Një udhëtim në qytetin, familjen dhe bizneset e Saimirit të Love Story

Nga Olsi Kolami 

Fotografia: Enis Çela

Në këto kohë pandemie të udhëtosh është luks, por të takosh Saimirin, protagonistin e programit “Love Story” gjithçka ishte kaq e lehtë. Udhëtuam drejt Frankfurtit. Pritëm në radhë të gjata dhe teksa u tregonim oficerëve të policisë ftesën për programin, dukej për të qeshur se ne po udhëtonim për një mision gati qesharak në një kohë jo të zakontë. Moti i lagësht i Frankfurtit nuk ishte aspak miqësor, por pritja në dalje të tij ishte surprizuese. Saimiri po na priste aty, me një buzëqeshje hollivudiane nga ato që mbeten gjatë në kujtesë. Është kaq i sjellshëm, për vonesën, sa duket sikur është zënë në faj për një gabim që nuk i përket atij.

Nisemi drejt Mannhemit, qytetit ku prej dy dekadash është zhvendosur me familjen e tij. Qyteza e famshme për prodhimin e automobilave ka një stil unik arkitekture, e cila duket sikur është zënë në grackë nga ngjyra e ndryshkut vjeshtor.

Qyteti me ndërtesa historike që tregojnë origjinën e themelimit të tij, diku rreth shekullit të pesëmbëdhjetë, ngërthehet midis kullave, kishave, katedraleve dhe kopshteve të pafundme.

Saimir Kasemi është 33 vjeç, ka një diplomë shkëlqyer në Financë dhe duket se më shumë sesa vitet e shkollimit të tij, rritja në një familje të shëndetshme ka qenë frymëzimi më i madh për të. Nuk e fsheh aspak se i ati, ka qenë ai që e ka frymëzuar më shumë për të nisur një karrierë si biznesmen, fillimisht duke menaxhuar një kompani taksish, e më pas i frymëzuar nga kultura kulinare italiane, ai ka arritur të ndërtojë një perandori të vërtetë me rrjete dyqanesh akulloresh dhe restorantesh.

Që kur ka qenë shumë i ri ka udhëtuar nëpër botë, ndaj nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe: stili i rafinuar i kuzhinës italiane i ka mbetur në memorie, ndaj edhe vendosi të fokusohet fillimisht te rrjeti i dyqaneve të akulloreve. Saimiri rrëfen se e nisi me një dyqan të zakonshëm, në lagjen Speyer, shumë pranë një zone pedonale e cila tërheq një numër të madh vizitorësh pranë katedraleve më të famshme të qytetit.

E më pas, kur pa se interesi i klientëve u rrit, rrjeti i dyqaneve u shtri edhe më gjerë. Udhëtoi deri në Itali për të gjetur një nga specialistët më të mirë të prodhimit të akulloreve, duke e kthyer biznesin e tij në një ndër furnizuesit më të njohur të qytetit. Aty shijova një ëafëll fantastik shoqëruar me akullore, të cilën mjeshtër Piero e përgatiti enkas për mua. E më pas, Saimiri u fokusua te restorantet e stilit dhe kuzhinës italiane. Por, ambicia e djaloshit shqiptar nuk u ndal, sepse interesi në biznesin e “real estate” ishte synimi i radhës. Ai sapo kishte zbuluar një ishull të ri, por edhe fitimprurës, duke punuar fort me shitblerjet e pronave të patundshme, të cilat duket se e bënë akoma edhe më intriguese investimet e tij.

Pasdite, udhëtuam në lagjen ku Saimiri është rritur. Teksa ngjit shkallët e drunjta, ndiej aromën e një ëmbëlsire. “Mirëserdhët! Kam bërë një cheescake. E bëra për ju, por edhe Saimiri i ka qejf ëmbëlsirat”, – tregon e ëma Alma, teksa përqafon të birin. Duket që ata kanë një raport të veçantë. Na rrëfen se Saimiri që i vogël ka qenë shumë i lidhur me futbollin, madje ka luajtur me disa skuadra të njohura vendase, por duket se “takimi” me biznesin dhe diploma në Financë e joshën më shumë të birin. Nëpër shtëpi sheh foto të Saimirit duke luajtur futboll, momente të karrierës së tij disavjeçare, mes tyre edhe një periudhë 1-vjeçare në Shqipëri me skuadrën e Tiranës, një kapitull i cili duket se mbylli përfundimisht karrierën e tij futbollistike për të nisur një tjetër rrugëtim, në atë të biznesit. “Që kur ka qenë i vogël, Saimiri ka qenë i apasionuar pas biçikletave dhe motorëve. Ende pa nisur të ecte, kur dëgjonte zhurmën e ndonjë motori kërcente përjetë nga gëzimi. Më pas, kur mori biçikletën e tij të parë, unë mezi prisja të kthehej në shtëpi. Ishte plot me shenja sepse ishte rrëzuar, por nuk dorëzohej”, – kujton e ëma.

Një telefonatë ndërpret takimin tonë. Duhet të kthehemi sërish në biznesin e Saimirit në lagjen Speyer. Teksa flasim, në portretin e tij nuk ka mbetur asgjë nga ai karakteri çapkën që ka pasur në vegjëli. Por, thuajse në fund të ditës, zbulojmë gjithë arsyen përse Saimiri tani është kaq i disiplinuar dhe jo më ai djali trazovaç që ka qenë kur ishte fëmijë. Këtë të vërtetë na e zbulon i ati, Petriti një burrë nga ata që me krenari tregon që i biri është shoku i tij më i mirë. Petriti nuk e fsheh që ardhja e tij në Gjermani nuk ka qenë aq e lehtë, sidomos kur bëhet fjalë për vitin e largët 1992, moment kur edhe shkeli për herë të parë në Mannheim si emigrant. I është dashur shumë të punojë, jo vetëm për të fituar dhe investuar në biznesin e tij të parë, por edhe për të kornizuar portretin e një shqiptari të rregullt, që ka sakrifikuar shumë për të ndërtuar familjen dhe bizneset e tij. “Unë dhe Saimiri kemi një raport shumë të veçantë. Që kur ishte fëmijë e kam përfshirë në botën e sportit. Ishte një këshillë e vyer që e kam marrë nga familja ime, sepse edhe unë kam qenë vetë sportist dhe investimi i Saimirit në futboll ishte më i miri që kam bërë në jetë”, – tregon i ati. Pikërisht kjo disiplinë sportive që i futi në gjene i ati, bëri që i biri të ndryshonte 360 gradë, duke i dhuruar një busull orientuese për të ardhmen, frutet e të cilit e bëjnë sot atë të ndihet krenar. Kjo ishte edhe arsyeja që i ati me bindje i dorëzoi të birit biznesin që kishte nisur, i sigurt se gjithçka që kishte ngritur vetë, në drejtimin e Saimirit do të ngrihej akoma më shumë. “Shkojmë bashkë në palestër, ashtu si unë e shoqëroja në stërvitje dhe në çdo ndeshje kur Saimiri ishte ende fëmijë. Më motivon teksa bëjmë ushtrime dhe kjo më bën 100-fish më të lumtur sepse shoh te Saimiri më të mirën që kam imagjinuar”. Në mbrëmje, teksa pimë nga një gotë të katërt, at e bir, unë dhe Erald Nallbani, regjisori i “Love Story” bisedat janë të mbushura me kujtime nga Tirana, e padyshim misioni që sapo ka filluar Saimiri në televizionin Klan. “Zakonisht kur Saimiri niset me pushime ose për punë jashtë Mannheimit, punën e tij e marr unë përsipër, por këtë herë ka një mision tjetër të cilin uroj ta kalojë sa më mirë. Uroj të mos kthehet vetëm” – thotë Petriti, teksa në sytë e tij shfaqet shkëlqimi i asaj dëshirës, që çdo prind ka për fëmijën e tij: ta shohë të realizuar edhe në familjen e tij.

Një ndër personat më të shtrenjtë për Saimirin është edhe motra e tij. Teksa kalon kohë me ta e kupton se sa shumë të lidhur janë me njëri-tjetrin. Bepa tregon se në fillim nuk e priti mirë ardhjen e Saimirit në “Love Story,” pasi ai asnjëherë nuk ka qëndruar larg familjes për një periudhë kohore kaq të gjatë. Por  pasi ai e vendosi pjesëmarrjen e tij ajo i jep bekimet e saj. “Ma kini kujdes vëllanë”, është porosia e saj për vajzat që duan të rrëmbejnë zemrën e Saimirit në “Love Story”.

Është kaq bukur, teksa sheh një familje kaq të realizuar në një vend të huaj dhe akoma më bukur kur një pjesë e zemrës dhe mendjes së tyre është në atdhe. Saimiri kthehet për të gjetur gjysmën e tij, dhe këtë rrugëtim do ta bëjë para gjithë shqiptarëve, i bindur që do të jetë një eksperiencë e pakrahasueshme që jo çdo kush ka fatin ta jetojë.

Loading...
loading...











Loading…


loading…