ata politikanë kokëtulë që nuk kanë as turp as dinjitet? Me çka jo se nuk e dimë përgjigjen, por duke dashur kështu ta mbulojmë të vërtetën se ata e shpërfaqin fytyrën tone kolektive, se ata në përfaqësojnë neve që më shumë kujdesemi që të mos na del i palëngshëm shalqiri që blejmë se sa që na brengosë mendjelehtësia dhe paturpësia e deputetit që do vendosë për fatin e fëmijëve tanë.
Pra edhe sot, kur deputetët e Kosovës e ushtrojnë demokracinë e grushteve, kur Shqipërinë e sundon ‘unioni i qelbësirave’ dhe kur deputetët shqiptarë të Maqedonisë janë aq properëndimorë se nuk e dinë se bota ka edhe tri anët tjera të saj, ne harrojmë se aty ku më me kujdes zgjidhet shalqirit se sa deputeti, parlamentet u ngjanë ‘vëllazërive’ të motrave të përdala dhe një votues ‘shitet’ më lirë se sa një dele. (Kim Mehmeti)


Loading...
loading...